Dënimet nuk e ndalin flamurin shqiptar në Luginë

Aktuale November 29, 2018 - 08:39
Lexo Detajet
Image

Nëntori i shqiptarëve nuk i humb ngjyrat as në Luginën e Preshevës. Ndalesat dhe dënimet për përdorimin e flamurit kombëtar në këtë trevë shqiptare nga autoritet e Serbisë nuk i pengojnë shqiptarët që ta festojnë 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit. Ata thonë se pavarësisht se gjobiten për vendosjen e flamujve nuk do të ndalen së festuari Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, Ragmi Mustafa, ka thënë se shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë nuk do të ndalen së festuari Ditën e Flamurit. “I pëlqeu dikujt ose i pengoi, flamuri kombëtar shqiptar ka valuar gjithmonë mbi Luginën e Preshevës më 28 Nëntor.

Edhe këtë nëntor do të veprohet njëjtë. Këtë e pati kuptuar edhe regjimi i Millosheviqit, duhet ta kuptojë edhe Serbia e Vuçiqit. Megjithatë, shqiptarët e Preshevës, të Bujanocit e të Medvegjës janë besimplotë në pritje të një ‘Nëntori të Tretë’”, ka deklaruar Mustafa për gazetën “Zëri”.

Sipas tij, Lugina e Preshevës mbetet edhe më tej si njëri ndër vendet më të diskriminuara në Evropë, por sipas tij pavarësisht gjithë ndalesave ligjore dhe dënimeve të ashpra 28 Nëntori festohet vazhdimisht. “Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë përpjekja e përhershme, sakrifica e pambarim. Kjo festë është përkujtuese. Nuk është e lehtë kur vazhdimisht je i kërcënuar, kur për këtë çështje dënohen njerëz të rëndomtë e të politikës, institucione e subjekte politike”, thotë Mustafa.

Kryetari i KNSH-së, Mustafa, thekson se dënimet për përdorimin e simboleve kombëtare janë të standardizuara, pjesë e sistemit juridik, çka sipas tij tregon se diskriminimi është sistematik.

Ai thotë se gjatë aktiviteteve të tilla aktivistët gjithmonë janë ndeshur me probleme, metodat e frikësimit, të ndalimit, marrjes në pyetje dhe përndjekjes kanë qenë disa prej procedurave që kanë ndjekur aktivistët. “Qasjen armiqësore ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës si element të huaj Serbia e ka institucionalizuar si njëfarëlloj mendësie e trajtimit aparteidik. Disa herë është tentuar të largohet nga arrëzat e dëshmorëve qoftë në institucionet a në subjektet e vendosura”, tha ai.

Ajo që për Mustafën ka shumë rëndësi është kultivimi dhe këmbëngulja në një standard të pacenueshëm për vendosjen e flamurit për 28 Nëntor. Sipas tij, janë të vetëdijshëm që për këtë gjë do të kenë provokime dhe probleme, por ai kërkon që shqiptarët në Luginë asnjëherë të mos zmbrapsen dhe t’u nënshtrohen kërkesave që vijnë nga Beogradi. 

Kurse kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, thotë se sipas Ligjit për Përdorimin Zyrtar të Simboleve nuk lejohet përdorimi zyrtar i simbolit kombëtar të një pakice nëse është identik me simbolin e ndonjë shteti tjetër dhe kjo ka sjellë për pasojë që për çdo vit edhe drejtues të subjekteve politike, edhe drejtues të institucioneve të ndiqen nga shteti për vepra për kundërvajtje. “Ka ndodhur shpesh, së paku deri më 2007-n, kur të rinj të revoltuar ndaj shtetit kishin vendosur simbolin kombëtar edhe në ndërtesat e komunave. Ndaj tyre niseshin procedura penale si pasojë e ndjekjes e shumica prej tyre janë larguar nga vendi”, është shprehur Kamberi.

Ai më tej tregon se si prej vitit 2008, kur në mënyrë të organizuar nëpër institucione vendoset simboli kombëtar shqiptar, këto procedura janë reduktuar vetëm ndaj drejtuesve partiakë. “Vetë ekzistimi i kushteve restriktive për përdorimin e simbolit kombëtar flet qartë se në çfarë atmosfere shqiptarët shënojnë ditën më të madhe të kombit, por këto vështirësi asnjëherë nuk kanë ndikuar që edhe ta braktisim shënimin e kësaj dite”, ka thënë Kamberi për gazetën “Zëri”.

Ai thotë se ka edhe “sugjerime” që simboli kombëtar të ndryshohet, në mënyrë që të mos jetë identik me simbolin e Shqipërisë, por thotë se ky element qenësor i identitetit tonë kombëtar asnjëherë nuk mund të pësojë ndryshime, sepse sipas tij kjo do të thotë që duhet të hiqet dorë nga pjesa më e rëndësishme e identitetit kombëtar.

Ndërsa Enkel Rexhepi, aktivist në Këshillin e të Drejtave të Njeriut (KDNJ), thotë se çdo vit janë organizuar forma të ndryshme të protestës në Luginën e Preshevës për ta fituar të drejtën elementare, për lejimin e përdorimit të simboleve kombëtare në mënyrë ligjore dhe se ato janë shpërfillur vazhdimisht nga Beogradi zyrtar. Sipas Rexhepit, vetë ndalimi me ligj i flamurit kombëtar shqiptar është njollosje nga shteti dhe kjo sipas tij dëshmon diskriminimin dhe shtypjen e shtetit ndaj diversitetit, si dhe ndaj çdo gjëje që nuk është serbe.

Ai thotë se edhe sot jo pak shqiptarë të Luginës nuk mund të jetojnë në vendlindje për shkak të ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar. Shumë të tjerë përballen me procese gjyqësore dhe se kjo politikë në emër të shtetit ligjor është në fakt politikë e dëbimit të tjetrit. Edhe Rexhepi ka ndarë fatin e shumë bashkëkombësve të Luginës së Preshevës, duke u marrë në pyetje së fundi nga policia dhe duke u dënuar nga gjykatat për shkak se ka organizuar aktivitete ku është ngritur dhe ku është shfaqur simboli kombëtar shqiptar. “Nuk i takon shtetit t’i përzgjedhë veçoritë identitare të bashkësive të ndryshme etnike/kombëtare. Ndalimi i tyre flet për karakterin demokratik të vetë shtetit, një shteti ku nuk ka të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, në mospërputhje edhe me konventat për të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve”, përfundon Rexhepi, duke kujtuar se po të njëjtat simbole ishin të lejuara në sistemin monist jugosllav para rreth tridhjetë vjetësh e ndalohen edhe sot në Serbinë e cila pretendon vlera demokratike evropiane./ZERI

Image