Mediat serbe: Hahn shkon pa paralajmërim në Beograd, para Prishtinës

Aktuale December 02, 2018 - 15:35
Lexo detajet

Komisioneri Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn para se të vijë në Prishtinë do të qëndrojë në Beograd për të biseduar me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq shkruan Tanjug.

Diçka të tillë nuk ka paralajmëruar komisioneri Hahn, madje nuk e ka as në agjendën e tij që është publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Evropian.

Lajmin se Hahn do të qëndrojë fillimisht në Beograd e pastaj do të niset për Prishtinë, e kanë dhënë për “Tanjug”,  burime brenda Komisionit Evropian, transmeton insajderi.

“Komisari do të përsëris qëndrimin e BE-së, do t’u bëjë thirrje në tërheqjen e masave dhe të paraqes nevojën që të përqendrohen në përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe në bashkëpunimin rajonal që janë parime që i kanë pranuar edhe Kosova edhe të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor”, është thënë për “Tanjugun” nga Komisioni Evropian.

Ndryshe, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë hyrë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës ku janë duke qëndruar deri në ardhjen e komisarit evropian, Johannes Hahn.

Presidenti i kësaj Liste, Goran Rakiq, ka njoftuar se pas takimit të jashtëzakonshëm të të ashtuquajturit shtab i krizës në Mitrovicë, deputetët serbë kanë hyrë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

“Momentalisht jemi duke u kthyer nga takimi i shtabit të krizave dhe dëshiroj të ju njoftoj se përfaqësuesit e Listës Serbe kanë hyrë në Kuvend në Prishtinë ku do të qëndrojnë deri në ardhjen e Hahnit të cilin do ta njoftojmë me hapat anti-serbë që çojnë kah katastrofa humanitare”, ka thënë Rakiqi, raporton televizioni publik serb.