Thaçi ngushëllon popullin amerikan për vdekjen e Bushit

Aktuale December 01, 2018 - 09:37
Lexo tjera detaje

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ish presidentit amerikan  George H.W. Bush.

I pari i Kosovës ka thënë se atë bota do ta kujtojnë si patriot të pashoq dhe shembull të përkushtimit për të punuar për fuqizimin e demokracisë botërore dhe përhapjen e vlerave të lirisë.

Thaçi ka shtuar se Kosova dhe shqiptarët do ta kujtojnë si president të parë, që qysh në fillim të viteve ‘90 ia bëri shumë qartë regjimit të Milosheviqit, me Vërejtjen e Kërshëndellave, se Kosova është vijë e kuqe për SHBA.

Ky është shkrimi i plotë i Thaçit.

Popullit amerikan, në emër të qytetarëve të Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për vdekjen e Presidentit të 41-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H.W. Bush. SHBA dhe bota do ta kujtojnë si patriot të pashoq dhe shembull të përkushtimit për të punuar për fuqizimin e demokracisë botërore dhe përhapjen e vlerave të lirisë. Kosova dhe shqiptarët do ta kujtojnë si president të parë, që qysh në fillim të viteve ‘90 ia bëri shumë qartë regjimit të Milosheviqit, me Vërejtjen e Kërshëndellave, se Kosova është vijë e kuqe për SHBA. Bashkëndjejmë me familjen Bush dhe tërë popullin amerikan në këtë humbje të madhe. HTH