Për KEDS-in, nuk ka reduktime në Kosovë

Aktuale November 26, 2018 - 17:50
Lexo Detajet

Kosova këtë muaj u kthye 20 vite prapa. Qytetarët në prag të stinës së dimrit po përballen me reduktime disa orëshe të energjisë elektrike, ashtu sikur në periudhën e pasluftës. Kjo i ka dëmtuar më së shumti bizneset, e reagim të ashpër pati edhe i pari i Qeverisë, Ramush Haradinaj. Mirëpo, nga KEDS’i po vazhdojnë të deklarohen se reduktime nuk ka, edhe pse qytetarët për Express thonë ndryshe.

Tema e ndaljes së rrymës u kthye edhe njëherë në shtëpitë e  kosovarëve. Për orë të tëra, nga mëngjesi në mbrëmje, shtëpitë e bizneset po mbetën pa energji elektrike. Kjo gjendje është duke ju shkaktuar shumë problem e për këtë ka pasur edhe reagime të shumta, mirëpo, situata siç duket nuk është përmirësuar.

“Në fshatin Mramor të Prishtinës, nuk ka pas rrymë nga ora 10 e mëngjesit deri në orën 16:00”, e për këtë qytetarët thanë se nuk kanë pasur as paralajmërim. Kjo mund të vërehet edhe në njoftimin që ka lëshuar ditë më parë KEDS’it e nga ku kjo zonë nuk figuron në listën e ndërprerjeve. Njëjtë ka ndodhur edhe në Lagjen B në Prishtinë, por, KEDS’i po thotë se aty janë duke kryer disa punime.

Hiq më mirë nuk i kanë punët as disa fshatra të Gjakovës. Në atë pjesë qytetarët thonë se janë duke u përballur me reduktime shumë orëshe.

“Regjioni i Hasit të Gjakovës, fshatrat Rogove, Demjan 1, Demjan2 , Pnish, Ujz, Fshaj, Ramahamataj ejt. Nuk kemi pas 8 orë rrymë. Pas një stabilizimi 3 ditor , përsëri filluan me restrikcione të ashpra edhe pse kryeministri i vendit kritikoi ashpër KEK- un dhe KEDS”, ka bërë të ditur SH.K.

Përderisa qytetarët thanë se nuk kanë rrymë nga kryeqyteti e deri në zonat e thella të Kosovës, këtë e mohon institucioni përgjegjës.

 “Në asnjë regjion të Kosovës nuk ka reduktime të energjisë përpos në ato vende që po punohet dhe aty ku veçse janë bërë parandalime”, deklarojnë zyrtarë të KEDS’it

Arsyetim për ato reduktime që janë bërë i kanë për shkak të punimeve që po bëhen në rrjetin elektrik. Ndërsa, nga KEK thonë se nuk kanë përgjegjësi për reduktimet me rrymë, pasi furnizues është KEDS që nga viti 2013.

Ndalja e rrymës u kritikua ashpër nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.

“Zhgënjyese dhe e pa tolerueshme sjellja e KEDS dhe KEK në ditët e para të dimrit, duke i shtyrë qytetarët të përballen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike. I papranueshëm fakti, që KEDS dhe KEK nuk janë në gjendje t’i realizojnë detyrat e veta. Menaxhmenti i KEDS dhe KEK duhet ta dinë se Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj nuk u intereson se cili njësit është funksional e cili jo dhe as nuk i intereson se cili është çmimi i energjisë në tregun ndërkombëtarë”, shkroi përmes Facebook’ut kryeministri.

E pas tij, reagoi edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

“Nga sonte, ndërprerjet e paplanifikuara të energjisë do të duhej të ndërpriten. Ndërkohë, do të kërkoj llogari edhe nga KEK për mos funksionimin e disa blloqeve në formë të pa planifikuar”, shkroi Lluka duke kërkuar nga qytetarët që ta njoftojnë për çdo ndërprerje, për lokacionin dhe qytetin.

Për këtë temë, deputeti i AAK’së, Daut Haradinaj ka propozuar që të krijohet një komision parlamentar që do të hetojë KEDS’in.

“Të krijohet një komision hetimor edhe për KEDS-in, i cili pothuajse 80 % të Kosovës e ka lënë pa energji, pa i raportuar askujt çka është ka bën, KEK thotë se nuk kemi obligime për energji, KEDS kemi meremet ndërsa implementimin e kontratës nuk e ka as për së afërmi,” deklaroi Haradinaj në Kuvend.

Reagim pati edhe Oda e Afarizmit të Kosovës, që bëri të ditur se kanë marrë disa ankesa nga bizneset se ndalja e energjisë elektrike po bëhet pa paralajmërim.

Oda tregon se ndërprerjet e energjisë elektrike janë duke i dëmtuar rëndë bizneset.

“Sipas përfaqësuesve të bizneseve anëtare, ndërprerjet e energjisë elektrike po dëmtojnë rëndë bizneset pasi që po ndikojnë në ndërprerje të procesit të prodhimit, si pasojë e prishjes së makinerive. Bizneset po ankohen që kjo ndërprerje do të ndikoj në humbje të klientëve, e tërë kjo si rezultat i vonesave të porosive që po ndodhin. Duke parë gjendjen aktuale të krijuar tek bizneset, Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon nga KEDS të merren masat e nevojshme për përmirësim”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, nga KMDLNJ u tha se po bëhet shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.

Gjendja aspak e mirë me rrymën ka zgjuar revoltim te qytetarët sidomos kur me këtë situatë detyrohen të paguajna fatura të larta të energjisë, e të njëjtën kohë të përballen me reduktime.

KEDS ditë më parë iu bëri kërkesë konsumatorëve që të kursejnë energjinë elektrike pasi që thanë se probleme po ka në mungesë të prodhimit vendor të rrymës.