Veriu i “fryn” ndarjes

Aktuale November 29, 2018 - 07:52
Lexo Detajet
Image
Image

Katër kryetarë të komunave serbe në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqje të martën nga funksionet e tyre, ndërsa një gjë të tillë nuk e kanë bërë edhe homologët e tyre serbë në jug të Ibrit. Analistët vlerësojnë se ky është skenar i Serbisë për ndarjen e Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Katër kryetarë të komunave serbe në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, ditë më parë kanë dhënë dorëheqje nga funksionet e tyre, duke kundërshtuar kështu vendimin e Qeverisë së vendit për ngritjen e taksës doganore prej 100 për qind për mallrat serbe. Por një veprim të tillë nuk e kanë bërë edhe kryetarët e komunave serbe në brendi të vendit, ndonëse vijnë nga subjekti i njëjtë politik, Lista Serbe, me ato të veriut.

Madje kreu i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, i cili njëherësh është edhe kryetar i Listës Serbe, ka deklaruar se komunat kosovare në veri nuk ekzistojnë më.

Dy ditë pas vendimit për dorëheqje të katër kryetarëve serbë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës nuk janë deklaruar për medie. Por deputetët e koalicionit qeverisës kanë thënë për “Zërin” se kryetarët e komunave veriore po tentojnë t’i zbatojnë idetë e Serbisë për ndarje të Kosovës. 
Në anën tjetër, analistët politikë vlerësojnë se Lista Serbe po luan lojë të dyfishtë, pasi kryetarët e komunave që udhëhiqen nga serbët në jug të Ibrit nuk dhanë dorëheqje.

Deputeti i koalicionit qeverisës, Hajdar Beqa, ka thënë për gazetën “Zëri” se vendimet e kryetarëve të komunave serbe për dorëheqje po shpërfaqin idetë dhe politikat e Beogradit që kanë ndaj pjesës veriore të Kosovës. “Mendoj që vendimi për dorëheqjet e katër kryetarëve të komunave të pjesës veriore të Republikës së Kosovës është veprim i ngutshëm dhe i pamatur dhe më shumë është një shfaqje teatrale sesa një vendim i mirëfilltë politik, por po shihet që ky veprim ka ardhur nga Serbia dhe ata po reflektojnë idetë e politikës zyrtare të Beogradit”, ka theksuar Beqa.

Beqa është optimist që situata në komunat e veriut do të kthehet në normalitet, por në rast se ndodh e kundërta, ai tha se atëherë Qeveria e institucionet duhet të jenë unike dhe t’i marrin hapat e duhur në harmonizim me Kushtetutën e vendit.

Ai ka thënë se si Qeveria nuk do të bjerë pre e këtij shantazhimi të Listës Serbe, të katër kryetarëve të komunave veriore ose të një komuniteti të caktuar.

Tahiri: Serbia me plane të veçanta për ndarjen e Kosovës

Analisti politik Ramush Tahiri ka deklaruar për gazetën “Zëri” se Lista Serbe po vepron me plane të ndara për komunat e saj në Kosovë. Sipas tij, kryetarët e komunave serbe në jug nuk dhanë dorëheqje, derisa ditë më parë u dorëhoqën katër kryetarët e veriut.

Tahiri ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se nuk ka marrë asnjë veprim deri më tash, as nuk ka bërë përpjekje që të bisedojë me Listën Serbe që të gjejë një zgjidhje, duke e ditur rolin që pati Lista Serbe në krijimin e Qeverisë së Kosovës.

Tahiri theksoi se paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga Qeveria nuk i shkaktojnë ndonjë bllokadë Kuvendit, pasi ky subjekt politik shumë herë ka hyrë e ka dalë nga Kuvendi.

Në veri, komunat me sistemin e Republikës së Serbisë

Serbët e veriut, duke marrë si shkas ngritjen e taksës prej 100 për qind në produktet serbe që hyjnë në Kosovë, kanë ndërmarrë një vendim radikal “duke shuar” komunat me sistemin e Republikës së Kosovës dhe duke siguruar se në pjesën veriore do të funksionojnë komunat me sistemin e Republikës së Serbisë.

Kryetarët e komunave veriore, Goran Rakiq (Mitrovica Veriore), Vuçina Jankoviq (Zveçan), Zoran Todiq (Leposaviq) dhe Stevan Vulloviq (Zubin Potok) kanë dhënë dorëheqje të martën, më 27 nëntor, dhe në të njëjtën mënyrë kanë detyruar të gjithë asamblistët serbë t’i nënshkruajnë deklarata për ndërprerje të komunikimit, të bashkëpunimit dhe të raporteve me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Këto deklarata u janë ofruar edhe asamblistëve shqiptarë, por ata nuk i kanë nënshkruar.

Bashkim Cimili, zëvendëskryesues i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, i tha “Zërit” të mërkurën se ata (dy asamblistët shqiptarë, ai dhe Gonxhe Qaushi) nuk i kanë nënshkruar deklaratat që ua ka ofruar Goran Rakiq në mbledhjen e Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, që është mbajtur të martën.

“Deklaratat na janë ofruar, por as që i kemi lexuar e lëre më t’i nënshkruajmë. Dorëheqja e Rakiqit është punë e tij, ne nuk i kemi nënshkruar deklaratat. Besoj që administrata komunale do të punojë sikurse edhe deri më tani”, tha Cimili, i cili nuk ka shpjeguar nëse të mërkurën është duke punuar Komuna Veriore. “Nuk kam qenë sot në Komunë, vërtet nuk e di, por puna e Komunës nuk mund të ndërpritet”, ka thënë ai.

Njëjtë sikurse Cimili ka thënë edhe zëvendëskryetari i Zubin Potokut, Agim Hasani. Ai tha se shqiptarët nuk pranojnë dhe nuk e mbështesin asnjë vendim që kanë ndërmarrë zyrtarët komunalë serbë të Zubin Potokut e as Stevan Vulloviqi. Deklaratën për ndërprerje të komunikimit me Prishtinën e ka nënshkruar edhe Adriana Hoxhiq, ish-shefe e Zyrës Administrative të Kosovës në veri dhe aktualisht koordinatore e Administratës Komunale në veri.

Rakiq: Komunat kosovare nuk ekzistojnë më në veri

“Komunat kosovare nuk ekzistojnë më në veri. Kemi marrë vendim e kemi dhënë dorëheqje dhe nga sot, 27 nëntor, administratat lokale me sistemin e Prishtinës në veri nuk ekzistojnë më”, ka siguruar Rakiq, ndërsa kryetari i Zubin Potokut, Stevan Vulloviq, është shprehur i lumtur që ka refuzuar Prishtinën. “Jam i lumtur pas 6 vjetëve që kam mbajtur një barrë të turpit, i cili quhet ‘Kryetar i institucioneve të Prishtinës’. Jam shumë i lumtur për këtë. Gjithçka ka fundit e vet”, ka thënë Vulloviq, duke shtuar se do të kërkojë nga Republika e Serbisë që t’i shpallë zgjedhjet në komunat veriore.  “Ne vetëm po e shpëtojmë veriun, asgjë më shumë”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër kryetarët e 6 komunave me shumicë serbe në jug nuk kanë dhënë dorëheqje, por kanë deklaruar se mbështesin kolegët e tyre nga veriu./ZERI