Lufta tregtare, parë nga këndvështrimi i dy mediave më të rëndësishme të Kosovës dhe Serbisë!

Aktuale November 29, 2018 - 19:58
Lexo detajet

Kosova nuk lëkundet nga taksa 100% mbi çdo produkt të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, ndërsa kryeministri serb ka shprehur hapur kërkesën për tërheqjen e vendimit. Përtej retorikave politike dhe nacionaliste, apo sadopak dhe si raportuese të tyre, është qëndrimi i mediave nga të dyja vendet, “Tanjug” i Serbisë dhe “Zëri.info” i Kosovës. Të pyetur nga SCAN, drejtuesit e dy redaksive, shprehin qëndrime diametralisht të kundërta lidhur me këtë vendim. E vetmja pikë ku mendimet e tyre bashkohen është marrëdhënia me Shqipërinë.

Kryeredaktorja e “ Tanjug”, Branka Djukic, pranon se taksa do të ketë impakt mbi ekonominë serbe, por thekson se pasojat nuk janë të konsiderueshme. Shqetësimi kryesor, sipas saj, lidhet me “standardin e jetesës së serbëve të Kosovës dhe Metohijës”, pasi kjo është pjesa e popullsisë që do të preket më shumë. Nga ana tjetër, Lavdim Hamidi nga gazeta Zëri, shprehet se taksa është një goditje e rëndë për ekonominë e shtetit serb.

Ai kujton se shumë biznese serbe kryesisht të industrisë ushqimore dhe asaj të ndërtimit, kanë krijuar linja prodhimi të dedikuara për tregun e Kosovës.  “Kosova deri më tani ka eksportuar fare pak produkte në Serbi, kryesisht metale, ndërsa ka importuar mallra në vlerë prej mbi 400 milionë euro”, shprehet Hamidi

Në anën tjetër sipas Djukic, vendosja e kësaj takse, përkthehet si një braktisje e dialogut Prishtinë- Beograd nga ana e Kosovës. Ndërkohë me sa duket kryeministri Haradinaj nuk ka ndërmend të tërhiqet nga vendimi, ndërsa Beogradi nuk do e vazhdojë dialogun deri në anulimin e taksës.

“Më duhet të shtoj që më duket e pabesueshme që po mbështeten akuzat se Beogradi është fajtor për dështimin e Kosovës në anëtarësimin në Interpol. Përfaqësuesit tanë luftuan për të mbrojtur interesat dhe integritetin e vendit të tyre. A është kjo e ndaluar? Ata nuk premtuan në asnjë vend që nuk do të merrnin masa për këtë gjë. Është e drejta e tyre, por edhe detyrimi”, thekson Djukic.

Nga ana tjetër, Hamidi, shprehet se pala kosovare ka një zhgënjim të madh te BE-ja, të cilën e fajëson për izolimin e vendit.

“Sa i përket pasojave në procesin e integrimit, taksa nuk do të vendosej pa pëlqimin e ndërkombëtarëve sikur BE-ja ta mbante premtimin për heqjen e vizave për kosovarët, pasi Komisioni Evropian ka disa muaj që ka vlerësuar se vendi i ka përmbushur të gjitha kriteret për heqjen e vizave”, thotë ai.

Dy aktorët e rëndësishëm të medias kanë folur gjithashtu edhe për atë që shihet si shkëndija e kësaj lufte ekonomike: çmimet dumping dhe marrëveshja CEFTA. Djukic mohon të ketë pasur çmime të tilla në tregun e Kosovës, por pranon se çmimet e produkteve serbe ishin më të ulëta se ato të produkteve vendase. Sipas saj, arsyeja kryesore është kapaciteti dhe sasia e lartë e prodhimit që lejon uljen e çmimeve.

Sa i përket këtij aspekti, kryeredaktori i gazetës Zëri sjell në vëmendje faktin që Serbia, por edhe Bosnja, nuk kanë respektuar marrëveshjet mbi procedurat doganore, përkatësisht ato që lidhen me vulat doganore. Njëkohësisht,  nuk janë njohur as analizat e testimit të eksportuesve kosovarë,  certifikatat e origjinës të lëshuar nga autoritetet e Kosovës etj. Sipas Hamidit, Serbia prej vitesh shkelur marrëveshjen CEFTA.

Në gjithë këtë përplasje idesh, duket se e vetmja pikë ku bashkohen Hamidi dhe Djukic, është qëndrimi në lidhje me Shqipërinë. Kryeredaktorja e Tanjug thekson bashkëpunimin dypalësh që ka ekzistuar midis Shqipërisë dhe Serbisë duke shtuar gjithashtu se shpreson të mos ketë ndryshime. Ndërsa nga ana e drejtuesit të gazetës Zëri, këto barriera ekonomike ndaj Serbisë do të duhej të shfrytëzoheshin fillimisht nga bizneset shqiptare për t’i shitur në tregun e Kosovës, duke u rritur kështu shkëmbimi tregtar mes dy vendeve.

“Shqipëria mund t’i shesë Kosovës më shumë produkte bujqësore, për shkak të klimës më të favorshme, etj. Vlen të preket fakti se Shqipëria eksporton mallra në Kosovë trefish më pak se sa eksporton Serbia”, përfundon Hamidi.

Deklaratat e përfaqësuesve, institucioneve dhe mediave kryesore në të dyja vendet, parashikojnë se “lufta tregtare” e saponisur, nuk do përfundojë shpejt. Por, ndërkohë që Kosova dhe Shqipëria, pas takimit në Pejë, shkojnë drejt njëra-tjetrës, ajo që mbetet të shohim është se cilin drejtim do të ndjekë shteti serb.

Image

Intervistë me Lavdim Hamidi, Kryeredaktor i “Zëri” 

Çfarë ndikimi do ketë taksa në ekonominë  e Kosovës, në terma të import-eksportit? Cilët sektorë do preken më shumë?

Taksa prej 100%  e vendosur ditë më parë nga Qeveria e Kosovës për produket e Serbisë është një goditje e rëndë për ekonominë e shtetit fqinj, pasi që Kosova për gati dy dekada ka qenë një treg shumë i rëndësishëm për bizneset serbe.

Këtë gjë e kanë pranuar së fundi edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrja Ana Bërnabiç, sipas të cilëve kjo taksë po e rrezikon ekonominë e tyre, pasi që
Serbia eskporton mbi 400 milionë euro mallra gjatë vitit në Kosovë, përderisa eksporti i Kosovës drejt Serbisë nuk është më i lartë se 48 milionë euro në vit, apo rreth 10 % e importeve të përgjithshme nga Serbia.

Pra, Kosova deri më tani ka eksportuar fare pak produkte në Serbi, kryesisht metale, ndërsa ka importuar mallra në vlerë prej mbi 400 milionë euro. Sektorët që do të preken më së shumti nga kjo taksë janë industria ushqimore dhe ajo ndërtimore në Serbi.

Çfarë ndikimi mendoni se do ketë taksa në ekonominë e Serbisë?

Efekti negativ i kësaj takse do të jetë i madh për ekonominë e Serbinë, pasi që shumë biznese kanë prodhuar vetëm për tregun e Kosovës dhe nëse zgjat me muaj zbatimi i kësaj mase doganore të njejtat rrezikojnë të mbyllen, apo të reduktojnë numrin e punëtorëve. Siç e ceka më lart, sektorët që do të preken më së shumti nga kjo taksë janë industria ushqimore dhe ajo ndërtimore në Serbi, të cilat kanë pasur linja të veçanta prodhuese për tregun e Kosovës, apo kontrata afatgjate për shitje të mallrave.

Cilat do të jenë pasojat përsa i përket dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit? Më tej, cilat do të jenë pasojat sa i përket procesit të integrimit? 

Taksa prej 100 % normalisht se do të ketë pasoja në dialogun e nisur më herët mes Prishtinës dhe Beogradit. Pala serbe ka deklaruar tashmë se nuk do të takohet në Bruksel me homologët kosovarë pa u hequr taksa ndaj mallrave serbe. Edhe zyrtarët e lartë në Bruksel kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës ta heqë urgjentisht një taksë të tillë, në mënyrë që kjo e fundit mos të bëhet pengesë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Sa i përket pasojave në procesin e integrimit, taksa nuk do të vendosej pa pëlqimin e ndërkombëtarëve sikur BE-ja ta mbante premtimin për heqjen e vizave për kosovarët, pasi Komisioni Evropian ka disa muaj që ka vlerësuar se vendi i ka përmbushur të gjitha kriteret për heqjen e vizave. Votimi pro heqjes së vizave ka kaluar edhe në Parlamentin Evropian. Por, pengesa kryesore ka dalë Këshilli i Ministrave të BE-së, i cili nuk ka gatishmëri të votojë sivjet për heqjen e vizave, prandaj pala kosovare ka një zhgënjim të madh te BE-ja, të cilën e fajëson për izolimin e vendit.

Cili mendoni se do të jetë hapi i ardhshëm që duhet të ndiqet nga qeveria e Kosovës? Po nga ajo e Serbisë? 

Për shkak të pengesave politike që po i bën Serbia Kosovës për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, siç ishte rasti i fundit me INTERPOL, më herët me UNESCO, lobimin te vendet e ndryshme për heqjen e njohjeve ndërkombëare, vendimi për taksën është përkrahur nga të gjitha partitë politike në vend, pozitë-opozitë.

Por, Qeveria e Kosovës si duket nuk është përgatitur sa duhet në zëvendësimin e produkteve serbe, pasi që tregtarët kanë filluar t’i ngrisin çmimet e disa artikujve, kryesisht bukës, miellit, çmime këto që afektojnë më shumë shtresën e varfër.

Qeveria e Kosovës do të duhej ta kishte planifikuar mirë vendosjen e taksës, kryesisht duke dialoguar më herët me bizneset për zëvendësimin e produkteve serbe dhe njëkohësisht duke mos u dorëzuar karshi presioneve të ndryshme pa i arritur qëllimet politike, pasi që dihet  motivi kryesor i taksës është politik.

A mendoni se do të ketë një kundërpërgjigje nga ana e palës serbe?

Po mund të ketë kundërpërgjigje nga pala serbe, por jo të tilla që do ta afektojnë shumë ekonominë e Kosovës. Interesi i Serbisë është ta ruajë tregun e Kosovës, por nëse taksa qëndron një periudhë jo afatshkurtër besoj se dëmi në ekonominë e saj do të arrihet, pasi që konsumatorët kosovarë do të mësohen edhe me produktet vendore dhe mallrat joserbe.

Përsa i përket Shqipërisë, në opinionin tuaj, sa i rrit kjo taksë shanset për të hyrë në tregun e Kosovës? Dhe nëse po, cilët sektorë? 

Kosova dhe Shqipëria do të mund të bashkëpunonin shumë më mirë, por fatkeqësisht deri më tani një gjë e tillë nuk është dëshmuar. Patatja nga Kosova disa herë ka pasur shumë vështirësi të arrijë tregun e Shqipërisë, siç ka pasur pengesa  për për disa produkte nga Shqipëria në tregun e Kosovës. Këto barriera ekonomike ndaj Serbisë mendoj se do të duhej të shfrytëzoheshin fillimisht nga bizneset shqiptare për t’i shitur në tregun e Kosovës, duke u rritur kështu shkëmbimi tregtar mes dy vendeve. Shqipëria mund t’i shesë Kosovës më shumë produkte bujqësore, për shkak të klimës më të favorshme, etj. Vlen të ceket fakti se Shqipëria eksporton mallra në Kosovë trefish më pak se që eksporton Serbia.

Qeveria e Kosovës ka akuzuar qeverinë serbe se kanë praktikuar çmime dumping në tregun e Kosovës? Ku mbështeten këto akuza? Nëse janë të vërteta, a është kjo një shkelje e marrëveshjes CEFTA?

 Marrëveshjen e CEFTA-s vazhdimisht e ka shkelur Serbia, por edhe Bosnja, duke refuzuar të respektojë marrëveshjet mbi procedurat doganore, përkatësisht ato që lidhen me vulat doganore.

Autoritetet serbe dhe boshnjake nuk i njohin analizat e testimit të eksportuesve kosovarë, nuk i njohin certifikatat e origjinës të lëshuar nga autoritetet e Kosovës dhe kërkojnë një vërtetim të origjinës së mallrave që lëshohet nga një autoritet serb, etj.

Pra, marrëveshja e CEFTA-s nuk është se nuk respektohet nga njëra palë, por e njëjta është shkelur në vazhdimësi nga pala tjetër.

Çfarë mund të bëjë qeveria e Kosovës për të zbutur efektet e taksës mbi konsumatorët? 

Qeveria e Kosovës nuk duhet të vetëkënaqet nga kjo mbështetje e përgjithshme për taksën ndaj mallrave serbe, por duhet të marrë masa konkrete për mbrojtje të konsumatorëve nga fryrja artificiale e çmimeve nga tregtarët e papërgjegjshëm dhe njëkohësisht të ofrojë subvencione konkrete për prodhuesit vendorë.

Por, ditët e para të vendosjes së kësaj takse e kanë treguar të kundërtën, pasi që çmimi i bukës është shtrenjtuar për 33% për shkak se mielli importohet kryesisht nga Serbia dhe njëkohësisht ka pasur reduktime drastike të energjisë elektrike, të cilat normalisht e dëmtojnë prodhimin vendor.
Nëse nga vendosja e kësaj takse nuk mbrohen konsumatorët dhe njëkohësisht nuk ndihmohet prodhimi vendor, atëherë vlerësoj se do të ketë edhe presione të brendshme ndaj Qeverisë, e jo vetëm nga jashtë.

A e mbështesni deklaratën e z. Haradinaj për të mos u tërhequr deri në momentin kur Serbia të njohë pavarësinë  e Kosovës? 

Nuk jam i sigurt nëse edhe z. Haradinaj do t’i qëndrojë deri në fund kësaj deklarate, por edhe nëse taksa nuk kushtëzohet me njohje, së paku nuk do të duhej të hiqet derisa Serbia angazhohet fuqishëm politikisht kundër shtetit të Kosovës, duke e penguar që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, duke bërë presion nga shumë shtete që ta tërheqin njohjen e Kosovës, apo duke penguar Kosovën që të siguroj njohje të reja. Këto veprime janë të patolerueshme, prandaj efekti i taksës duhet të jetë më i madh në aspektin politik.

 

Image

Intervistë me Branka Djukic, Drejtuese e“Tanjug“

Si mendoni se do ndikojë në ekonominë serbe kjo taksë, në terma të import-eksportit? Cilët sektorë do të preken më shumë?

Sigurisht që do të ketë një impakt nëse masa vazhdon, duke marrë parasysh që produktet që vinë nga Serbia qendrore drejt tregut të Metohijës dhe Kosovës, kanë vlerë 300 deri në 400 milionë në vit. Por, nuk pritet që kjo të jetë shkatërruese për ekonominë e Serbisë. Kryesisht prek industrinë e ushqimit, të cilat përbëjnë produkte konsumi që mund të drejtohen dhe në tregje të tjera.

Gjithsesi, dëmi i madh do i shkaktohet standardit të jetesës të njerëzve që jetojnë ne Kosovë dhe Metohijë. Të dyja palët, shqiptarë dhe serbë. Në këtë moment, qeveria jonë është e shqetësuar sesi kjo masë do ndikojë në pozicionin dhe mbijetesën e serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë dhe Metohijë, në veri dhe në jug të lumit Ibër. Këta njerëz varen nga ndihma ekonomike që vjen nga Serbia, dhe në këtë kontekst, taksa e vendosur nga Prishtina, konsiderohet si më e rënda që pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Cilat do të jenë implikimet politike në dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës?

Mua më ngjan se Prishtina, nëpërmjet këtij hapi që ndërmori, është duke mesazhin se dëshiron të braktisë dialogun me Beogradin, dhe nëse kjo gjë nuk ndryshon shpejt, normalizimi i marrëdhënieve do të zgjasë shumë.

Dhe në këtë moment, retorika po ashpërsohet. Kryeministri Haradinaj thotë se nuk do të tërhiqet nga taksa nëse Serbia nuk njeh pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që Beogradi është në kushtet kur nuk pranon dialog nëse qeveria nuk tërhiqet nga taksa.

Do thoja se një pjesë të kësaj e ka në dorë BE-ja dhe fuqitë perëndimore, në të cilat Prishtina mbështetet më së shumti. Për shembull, këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Z. Gazmend Abrasi, tha për „Tanjug“ se BE dhe SHBA kanë pritur prej kohësh vendosjen e masave ndaj importeve nga Serbia qendrore. Nëse kjo është e vërtetë, më duhet të pyes- a e dëshiron vërtet komuniteti ndërkombëtar normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës në interes të qytetarëve të tyre?

Nëse po, jam e sigurt që do gjejnë një mënyrë për të tërhequr këto masa terësisht të paarsyeshme. Më duhet të shtoj që më duket e pabesueshme që po mbështeten akuzat se Beogradi është fajtor për dështimin e Kosovës në anëtarësimin në Interpol. Përfaqësuesit tanë luftuan për të mbrojtur interesat dhe integritetin e vendit të tyre. A është kjo e ndaluar? Ata nuk premtuan në asnjë vend që nuk do të merrnin masa për këtë gjë. Është e drejta e tyre, por edhe detyrimi

Cilat do të jenë implikimet sa i përket procesit të integrimit në BE për të dyja vendet?

Çdo gjë funksionon në formën e një rrethi. Kushti i integrimit në BE është normalizimi i marrëdhënieve, dhe kjo masë na kthen shumë hapa mbrapa. Por, unë përsëris, mendoj se një pjesë e mirë e përgjegjësisë i takon BE-së, e cila iu përgjigj qetësisht vendimit të parë të Prishtinës për të rritur taksën në 10% si dhe mungesës së respektit ndaj Marrëveshjes së Brukselit.

Cilat do të jenë hapat që do të ndiqen nga Serbia në përgjigje të kësaj takse?

Presidenti Vuçiç e bëri të qartë që Serbia nuk do kundërpërgjigjet dhe që vendi ynë dëshiron të mbetet një partner i besueshëm në botë, Europë dhe rajon.

“Ne nuk duam të ndalojmë kamionët e tyre, makinat me pasagjerë apo tregtinë e të mirave në Kosovë dhe Metohijë. Ne duam të tregojmë ndryshimin midis sjelljes së përgjegjshme dhe serioze dhe asaj të papërgjegjshme“, shprehu Vuçiç pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë, dhe ju duhet ta besoni në atë që thotë.

A ka ndonjë implikim sa i përket tregut shqiptar? Mendoni se kjo taksë e dobëson apo e forcon prezencën serbe në tregun shqiptar?

Nga ana e Serbisë nuk mendoj se do ketë. Pse duhet të ketë? Nuk mendoj se do ketë surpriza nga Tirana sepse bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve tona dhe vendosmëria e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin rajonal në vitet e fundit, është i padiskutueshëm. Shpresoj të mos ketë ndryshime.

Kosova akuzoi Serbinë se aplikonte çmime dumping në tregun e saj të brendshëm. Keni ndonjë informacion sa i përket kësaj deklarate?

Faktet tregojnë që çmimet e produkteve nga Serbia qendrore janë më të ulëta se çmimet e produkteve të tjera që importohen në tregun e Kosovës. Por, kjo nuk është një pasojë e çmimeve dumping. Ashtu si shpjegoi dhe Ministria serbe e Tregtisë, kjo gjë ndodh sepse Serbia ka kapacitete më të mëdha prodhimi të këtyre produkteve, gjë që lejon të jenë më konkurruese dhe si pasojë më të lira në treg në krahasim me produktet e vendeve të tjera.

Vitin e kaluar, pati polemika në lidhje me miellin që vinte nga Serbia qendore, mbi çmimet e të cilit Prishtina vendosi një tarifë shtesë prej 0,04 centësh, si një ndërhyrje për mbrojtjen e prodhuesve vendas të miellit. Por, nuk mund ta akuzosh dikë se po mundohet të prishë tregun kur ka kapacitete për të prodhuar në sasi të mëdha dhe si pasojë, mundësinë për të konkurruar me çmime.