Qeveria nuk i njeh dorëheqjet e kryetarëve nga veriu

Aktuale December 01, 2018 - 08:09
Lexo tjera detaje
Image

Qeveria e Kosovës nuk pritet t’i pranojë dorëheqjet e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës: Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, ndonëse ata tashmë i kanë dorëzuar letrat në Ministrinë e Administrimit dhe të Pushtetit Lokal (MAPL). Kjo pasi në dokumentet e dorëheqjeve ata i janë referuar Kosovës me termin “Kosova dhe Metohija”. Kështu kanë bërë të ditura burimet e gazetës “Zëri”, sipas të cilave thuhet se zyrtarët e lartë të Qeverisë i kanë cilësuar si jolegjitime dorëheqjet në fjalë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Të kontaktuar nga gazeta “Zëri” zyrtarë të MAPL-së kanë thënë se nuk kanë informacion rreth kësaj çështjeje, ndonëse kanë pohuar se dorëheqjet tashmë janë dorëzuar në këtë dikaster qeveritar. Por megjithëkëtë vetë kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se dorëheqjet e ministrave të komunitetit serb nuk janë definitive. Në anën tjetër, nga MAPL-ja kanë thënë se dorëheqjet e kryetarëve të komunave janë të pakthyeshme.

Haradinaj: Dorëheqjet nuk janë definitive

Pavarësisht se tashmë kanë kaluar katër ditë prejse kryetarët e katër komunave veriore kanë dhënë dorëheqje, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë gjatë ditës së djeshme se dorëheqjet e kryetarëve në fjalë aktualisht janë duke u shqyrtuar. Sipas tij, ende nuk mund të thuhet saktë nëse dorëheqjet në fjalë mund të cilësohen si të tilla. “Dorëheqjet janë e drejtë e kryetarëve ose të zgjedhurve. Por është një procedurë, një protokoll i cili duhet të ndiqet. Ne jemi duke i shqyrtuar ato, nuk e dimë se a kualifikohen këto dorëheqje si të tilla, si dorëheqje. Por do t’i shqyrtojmë. Nuk janë definitive ato”, ka potencuar shefi i ekzekutivit.

Dorëheqjet e katër kryetarëve të komunave veriore kanë ardhur pas rritjes së taksës prej 100 për qind nga ana e Qeverisë së Kosovës ndaj produkteve serbe.

Dorëheqjet janë dorëzuar, MAPL-ja s’ka informacione për përmbajtjen

Por nga Ministria e Pushtetit të Administrimit Lokal (MAPL) nuk janë në dijeni rreth përmbajtjes së dokumenteve të dorëheqjeve.

I pyetur nëse në dokumentet e dorëheqjeve kryetarët në fjalë i janë drejtuar Kosovës me “Kosova dhe Metohija” zëvendësministri i MAPL-së, Beqir Fejzullahu, ka thënë se nuk ka informacion mbi këtë çështje. Megjithëkëtë, ai ka pohuar se në MAPL kanë mbërritur dorëheqjet e kryetarëve të katër komunave veriore.

“Për atë nuk kam informacion. Kam informacion zyrtar që dje kanë mbërritur në Ministri dorëheqjet dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është e obliguar ligjërisht të fillojë me procedurat, kuptohet te zyra e kryetarit të shtetit, kryetari i shtetit me KQZ-në, në bazë të Ligjit për Zgjedhjet Lokale t’i shpallin zgjedhjet”, ka deklaruar ai.

Gjersa kryetarët në fjalë janë zgjedhur me Ligjin për Zgjedhjet Lokale të Kosovës, sipas Fejzullahut ata do të duhej që në mënyrë të njëjtë ta adresonin dorëheqjen e tyre, në përputhje me ligjet dhe me Kushtetutën e vendit. “Derisa ata janë zgjedhur me atë ligj dhe kanë dhënë betimin, do të ishte e rrugës që edhe dorëheqja të adresohet ashtu siç është me ligj dhe me Kushtetutë”, ka theksuar ai.

Por pavarësisht kësaj, zëvendësministri i MAPL-së ka thënë se dorëheqjet sipas ligjit janë të pakthyeshme.

“Megjithatë dorëheqjet në bazë të Ligjit për Qeverisje Lokale janë të pakthyeshme, sepse mandati i kryetarit përfundon me përfundimin e mandatit, me vdekje, me dhënie të dorëheqjes dhe me shkarkim. Në këtë rast një prej kushteve të ndërprerjes së mandatit të kryetarit është edhe dorëheqja e kryetarit”, është shprehur Fejzullahu për “Zërin”.  

Hapat që duhet t’i ndërmarrë Qeveria

Teksa ka folur rreth kësaj çështjeje, edhe njohësi i çështjeve politike Ramush Tahiri ka thënë se dorëheqjet janë të parevokueshme, pavarësisht përmbajtjes së dokumenteve të dorëheqjeve. “Dorëheqjet janë të parevokueshme në momentin që dorëzohen me shkrim dhe pranohen. Rregullat ligjore janë të qarta, që duhet të shpallen zgjedhjet nga presidenti, ato shpallen nga presidenti pasi të dërgohet letra prej Ministrisë. Ministria duhet ta njoftojë presidentin dhe t’ia dërgojë letrën që të mbahen zgjedhjet”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, dorëheqjet nuk mund të refuzohen nëse në to shkruan “Kosova dhe Metohija”. “Nuk mund t’i refuzosh për atë arsye se teksti nuk është në rregull. Qëndrimi i serbëve për ‘Kosovë e Metohi’ tashmë është i njohur, njihet prej fillimit. Nuk është vetëm tash. Ata edhe me fjalime në Kuvend, në takime e thonë këtë”, ka shtuar Tahiri.

Duke e cilësuar situatën politike tejet të keqe, ai ka vlerësuar se Qeveria duhet të ndërmarrë masa sa më shpejt, në mënyrë që ta zgjidhë këtë çështje. “Qeveria duhet ta ndërmarrë hapin politik para se ta ndërmarrë hapin ligjor. Kryeministri ose një pjesë e Qeverisë duhet të shkojnë në veri, ta takojë një delegacion të tyre, të bisedojnë me banorë dhe ta zgjidhin çështjen”, është shprehur ai.

Ndonëse në këto komuna duhet të organizohen zgjedhje, Tahiri ka konsideruar se kryetarët e rinj nuk mund të zgjidhen në rrethanat e tanishme. “S’ka mundësi fare të zgjidhen kryetarët, pasi banorët e bojkotojnë dhe aty edhe të fitojë ndonjë parti tjetër që nuk është e partive serbe nuk quhet legjitime sepse është një kuotë e cila duhet të pranohet”, ka potencuar ai.  

Në anën tjetër, teksa ka folur për dorëheqjet e kryetarëve të komunave veriore shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se vendi deri te një situatë e tillë ka ardhur si pasojë e veprimeve të presidentit Hashim Thaçi dhe të kryeministrit Ramush Haradinaj. “Kriza gjatë javëve të fundit ka eskaluar me dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave në veri dhe me vendosjen e taksës prej 100% ndaj produkteve serbe. Kjo situatë ka ardhur si rezultat i dy gjërave, e para me angazhimin e presidentit të vendit për korrigjim të kufijve të vendit pa mandat dhe nga mosveprimi i kryeministrit në përputhje me kompetencat që ka ai. Kjo i shkon përshtati vetëm Serbisë për t’i implementuar hapat për ndarjen e vendit”, ka theksuar Hoti./ZËRI