Sfidat shekullore të shqiptarëve

Aktuale November 29, 2018 - 08:21
Lexo Detajet
Image

Ndonëse kanë kaluar 106 vjet prej shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë (1912), shqiptarët anembanë trojeve etnike po vazhdojnë të ballafaqohen me sfida e me probleme të ndryshme. Kështu vlerësojnë historianët, njohësit e çështjeve politike dhe vetë përfaqësuesit politikë nga gjitha viset shqiptare në Ballkan, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ata konsiderojnë se historia është treguar e padrejtë në raport me shqiptarët, pasi përgjatë viteve janë përballur me sakrifica, me luftëra e me copëtim të trojeve shqiptare. Megjithëkëtë, më së shumti në këtë mes sipas tyre janë dëmtuar shqiptarët që mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë pas pavarësimit të saj.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Mal të Zi vlerësojnë se ruajtja e identitetit nacional ende mbetet sfidë e tyre. Ndërkohë, padrejtësitë që akoma u bëhen shqiptarëve në Luginë të Preshevës vlerësohet se nuk ndodhin askund tjetër në botë. Por pavarësisht këtyre sfidave, historianë e njohës të çështjeve politike thonë se shqiptarët kanë arsye të shpresojnë në një të ardhme me perspektivë, duke realizuar ëndrrën shekullore të integrimit të plotë në Bashkimin Evropian (BE).

Nisi me Skënderbeun, u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë

Historiani nga Kosova Jahja Drançolli ka vlerësuar se shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 1912 ka kurorëzuar luftën që kishte zhvilluar heroi i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e ngriti flamurin më 28 nëntor 1443, më pastaj Ismail Qemali e bëri të njëjtën me delegatët e kuvendit të Vlorës, e ngritën flamurin në të njëjtën datë. Çdo gjë nis me Gjergj Kastriotin dhe kurorëzohet me shpalljen e pavarësisë si ngjarja më e rëndësishme e historisë sonë moderne. Po të mos kishte ndodhur kjo ngjarje sigurisht ne nuk do të kishim arritur ku kemi arritur deri më sot”, ka deklaruar ai.

Sipas Drançollit, Shqipërisë etnike i janë bërë padrejtësi të mëdha përgjatë viteve. Por pavarësisht ndarjes që i është bërë në Konferencën e Londrës, siç ai është shprehur, shqiptarët ia dolën ta bëjnë edhe shtetin e dytë, Kosovën. “Më tepër se gjysma e trojeve etnike mbeti e ndarë nga Shqipëria etnike ose nga Shqipëria e themeluar në Konferencën e Londrës. Megjithatë tani jemi dëshmitarë të një shteti të ri, që është Kosova. Po ashtu jemi dëshmitarë të pjesëmarrjes së shqiptarëve të Maqedonisë, pjesëmarrjes së dendur të shqiptarëve të Maqedonisë në institucionet më të larta shtetërore, madje kemi edhe kryetarin e parlamentit të Maqedonisë”, ka theksuar ai.

Padrejtësitë ndaj shqiptarëve të Luginës, rasti më i dhimbshëm

Në anën tjetër ish-presidenti i Shqipërisë Bamir Topi ka vlerësuar se gjendja e shqiptarëve në Ballkan nuk është e mirë. Sipas tij, shqiptarët në Shqipëri kanë probleme të mjaftueshme, porse ata që kanë mbetur jashtë kufijve të saj janë dëmtuar në masë më të madhe. “Shqiptarët në Shqipëri kanë probleme në lidhje me ekonominë, me politikën e me shtetin. Situata ekonomike është polarizuar ndjeshëm. Shtresa e mesme jo vetëm që nuk u krijua dot, por edhe nga ajo që ishte po rrëshqet në shtresën e varfër, në dëm të interesit publik pasi askush nuk mendon për politikat sociale, por thjesht për ta rrëzuar në mënyrë alternative njëri-tjetrin dhe për të ardhur e për ta shfrytëzuar pushtetin e radhës”, ka theksuar Topi gjatë një interviste për “Zërin”.

Ndërkohë, teksa ka folur për padrejtësitë që u bëhen shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke nisur nga moslejimi për ta festuar festën e 28 Nëntorit, Topi ka thënë se kjo përbën rastin më të dhimbshëm. “Ky është momenti më i dhimbshëm. Më i dhimbshëm sepse përbën një nga të drejtat dhe liritë themelore të pakicave për t’i festuar festat e tyre kombëtare. Unë nuk besoj që ajo që ndodh në Preshevë ndodh diku tjetër”, ka theksuar ish-kreu i Shqipërisë.

Në pavarësimin e Shqipërisë kontribuuan shqiptarët e të gjitha trojeve

Festa e 28 Nëntorit sipas njohësit të çështjeve politike në Maqedoni, Ibrahim Mehmeti, ka një domethënie të thellë për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Por sipas tij, nuk duhet të harrohet fakti se në pavarësinë e Shqipërisë kanë kontribuuar, aq sa kanë mundur, të gjithë shqiptarët pa dallim krahine.

Mehmeti më tej ka thënë se pas pavarësimit të Shqipërisë shqiptarët që mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë për fat të keq janë ballafaquar me sfida të jashtëzakonshme, me diskriminim dhe me vuajtje të rënda.

Gjersa ka folur për shqiptarët e Maqedonisë, ai ka vlerësuar se Muri i Berlinit paraqet një kthim historik jo vetëm në unifikimin dhe në demokratizimin e Evropës, por edhe në pozitën e shqiptarëve në Maqedoni dhe në trojet tjera shqiptare. “Ç’është e vërteta, ky kthim ka ndodhur edhe në Shqipëri e cila shumë dekada i kaloi në vetizolim politik dhe pa forcë ndikimi, e cila eventualisht do të mundë ta përmirësonte pozitën e shqiptarëve jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Sot në Maqedoni shqiptarët janë të inkuadruar në sistem dhe marrin pjesë aktive në të gjitha proceset politike e shoqërore të vendit”, është shprehur ai.

Ruajtja e identitetit, sfidë e shqiptarëve në Mal të Zi

Nik Gjeloshaj, kryetar i Alternatives Shqiptare në Mal të Zi, ka konsideruar se  përgjatë 106 vjetëve, prejse është shpallur pavarësia e Shqipërisë, shqiptarët kanë pasur sfida të vazhdueshme dhe janë ballafaquar me sakrifica të shumta. “S’do mend se 28 Nëntori i 106 vjetëve më parë ishte ëndrra shekullore e brezave të shumtë për të jetuar të lirë në shtetin e vet, me traditë dhe me kulturë të lashtë, por që historikisht pësoi vuajtje dhe sakrifica të mëdha për ta fituar lirinë dhe pavarësinë e shtetit arbëror”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, teksa ka folur rreth sfidave me të cilat ballafaqohen ende shqiptarët e Malit të Zi, Gjeloshaj ka thënë se edhe ruajtja e identitet nacional vazhdon të mbetet sfidë akoma. “Tashmë janë thënë sa herë sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Mal të Zi, që prej jetësimit të sistemit pluralist e deri më sot. Ruajtja e identitetit nacional, kultivimi dhe afirmimi i vlerave kombëtare vazhdojnë të jenë sfidat kryesore gjithë kësaj kohe, sidomos në periudhën e vendosjes së marrëdhënieve të mira miqësore të Malit të Zi me Shqipërinë dhe me Kosovën e që është shpresëdhënëse për shqiptarët në këtë vend”, ka theksuar ai gjatë një bisede për “Zërin”. 

Sipas tij, ka edhe shumë çështje që presin zgjidhje në plotësimin e kërkesave të shqiptarëve të Malit të Zi, duke filluar në përmirësimin e  statusit të përgjithshëm, duke nisur nga arsimi, kultura, punësimet e në veçanti, përfaqësimin e shqiptarëve në organet e vendimmarrjes dhe në të gjitha fushat me interes të përgjithshëm.

 Pavarësisht këtyre, ish-deputeti shqiptar në kuvendin e Malit të Zi ka thënë se shqiptarët në përgjithësi kanë arsye të shpresojnë në një të ardhme me perspektivë, duke realizuar ëndrrën shekullore të integrimit të plotë në familjen e gjerë evropiane./ZERI