'Bashkimi kombëtar mund të sjell luftë'

Aktuale November 29, 2018 - 22:25
Lexo detajet

Analisti Fatos Lubonja ka komentuar deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për Bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.

Lubonja tha në emisionin “Të Paekspozuarit”, në News24, se ky projekt, bie ndesh me projektin europian, të bashkimit të dy vendeve, brenda BE-së. 

“Ky takim dhe gjithë kjo simbolikë, gjithë kjo butafori nacionaliste, fsheh një dështim edhe më të madh se sa ky. Fsheh dështimin e një projekti, që me fjalët e Edi Ramës dikur përmblidhej ndryshe. Ky thotë që në 2025, ne do të bashkohemi dhe nënteksti ishte që do apo nuk do Europa, ne do të bëjmë një lloj bashkimi. Ndërkohë që, vizioni i paraqitur më parë, ka qenë “Së bashku nën qiellin e Europës.

Nuk u vu theksi tek projekti Europian, që na përfshin ne shqiptarët, këtej dhe andej kufirit, edhe me defektet që kemi. Por, nuk flitet për përgjegjësinë tonë, por vihet theksi tek dështimi i Europës. Sikur mosafrimi ynë drejt Be-së, më së shumti është problem i tyre, sepse ne i kemi bërë detyrat. Kjo është e para që për mua ështe e gabuar. Nëse sot nuk jemi pjesë e BE-së, duhet të shohim përgjegjësitë tona. Të shikojmë se çfarë kemi bërë në vendin tonë. Dështimet jane dhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Në Shqipëri, dështimi ka të bëjë me ndërtimin e një shteti të kapur nga krimi, që është jashtë çdo standarti europian.

Dështim tjetër i madh që ka Kosova, që nuk e ka Shqipëria, sipas mendimit tim, është edhe kjo që na tregon projekti i ndryshimit të kufijve. Nëse ne kemi patur vizionin e një Europe, ku kufijtë fillojnë dhe humbasin rëndësinë në emër të një Europe të qytetarit, të një Europe, që je edhe europian por edhe shqiptar, edhe europian por edhe serb.

I gjithë ky projekt duket se dështon dhe në kthehemi tek projekti i vjetër, nacionalist, të Shqipërise se Madhe, të Serbisë së Madhe, të Kroacisë së Madhe. Nuk mund ta shohim këtë projekt të bashkimit të shqiptarëve, në mënyrë autonome nga të tjerët Shqiptarët, tani po sfidojnë të gjtihë fqinjët rreth e rrotull, asnjë nuk e do luftën, por nëse na dështon projekti europian dhe këta amerikanët dhe europianët, thonë zgjidheni vetë. Askush nuk na garanton që kjo “zgjidheni vetë” të mos jetë siç bën Rusia me Ukrainën, askush nuk na siguron që nuk do të shkojmë në konflikte që janë shumë serioze. Jemi gati për luftë ne? Se këta na kanë bërë që të ikim, këta na kanë tjetërsuar vendin tonë duke na grabitur”- tha Lubonja.