Politika e ndarë për festat e Nëntorit

Politika e ndarë për festat e Nëntorit

Aktuale nëntor 28, 2018 - 16:57
Detajet

106  vjetorin e Pavarësisë qeveria e përkujtoi me një ceremoni zyrtare në qytetin e Vlorës, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Në ngritjen simbolike të flamurit në sheshin e Pavarësisë qeveria e Kosovës u përfaqësua me zëvendëskryeministrin, Behgjet Pacolli.

Më pas u vendosën kurora me lule në varrin e Ismail Qemalit.

I vetmi që foli pas ceremonisë ishte Presidenti Ilir Meta. Ai tha se dita e pavarësisë është moment gëzimi për çdo shqiptar.

“Emocion i veçantë të merrja pjesë sot në Vlorë, “kryeqytetin” e Festës së Pavarësisë, në ceremoninë shtetërore për nder të simbolit më përbashkues të shqiptarëve. Përkulem me respekt para veprës së përjetshme të themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali”.

Kryeministri Rama zgjodhi që urimin e tij për shqiptarët ta bëjë në rrjetet sociale, përmes një fotoje të shkrepur mes tij dhe homologut kosovar Haradinaj mbi flamurin kombëtar, pas takimit të dy qeverive; asaj shqiptare dhe kosovare pak ditë më parë në Pejë.

Teksa përfaqësuesit më të lartë të shtetit kremtonin në Vlorë festën e pavarësisë, demokratët në Tiranë përkujtuan në të njëjtën ditë 106- vjetorin e Pavarësisë dhe 74-vjetorin e çlirimit të vendit.

Nga Varrezat e Dëshmorëve Basha ftoi shqiptarët të bashkohen në mbrojtje të lirë e demokracisë.

“Përkulemi me nderimin më  të thellë para simbolit tonë kombëtar, flamurit të Kastriotëve që u ngrit për herë të parë në kështjellën e tyre më 28 nëntor 1944, ndjesë 1444. Jam në krah të gjithë qytetarëve që janë ngritur për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e tyre dhe e konsideroj ditën e sotme edhe një ftesë për një bashkim të madh të gjithë shqiptarëve në një betejë të përditshme dhe pa pushim derisa liria e çdo shqiptari të jetë e pacenuar dhe e garantuar ashtu siç është në ligj dhe Kushtetutë.”

Gjatë homazheve në Varrezat e Dëshmorëve ishin vetëm përfaqësues të Partisë Demokratike, mes të cilëve edhe ish-presidenti Bujar Nishani. /Tv Klan