Instituti Epik: Institucionet tona kanë dështuar të zbatojnë reformat e parapara në agjendën evropiane

Aktuale November 27, 2018 - 11:21
Lexo Detajet

Instituti Epik kanë vlerësuar se se institucionet tona kanë dështuar të zbatojnë reformat e parapara në agjendën evropiane të vendit tonë dhe të avancojnë perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës.

Përmes një komunikate, ata kanë deklaruar se janë dhënë edhe afata joreale lidhur me statusin për pozitën e kandidatit dhe se duhen mesatarisht  3 vite kohë nga momenti i aplikimit deri tek marrja e statusit. Po ashtu është cekur zbatimi më i vogël i MSA-së krahasuar me vitet e kaluara, transmeton zeri.info.

Komunikata e plotë:

Instituti EPIK: Mos përmbushja e reformave pamundëson Statusin e Kandidatit

Prishtinë, 27  nëntor 2018

Me rastin e formimit të qeverisë aktuale në shtator të vitit 2017, Qeveria e Kosovës në programin e saj të votuar në Kuvendin e Kosovës, premtoj që deri në fund të vitit 2018 do të aplikoj për statusin e Vendit Kandidat të BE-së. Për më tepër, më 6 shkurt 2018, Qeveria deklaroj se "Viti 2018 do të duhej të jetë viti kur Kosova me punën dhe përkushtimin e saj, e fiton statusin kandidat dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e saj."

Sot, kur jemi afër tre-vjetorit të hyrjes në fuqi të MSA-së dhe dy-vjetorit të lansimit të Agjendës Evropiane të Reformave, Instituti EPIK vlerëson se institucionet tona kanë dështuar të zbatojnë reformat e parapara në agjendën evropiane të vendit tonë dhe të avancojnë perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës. Po ashtu, vlerësojmë se institucionet tona kanë premtuar afatet jorealiste për marrjen e Statusit të Vendit Kandidat.

Sa i përket zbatimit të MSA-së, si një detyrim kontraktual me BE-në, zbatueshmëria e saj në vitin 2016 ka qenë 55%, në vitin 2017 ishte 62%, ndërsa deri në qershor të vitit 2018 zbatimi ka rënë në afro 13%.

Ndërsa, sa i përket zbatimit të Agjendës Evropiane të Reformave, përkundër vonesës prej një viti, institucionet nuk kanë arritur të përmbushin as gjysmën e prioriteteve të dakorduara.

Në këtë kontekst, Instituti EPIK vlerëson se dinamika drejt marrjes së Statusit Kandidat është kryekëput e lidhur me zbatimin e MSA-së dhe reformave kyçe në kuadër të Agjendës Evropiane të Reformave.

Ndërsa, sa i përket afateve të premtuara nga Qeveria për marrjen e Statusit Kandidat, duke marr për bazë përvojën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, konkludojmë se nga momenti i aplikimit deri tek marrja e Statusit Kandidat mesatarisht kërkohen 3 vite kohë. Sidoqoftë, duhet nënvizuar që para aplikimit për Statusin Kandidat, Kosova duhet të krijoj një mjedis të favorshëm politik dhe diplomatik brenda vendeve anëtare të BE-së, i cili do të lejon vlerësimin pozitiv të aplikimit për Statusin Kandidat.

Në fund, Instituti EPIK fton të gjitha institucionet që të rrisin angazhimet drejt zbatimit të MSA-së dhe krijimit të një mjedisi pozitiv për të mundësuar avancimin e vendit tonë në procesin e integrimit evropian.

Për më tepër bashkëngjitur gjeni infografikën rreth Statusit të Kandidatit.