Alternativa e përkrah dialogun me një kusht

Aktuale December 02, 2018 - 16:32
Lexo Detajet

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari, ka thënë se do ta përkrahin dialogun nëse fillimisht hiqet roli udhëheqës i Presidentit Hashim Thaçit, largohet tema e kufijve dhe tek pastaj do të përkrahin formimin e Ekipit Negociator.

Kusari këtë qëndrim e ka dhënë pasi Gazeta Express ka publikuar një draftrezolutë të PSD’së, e cila kërkon opozitës të jetë pjesë e dialogut dhe të bashkëkryesojë ekipin me bashkëkryesuesin e Qeverisë.

Ajo ka thënë se për Alternativën më e rëndësishmja është platforma e dialogut, heqja e rolit të Presidentit, heqja e temës së kufijve nga tryeza e diskutimeve.

“Në rast të tërheqjes së rolit të Presidentit dhe tërheqjes së tij nga temat që i ka pasur të trajtuara deri më tash, mund të diskutojmë pas miratimit të platformës. Alternativa vazhdon të mbetet prapa qëndrimit që tema e kufijve të mos diskutohet. Konsiderojmë se ajo temë është e mbyllur. e dyta, vazhdon me platformën dhe pastaj ridefinimin e roleve në dialogun. Kjo ka të bëjë me heqjen e Presidentit nga ky proces”, ka thënë ajo.

Partia e Mimoza Kusarit ka dy deputetë në Parlamentin e Kosovës dhe është pjesë e opozitës.

Sipas Kusarit, pa u bashkuar partitë shqiptarë nuk do të mund të ketë sukses asnjë ekip dhe dialog me Serbinë.

 “Së pari duhet platforma pastaj ekipi.Vetëm një zgjidhje e përbashkët e të gjitha partive shqiptare në Kuvendin e Kosovës mund të sjell një zgjidhje të qëndrueshme për dialogun”, ka thënë Kusari për

Partia Socialdemokrate ka dërguar një Projektrezolutë me të cilën synon që opozitës t’ia japë gjysmën e pushtetit në dialogun me Serbinë kurse gjysmën tjetër pushtetit. Ka propozuar bashkëkryesues të dialogut.

“Delegacioni Shtetëror do të bashkë-drejtohet barabarësisht prej (dy) përfaqësuesve që vijnë nga radhët e opozitës parlamentare dhe nga koalicionit qeveritar. Një përfaqësues nga shoqëria civile do të jetë anëtar i rregullt i Delegacionit Shtetëror”, thuhet në propozimin e PSD’së dërguar Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, Nënkryetarëve dhe Shefave të grupeve parlamentare.

Ndërkohë, Shefi i deputetëve të LDK’së, Avdullah Hoti, ka thënë se duhet të ketë zgjedhje e jo bashkëngjitje të opozitës në dialogun me Serbinë.

Aktualisht, dialogu final me Serbinë ka filluar ndërmjet Presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksander Vucic.

Qeveria e Kosovës ka propozuar një ekip dialogues me në krye Fatmir Limajn, i cili ka refuzuar të nisë punën pa e bërë pjesë edhe opozitën.

Zyrtarët e Kosovës dhe të Serbisë kanë thënë se kjo është faza finale e dialogut në të cilën do të ketë një Marrëveshje finale.

Deri më tash, Presidenti Thaçi ka thënë se do të ketë korrigjim dhe ndryshim të kufijve, njohje të Kosovës dhe anëtarësim në OKB. Madje, ka thënë se Kosovës do t’i bashkohet edhe Lugina e Preshevës.

Pala serbe kanë thënë se në kuadër të dialogut do të zyrtarizojnë marrjen e Veriut të Kosovës.

Situata është komplikuar edhe më shumë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’iu vendosur taksë 100 për qind produkteve serbe. Pas kësaj, Serbia ka thënë se nuk do të ketë dialog derisa është në fuqi kjo masë.

Ndërkohë, në katër komunat veriore, Kryetarët e Komunave kanë dhënë dorëheqje, duke krijuar një situatë të re, në të cilën pritet të shpallen zgjedhjet bazuar në Ligj dhe Kushtetutë.