Në komunat veriore nuk ka krizë humanitare

Aktuale December 02, 2018 - 15:45
Lexo detajet

Nënkryetari i Mitrovicës Fatmir Mujka ka demantuar deklaratat e serbëve të veriut dhe të mediave në Serbi që në komunat veriore të Kosovës ka krizë humanitare. Mujka ka thënë që as në Mitrovicën veriore por as në komunat tjera veriore nuk ka krizë humanitare, transmeton “Zëri.info”.

“Në komunën  veriore të Mitrovicës, por edhe në komunat tjera veriore, nuk ka krizë humanitare.  Atje ka trysni të shtuar të Beogradit dhe të strukturave paralele të Serbisë. Jo krizë humanitare por frikësim për nënshtrim, mund të quhet gjendja atje”, ka shkruar Mujka.

Ai ka shkruar që në rast nevoje për qytetarët në këto komuna, Mitrovica Jugore është në gjendje që të i ndihmojë ata.

“E nëse ndonjë qytetar serb në veri të Ibrit ka mbetur pa ilaçe ose përkujdesje mjekësore, ne si komunë e Mitrovicës sigurisht që mund t'ju ndihmojmë. Ne shërbejmë publikun dhe nuk bëjmë dallime etnike.  Andaj i ftojmë bashkëqytetarët serbë që lirisht të na drejtohen neve për shërbimet që nuk ua ofron komuna në veri për shkak të dorëheqjeve të dirigjuara e të orkestruara atje.  Do ta bëjmë maksimumin, pa diskriminim”, përfundon shkrim i Mujkes në “Facebook”. /ZËRI