Bahtiri shfrytëzon situatën në veri, tenton të bëhet bajraktar i Mitrovicës së bashkuar

Aktuale November 30, 2018 - 17:40
Lexo tjera detaje

Agim Bahtiri po tenton t’i shfrytëzojë dorëheqjet e kryetarëve të komunave veriore të Mitrovicës, në mënyrë që të udhëheqë vetë në të dy pjesët, atë jugore e veriore. Por, ideja e tij si kryetar i Mitrovicës së bashkuar nuk dihet se a do ta marrë edhe bekimin e fundit që i nevojitet me shumicën e votave në Kuvend. Kryeministri Haradinaj tha se ky vendim nuk i takon Bahtirit, e partitë politike, të deklaruara për Express, kanë qëndrime të ndryshme.

Agim Bahtiri po tenton që ta marrë mbi supe misionin e bashkimit të Mitrovicës së jugut me atë të veriut. E këtë punë bajraktari i shqiptarëve thotë se po e bën në bashkëpunim me liderët kosovarë, edhe pse këta të fundit po shprehen ndryshe.

Hapin e parë drejt këtij bashkimi e bëri sot, duke shfrytëzuar tensionimin e situatës në veri. Gjersa ajo pjesë ka mbetur pa një udhëheqës, Bahtiri ka kërkuar shfuqizimin e vendimit që e ndan komunën, ashtu që ai të udhëheqë në Mitrovicën e bashkuar.

Kjo sipas tij u bë pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, e në mënyrë që qytetarët e asaj ane të mos kenë asnjë problem.

Idenë e dha edhe para të parit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit, teksa po vizitonin kullën e Isa Boletinit. E njëjta kaloi sot edhe në Kuvendin Komunal të Mitrovicës.

Me vota unanime pro-rezolutës u votua për t’i kërkuar kështu Qeverisë ndryshimin e disa neneve të ligjit, me anë të të cilit do të kërkojnë edhe bashkimin e qytetit.

Bahtiri pas përfundimit të mbledhjes u deklarua se për idenë e tij e dinte kryetari i partisë së tij Behgjet Pacolli, e edhe liderët e tjerë, por, i pari i qeverisë po del të thotë ndryshe.

Kryeministri, Ramush Haradinaj, tha se për këtë bashkim vendim mund të marrë vetëm niveli qendror, duke shtuar se rezoluta e miratuar nuk u takon anëtarëve të Kuvendit komunal të Mitrovicës së jugut.

“Vendimet e karakterit të tillë janë nacionale dhe vetëm niveli nacional mund të merr vendim”, ka përfunduar Haradinaj.

Megjithëse Bahtiri kërkoi pas mbledhjes përkrahje nga Qeveria e Parlamenti, disponimi për këtë temë nuk qëndron njëjtë te partitë politike.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shefi i grupit parlamentar, Ahmet Isufi, ka thënë për Gazetën Express se ende nuk kanë vendim për këtë çështje.

“Ne do të shqyrtojmë propozimin në grup parlamentar dhe pastaj do të dalim me qëndrim zyrtar.”

E sa i përket bisedave që mund të ketë bërë Bahtiri me liderin e AAK’së, Isufi ka thënë se nuk ka këtë informacion.

Tjetër qëndrim kanë në Lëvizjen Vetëvendosje. Deputeti Rexhep Selimi ka thënë për Gazetën Express se sa i përket kësaj teme kanë qëndrim të njëjtë, që do të thotë se qysh në fillim ndarja ishte gabim.

“Kemi qëndrimin e njëjtë sa i përket kësaj teme. Ndarja e Mitrovicës ka qenë e pabazuar as në nevojat e qytetarëve dhe ka qenë e padrejtë. Gjithsesi do ta votojmë. Përderisa vetë ndarja ka qenë e padrejtë, ribashkimi do të jetë korrigjim i një padrejtësie”, përfundoi Selimi.

Ndërkaq, e pamundur kjo po shihet nga ata që e monitorojnë punën e Kuvendit të Kosovës.

Artan Murati nga KDI thotë se kjo që po synon Agim Bahtiri është vështirë e realizueshme pasi që do votat e shumicës, e momentalisht kuvendi po përballet me mungesë të kuorumit.

“Kjo iniciativë e Kryetarit të Mitrovicës së Jugut më tepër shërben për të nxitur debat medial, sesa që mund të trajtohet praktikisht. Çështja e ndarjes së Mitrovicës në Jug e Veri ka qenë e diskutuar tash e sa vite, kurse formalizimi i ndarjes me kufijtë administrativ ndonëse mund të konsiderohet i dhimbshëm për shqiptarët, praktikisht është një çështje e kryer. Edhe nëse do të ketë një nismë për amendamentim të ligjit në Kuvend, proceduralisht do të ishte e vështirë të ndryshohej ligji duke pasur parasysh se duhet shumicë e kualifikuar për të ndryshuar këtë ligj, kurse Kuvendi nuk është duke funksionuar normalisht tash e sa kohë për shkak të mungesës së kuorumit. Për më tepër, kjo çështje ka edhe implikime politike pasi që do të sillte reagime e tensionim potencial të situatës në pjesën veriore të vendit”, ka thënë Murati.

Për njohësit e çështjeve politike, ky është vetëm reflektim i situatës që po mbretëron në Mitrovicë.

“Kjo nismë është reflektim i ndjenjave në Mitrovicë, në kuptimin se atje frika se çfarë do të sjellin negociatat e reja me Serbinë është më e madhe dhe është më praktike. Në Mitrovicë është shumë më e prekshme frika nga ndarja e mundshme jo vetëm e Mitrovicës por edhe pjesëve të tjera në veri. Për ta, për dallim nga pjesa tjetër e Kosovës dhe politikanët në pushtet më veriun e Zveçanin, Leposaviqin e Zubin Potokun, lidhja është direkte madje edhe emotive. I kanë shkelë ato pjesë dhe kanë lidhje emotive me to. Si e këtillë ajo është edhe më e papranueshme”, ka thënë analisti Astrit Gashi.

Kjo ide sipas Gashit nuk po pritet mirë në Mitrovicë.

“Agim Bahtiri vetëm e shfrytëzon këtë ndjesi dhe tenton të fitoj kapital politik duke u ushqyer nga kjo ndjesi dhe duke e ushqyer edhe ai vet atë. Prandaj edhe kjo rezolutë që u përkrah sot në Kuvend duhet të shihet kështu. Një shprehje e një vullneti qytetar dhe një shfrytëzim i këtij vullneti qytetar për poenta politike. Pasi që si rezolutë nuk përmban asnjë fuqi ligjore dhe as obliguese”, ka përfunduar Gashi.

Problemi i definimit të kufijve administrativë ndërmjet dy komunave të jugut dhe veriut të Mitrovicës, pati dalë në sipërfaqe, pak ditë para fillimit të punimeve për rivitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, që nënkuptonte edhe heqjen e barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes”.

Marrëveshja që do të definonte këtë kufi nuk pati mundur të arrijë në dakordim për një kohë të gjatë.

Kryetari i Komunës së Veriut, Goran Rakiq atë kohë nuk pranonte asnjë lloj bashkëpunimi duke refuzuar nënshkrim, në rast se Suhadolli edhe disa fshatra shqiptare, përfshirë edhe rrjedhën e lumit Ibër nuk do t’i bashkangjiteshin veriut.

Se nga kalonte kufiri administrativ i komunës së Mitrovicës, veriut e jugut, qe përcaktuar nga një hartë që kishte dalë nga dokumenti i Marti Ahtisaarit.

Sipas nenit për kufijtë administrativë të komunave, pika “3.3 Kufiri në mes Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe Komunës Mitrovica e Jugut do të jetë vija e përcaktuar që do të kalojë nëpër zonën kadastrale të Suhodollit, nga ku edhe thuhet se komunat mund të ushtrojnë ankesë në Gjykatën Kushtetuese nëse nuk janë të kënaqur me vendimin mbi mosmarrëveshjet mbi kufijtë administrative./Express