Jabllanoviq akuzon Listën Serbe lidhur me çështjen e taksës

Aktuale December 02, 2018 - 19:51
Lexo Detajet

Partia e Serbëve të Kosovës, e udhëhequr nga Aleksander Jabllanoviq ka reaguar në drejtim të veprimit të pjesëtarëve të Listës Serbe, të cilët u mbyllën sot në Kuvendin e Kosovës duke kërkuar largimin e taksës 100%.

Jabllanoviq ka dënuar këtë veprim duke e konsideruar si dëshirë amatore të Listës Serbe për të fituar pikë politike.

“Partia Serbe e dënon fuqishëm fushatën reklamuese të Listës Serbe dhe mentorëve të saj nga Prishtina dhe Beogradi. Dëshira amatoreske  e Listës Serbe për të fituar pikë politike në rrëzimin e një qeverie të cilën vetë e kanë krijuar është në dëm të popullit serb”, ka thënë Jabllanoviq, transmeton Indeksonline.

Sipas tij veprimet e Listës Serbe janë duke u bërë vetëm për të tërhequr vëmendjen e publikut nga arrestimi i të dyshuarve për vrasjen e liderit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Tutje ai ka deklaruar se taksa 100% tregon paaftësinë e Listës Serbe për të arritur ndonjë gjë serioze për serbët në Kosovë.

“Partia e Serbëve të Kosovës e di që Lista Serbe ka fjetur në Parlamentin e Kosovës gjatë katër viteve të mëparshme dhe ne nuk shohim ndonjë përparim për ne serbët, në qoftë se ata qëndrojnë edhe një natë më shumë në këtë Parlament. Ne kërkojmë nga Lista Serbe, që mos të fshihen pas popullit serb dhe të mos detyrojnë njerëzit për organizim të protestave, por të detyrojnë partnerin e koalicionit, Haradinaj, të tërheqë vendimin për futjen e taksës 100% dhe të respektojnë vendimet e tyre të largohen nga institucionet e Kosovës dhe gjithashtu të tregojnë të paktën vendosshmëri në veprimtarinë e tyre politike, për të rimarrë të paktën pak dinjitet për hir të funksionimit kaq të gjatë”, thuhet tutje nga Partia e Serbëve të Kosovës.

Ndryshe deputetët e Listës Serbe janë mbyllur sot në zyrën e tyre në Kuvendin e Kosovës, në shenjë proteste ndaj taksës 100%, duke thënë se do të qëndrojnë aty deri në ardhjen e nesërme të komisonerit evropiane për Zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn.