Taksa pengesë për vizat?

Aktuale November 29, 2018 - 18:32
Lexo detajet

Parlamenti Evropian sot ka miratuar rezolutën për Kosovën ku edhe u kërkua heqja e vizave për Kosovën.

Gjatë diskutimeve në seancën plenare të Parlamentit Evropian u kërkua gjithashtu edhe tërheqja e taksës 100 për qind për produktet serbe nga Qeveria e Kosovës.

Ndër të tjera edhe Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, tha se vendosja e taksës ka shkelur CEFTA-n dhe MSA-në, por ai gjithashtu tha se Hahn qëndron për atë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, shkruan lajmi.net.

Ndërkohë, ata i kanë bërë thirrje Kosovës të vazhdojë me reformat.

Por, a do ta pengojë taksa e vendosur nga Qeveria e Kosovës për mallrat serbe liberalizimin e vizave për Kosovën?

Lajmi.net ka kontaktuar me Kryetaren e Komisionit Parlamentar për Integrim, Blerta Deliu – Kodra e cila është shprehur se vendosja e taksës nga Qeveria e Kosovës për mallrat serbe nuk e pengon kalimin e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën në Këshillin e Ministrave.

“Nuk e mendoj që ka ndonjë lidhje taksa me votimin në Këshillin e Ministrave. Në fakt është konfirmuar ajo që ne kemi thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave”, ka thënë Deliu – Kodra, për lajmi.net.

Ajo gjithashtu ka treguar se gjatë një takimi të nivelit të lartë në Bruksel para dy ditës, eurodeputetët e kanë konfirmuar përmbushjen e kushteve nga ana e Kosovës për liberalizim të vizave.

“Edhe atë ditë është bërë thirrje në Parlament Evropian që Këshilli i Ministrave të ketë në konsideratë votimin që është bërë në Parlament dhe ta fusë Kosovën në agjendë dhe gjithsesi të ketë sinjal pozitiv sa i përket lëvizjes së lirë dhe ne po presim që së pari Kosova të jetë në agjendë e pastaj që shtetet anëtare të këshillit ta përkrahin liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka vazhduar Deliu.

Ajo ka theksuar se taksa nuk ka ndonjë lidhje me kriteret e BE-së.

LEXO EDHE: Haradinaj kërkon shpërndarjen e kësaj video

“Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe nuk ka kërkesa shtesë që Kosova duhet përmbushur për të lëvizur në zonën shenjen. Sigurisht ne duhet t’i vazhdojmë reformat në përafrim me procesin integrues siç janë agjenda e reformave evropiane”, ka përfunduar Deliu.

Edhe njohësi i çështjeve politike, Avni Mazreku është shprehur njëjtë dhe ka treguar se taksa nuk ka lidhje me liberalizimin e vizave, sepse liberalizimi është proces teknokratik.

“Taksa nuk ka lidhje për liberalizimin e vizave sepse liberalizimi është proces teknokratik ndërsa taksa e vendosur nga ana e Kosovës është kundërpërgjigje ndaj politikave degresive që ka pasur Serbia.”, është shprehur Mazreku.

Por, Mazreku problemin e liberalizimit të vizave për Kosovën e sheh diku tjetër. Ai thotë se Bashkimi Evropian në këtë rast është duke u munduar të mbulojë deficitin e kapacitetit të vet vendimmarrës kur vije momenti të merren vendimet politike për Kosovën.

“Bashkimi Evropian në këtë rast po mundohet të mbuloj deficitin e kapacitetit të vet vendimmarrës kur vije puna të merren vendime politike për Kosovën, sepse shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën i degradojnë mundësitë e BE-së të merr vendime për Kosovën”, tha Mazreku për lajmi.net

Mazreku ka theksuar se problemi qëndron tek 5 shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ai gjithashtu ka shtuar se çështja e Kosovës qëndron në këto dy drejtime, në deficitin vendimmarrës të BE-së për Kosovën dhe mungesën e vullnetit të 5 shteteve që nuk e njohin Kosovën që t’i mundësojnë Kosovës normalizimin e marrëdhënieve me BE-në.

“Kosova nuk mund të aspirojë për BE dhe as për statusin e vendit kandidat sepse pa e njohur këto 5 shtete nuk mund ta ketë statusin e vendit kandidat. Dhe në këtë formë nuk mund të bëhet as qëndrimi pozitiv për liberalizimin e vizave si rezultat i këtyre qëndrimeve në raport me Pavarësinë e Kosovës”, përfundoi Mazreku