Flamuri në 28 shtëpi (VIDEO)

Aktuale November 27, 2018 - 08:37
Lexo Detajet
Image

28 familje në nevojë do të bëhen me kulm mbi kokë më 28 Nëntor falë shoqatës humanitare “Jetimat e Ballkanit”. Familjarët që janë përzgjedhur për t’u bërë me kulm mbi kokë kësaj radhe lajmin e madh do ta kuptojnë në një manifestim, i cili do të mbahet më 28 Nëntor në Shtëpinë e Kulturës në Prizren, ku përmes një flamuri dhuratë që do ta marrin brenda do të gjejnë çelësin e shtëpisë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Humanisti Halil Kastrati në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se përveç këtyre shtëpive që do të dhurohen për Festën e Flamurit, janë në prag të finalizimit të projektit për ndërtimin e një shtëpie të pleqve.

Në këtë intervistë hoxha Halil Kastrati ndër të tjera ka treguar që përveç donatorëve nga diaspora dhe vendi ka pasur edhe personalitete politike që janë donatorë të rregullt në shoqatën të cilën ai drejton.

Zëri: 28 familje bëhen me shtëpi të re më 28 Nëntor, pse e keni marrë këtë vendim pikërisht në këtë datë?

Kastrati: 28 Nëntori është datë historike për ne shqiptarët, është Dita e Flamurit, datëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari dhe dalja për herë të parë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Kjo ka qenë arsyeja kryesore që më 28 Nëntor do të dhurohen 28 palë çelësa të shtëpive të reja dhe 28 familje do të bëhen me shtëpi.

Zëri: Si është bërë përzgjedhja e këtyre 28 familjeve dhe cilët ishin donatorët ose ndihmësit më të mëdhenj që e realizuan këtë bashkë me juve?

Kastrati: Ne kohëve të fundit kemi një memorandum bashkëpunimi me disa komuna, duke përfshirë edhe Komunën e Prizrenit, të Dragashit e të Suharekës. Familje të tjera që do të gëzohen me shtëpia të reja janë të përzgjedhura nga këto komuna. Komunat janë solidarizuar, kanë marrë pjesë me një shumë prej 5 mijë eurove, ndërsa pjesa tjetër është nga donatorët, të cilët janë te “Jetimat e Ballkanit”.

Zëri: Sa kohë ju është dashur t’i siguroni mjetet që ta realizoni ndërtimin e këtyre shtëpive më 28 Nëntor?

Kastrati: “Jetimat e Ballkanit” tashmë e kanë një fond që donatorët vijnë i derdhin donacionet e tyre te ne dhe pastaj ua gjejmë vendin. Në këtë mënyrë nuk është dashur kohë për t’i mbledhur këto shuma, ndërsa sa i përket truallit, familjet që janë përzgjedhur e që do të gëzohen me shtëpi të reja janë ato familje që kanë truallin e vet.

Zëri: Si do të jetë pjesa kur do t’i dhuroni çelësat, do të shkoni te secila familje apo do të mbahet ndonjë organizim i veçantë?

Kastrati: Në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit kemi organizuar më datën 28 Nëntor një mënyrë më festive në Shtëpinë e Kulturës në Prizren. Aty do të jenë të varur në shqiponjë 28 palë çelësa, ku janë të thirrura 28 familje. Do të jepet një historik me anë të videos për secilën familje, ku tregohen kushtet në të cilat kanë jetuar familjet, si dhe shtëpia e re se ku do të shkojnë, pastaj do t’ua dhurojmë çelësat.

Zëri: Keni ndihmuar edhe shumë familje të tjera, por sa ishte fillimi i vështirë për ju?

Kastrati: Në fillimin e aktivitetit të shtëpive e banesave ka ndodhur që një muaj kemi pritur të mbledhim shumat për një shtëpi ose për një banesë. Ndërsa ka dy vjet që ne vetëm bëjmë surpriza dhe familjen që e vizitojmë dhe që i plotëson ato kushte të gëzohet me shtëpi ose me banesë shkojmë ia bëjmë surprizë menjëherë.

Zëri: A vijnë më shumë mjete (donacione) nga diaspora apo nga Kosova?

Kastrati: Mund të themi 50 me 50, edhe nga diaspora, edhe nga Kosova ka donatorë.

Zëri: Cilët janë emrat e njohur nga politika dhe më gjerë që ju kanë ndihmuar me dhurimin e donacioneve?

Kastrati: Prej themelimit të “Jetimave të Ballkanit” bashkë me ne është Behgjet Pacolli. Ai ka qenë donator i rregullt dhe vazhdon të jetë, por ka edhe shumë emra të tjerë që dhurojnë donacione te shoqata jonë.

Zëri: A ju ka ndodhur ndonjëherë të hasni në paragjykimet e njerëzve për punën që bëni, sa kanë ndikuar këto te ju?

Kastrati: Po, në fillim e kemi pasur shumë vështirë, ndoshta edhe situata këtu te ne e ka bërë të veten. Më kujtohet koha kur kemi dalë dyqan pas dyqani për ta kërkuar një lloj anëtarësimi se kush sa ka mundësi për të ndihmuar dhe ndonjëherë kemi dëgjuar ndonjë fjalë edhe të pahijshme, por megjithatë ne kemi pasur një qëllim, që nëse ne jemi të drejtë Zoti do të na i hapë rrugët dhe kjo ka ndodhur.

Zëri: Keni ndonjë statistikë të tregoni për publikun se sa familje keni ndihmuar deri tani, apo çfarë shume e të hollave është arritur nga donatorët?

Kastrati: Ne kemi donator që ka blerë një banesë, vetëm një person i ka dhënë 59 mijë euro. Ai është nga Kosova, i komunës së Gjilanit, ai vetë e ka blerë një banesë dhe neve na i ka dhënë çelësat e ne pastaj e kemi dhuruar te një familje nevojtare.

Përndryshe, janë mbi 200 familje që janë bërë me shtëpi dhe me banesa për një afat kohor dy vjet e gjysmë nga tre vjet punë e jona që kemi bërë në këtë aspekt. Kurse më herët kemi qenë vetëm me kuzhinën humanitare. Nga këto 200 familje vetëm sivjet janë mbi 100 familje që janë bërë me strehim.

Zëri: Si bëhet përzgjedhja e familjeve të cilave u ofrohet ndihma. U tregoni atyre paraprakisht apo pasi ta finalizoni punën?

Kastrati: “Jetimat e Ballkanit” tashmë është bërë derë e çdo familjeje dhe jo vetëm brenda Kosovës, por në të gjitha trojet shqiptare. Zakonisht ka prej tyre që vetë familjarët bëjnë kërkesë, ka nga ata të cilët na lajmërojnë komshinjtë ose dikush nga të afërmit, por për secilën kërkesë që vjen te “Jetimat e Ballkanit” i drejtohet asaj familjeje një pako ushqimore dhe aty fillon selektimi i familjeve. Ato familje që kanë nevojë për strehim hyjnë në listën e verifikimeve, pastaj i verifikojmë dhe nëse plotësohen të gjitha kriteret shkohet dhe u jepet lajmi se po bëhen me shtëpi.

Zëri: Cilat komuna në Kosovë e kanë pasur më shumë nevojën për ndihmë në strehim të familjeve?

Kastrati: Mitrovica e Veriut, të gjithë shqiptarët që kanë qenë në atë pjesë tani kanë dalë në jug dhe kërkesat janë më të mëdha nga ajo pjesë, pastaj është Skenderaj, Drenasi, Klina, Vushtrria, Novobërda etj...

Zëri: Cili Nga rastet ka qenë më i veçantë, që ju ka emocionuar edhe juve kur i keni ofruar ndihmë si në strehim, ashtu edhe ndihma të tjera?

Kastrati: Ka shumë raste, puna jonë është surprizë. Është rasti i Hafizes që i kthehet shikimi pas 44 vjetëve, pasi ne ia blemë banesën e re dhe ia kemi paguar operacionin në sy. Ajo s’ka parë asnjëherë e sot sheh. Është edhe rasti i Bledarit shtatëvjeçar, ai nuk ka ecur e sot ecën pa problem. Po ashtu edhe rasti i Qëndrimit, që ia kemi ndërtuar shtëpinë.

Zëri: Cilat janë planet për më tutje, çfarë pritet të realizohet nga “Jetimat e Ballkanit”?

Kastrati: Ne po vazhdojmë me memorandume bashkëpunimi me të gjitha komunat, nëse vetëm sivjet kalon shifra 100 familje me strehim, 2019-a shpresojmë që të jetë 200 familje. Dëshira jonë është që të gëzojmë sa më shumë familje në nevojë. Kemi edhe një projekt afatgjatë e që mundohemi ta ndërtojmë edhe një shtëpi të pleqve.

">http://