Daçiq i ka disa fjalë për demarkacionin e Kosovës me Serbinë

Aktuale December 02, 2018 - 20:31
Lexo Detajet

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se ideja e demarkacionit të kufirit me Kosovën nuk është lënë mënjanë.

Kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, sot ka deklaruar se ideja e një demarkacioni në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk është hedhur poshtë dhe se sipas tij, kjo ide mund të nënkuptoj edhe ndryshimin e kufirit.

Sipas tij, kjo ide është e vetmja iniciativë konkrete.

Në një intervistë për gazetën “Blic”, Daçiq ka thënë se, një shtet nuk mund të ketë një situatë “status quo”, por që sipas tij, me këtë demarkacion trashëgimia fetare dhe kulturore serbe do të mbetet në Kosovë, transmeton lajmi.

“Ideja e demarkacionit nuk është lënë anash, përkundrazi. Një ide të tillë e ka përkrahur edhe ish-komandanti i KFOR-it, Stalvatore Couci, i cili ka thënë se kufiri në mes të Serbisë dhe Kosovës nuk ekziston dhe se çfarëdo kufiri që përcaktohet ai duhet të arrihet vetëm përmes një marrëveshje nëpërmjet dialogut Kosovë-Serbi që zhvillohet në Bruksel”, deklaroi Daçiq.

Po ashtu Daçiq, në këtë intervistë ka folur edhe për taksën doganore që Kosova ia ka vënë Serbisë, por edhe për dialogun.

Sipas tij, Kosova nuk e ka mbështetjen e perëndimit për taksën doganore që ka vënë ndaj mallrave të Serbisë e Bosnje dhe Hercegovinës dhe se në Bruksel dialogu Kosovë-Serbi, mund të vazhdojë vetëm pas heqjes së taksës doganore prej 100 për qind.