Java që vulos shtyrjen e liberalizimit

Aktuale December 03, 2018 - 07:48
Lexoni më shumë lajme nga vendi
Image

Premtimet e institucioneve të Kosovës kanë qenë që në takimin e fundit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për këtë vit do të merret vendimi për heqjen e vizave për kosovarët, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Madje këtë javë pritet të vuloset shtyrja e liberalizimit, pasi kjo çështje nuk është futur në agjendën e takimit të Këshillit, që mbahet më 6 dhe më 7 dhjetor, shkruan sot gazeta "Zëri".

Për më shumë se tetë vjet radhazi udhëheqësit e institucioneve të Kosovës u premtuan liberalizim qytetarëve, por një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë as përgjatë këtij viti. Madje gjatë këtij muaji (dhjetor) nuk pritet të merret as vendimi mbi këtë çështje, përmes së cilit do të tregohej qartë se prej cilës datë kosovarët do të mundë të lëviznin lirshëm në Zonën Schengen.

Kjo pasi që liberalizimi i vizave për Kosovën nuk është futur fare në agjendën e Këshillit të Ministrave, ani pse mbledhja e këtij institucioni do të mbahet në fund të kësaj jave. Ndërkohë, për heqjen e vizave tashmë kanë votuar Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian.

Por procesi ka ngecur në trialogun e këtyre tri institucioneve të BE-së, të cilat nuk janë pajtuar për përmbajtjen e vendimit. Rrjedhimisht, Kosova tashmë e ka humbur mundësinë e fundit për këtë vit, që liberalizimi të votohet në stacionin e fundit, në Këshill të Ministrave. Një gjë të tillë e ka pohuar edhe vetë ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, e cila ka thënë se mungon vullneti i vendeve anëtare të BE-së që ta mbështesin liberalizimin për Kosovën. Ekspertët e procesit të integrimit vlerësojnë se viti që vjen do të jetë edhe më i vështirë sa i përket heqjes së vizave për Kosovën.  

Liberalizimi për Kosovën, jashtë agjendës së Këshillit

Teksa ka bërë të ditur se Kosova nuk do të jetë në agjendë të Këshillit të Ministrave, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se disa shtete të mëdha të BE-së, siç janë Franca, Gjermania e Holanda, janë duke hezituar që ta mbështesin heqjen e vizave për Kosovën.

“Më 6 dhe më 7 dhjetor është caktuar takimi dhe çka po shohim është se për shkak të vullnetit politik nga këto shtete Kosova nuk është në agjendë. Ne në vazhdimësi kemi bërë thirrje që të futemi në agjendë”, është shprehur ajo gjatë një interviste për televizionin publik të Kosovës.

Hoxha me këtë rast e ka cilësuar si të padrejtë anashkalimin e Kosovës nga Bashkimi Evropian. Edhe anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane (nga LVV), Ismajl Kurteshi, ka vlerësuar se ajo që po ndodh me çështjen e liberalizimit të vizave është një padrejtësi që BE-ja po e bën karshi Kosovës. “Ata kanë pranuar që Kosova i ka plotësuar kushtet dhe tash mendoj që është detyrë e institucioneve të Kosovës që të kërkojnë nga BE-ja të deklarohet se cilat janë arsyet për këtë zvarritje ose për këtë hezitim. BE-ja me të padrejtë po i dënon qytetarët e pafajshëm të Kosovës dhe këtë duhet ta themi”, ka theksuar ai.

Në të njëjtën kohë Kurteshi ka thënë se pushtetarët duhet ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, të cilat sipas tij janë po ashtu arsye të zvarritjes së heqjes së vizave. Megjithëkëtë, deputeti i LVV-së ka konsideruar se krimi e korrupsioni nuk janë shkaktarët e vetëm që kanë shtyrë liberalizimin. “Natyrisht që edhe hapja e çështjes së kufijve është edhe njëra nga arsyet për hezitim për liberalizimin e vizave”, ka potencuar ai.

Viti i ardhshëm, edhe më i komplikuar për çështjen e vizave

Meqë gjatë vitit që vjen pritet të mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian, Ismajl Kurteshi ka konsideruar se 2019-a do të jetë vit më i vështirë për liberalizimin për Kosovën.

“Zgjedhjet që do të organizohen në BE gjatë vitit të ardhshëm natyrisht që e komplikojnë gjendjen, nuk e thjeshtësojnë. Por megjithëkëtë institucionet e Kosovës duhet të insistojnë që kjo e drejtë e qytetarëve të Kosovës të realizohet sa më parë. Jemi vendi i vetëm në Evropë që jemi të izoluar”, ka nënvizuar ai.

Sipas Taulant Kryeziut, kryetar i Bordit Ekzekutiv të institutit EPIK, disa ngjarje që pritet të ndodhin përgjatë vitit të ardhshëm në BE do ta bëjnë situatën të paqartë sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. “Vitin tjetër skenari është jo fort i qartë, duke e ditur që prej janarit e kemi Rumaninë, e cila e udhëheq Presidencën e BE-së. Mandej është çështja e Brexitit nga marsi, pastaj janë zgjedhjet për Parlament Evropian në maj dhe realisht kjo e bën pak të paqartë skenarin tonë”, ka theksuar ai.

Premtimet joreale të udhëheqësve kosovarë

Për të reflektuar karshi skenarit negativ për vizat institucionet e Kosovës, sipas Taulant Kryeziut, duhet të punojnë në mënyrë intensive për ta ndihmuar procesin e vizave, pas humbjes së afatit për këtë vit.

“Çka unë do t’i ftoja institucionet tona është që t’i përvishen punës, t’i adresojnë reformat evropiane që kërkohen për vendin tonë, t’i zbatojnë gjithë ato kërkesa që vijnë qoftë nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, qoftë nga Agjenda Evropiane e Reformave, të punojnë në ndërtimin e një sistemi kredibil të drejtësisë. Pra, të kemi argumente pozitive për t’i bindur vendet anëtare që t’ua shuajmë atë hamendjen dhe ta kemi mbështetjen e tyre”, ka theksuar ai.

Mirëpo Kryeziu ka konsideruar se udhëheqësit kosovarë në vazhdimësi kanë dhënë premtime joreale, duke thënë se liberalizimi i vizave do të përmbyllet përgjatë këtij viti. “Kjo është fatkeqësi për qytetarët tanë që nuk po mund ta gëzojnë një të drejtë fundamentale të lëvizjes së lirë dhe mendoj që përgjegjësia për këtë punë bie mbi udhëheqësit institucionalë që kanë dhënë premtime joreale sa i përket këtij procesi”, ka theksuar ai.

Hahn viziton Kosovën

Pak ditë para se Këshilli i Ministrave ta mbajë mbledhjen e radhës komisionari i BE-së për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, gjatë ditës së sotme do të qëndrojë në Kosovë për vizitë.

Me këtë rast Hahn do të takohet me presidentin e Kosovës Hashim Thaçin, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin.

Nga Zyra e BE-së i kanë thënë gazetës “Zëri” se vizita e Hahn do të fokusohet te vendimi i Qeverisë së Kosovës, që ka të bëjë me vendosjen e taksës prej 100 për qind për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Por, Komisionari i BE-së pos kësaj pritet të flasë edhe rreth çështjes së liberalizimit të vizave./ZERI