S’ka ushtri më 28 nëntor

S’ka ushtri më 28 nëntor

Aktuale nëntor 19, 2018 - 07:50
Lexo detajet!
Image

Projektligjet e ushtrisë që mundësojnë transformimin e misionit të Forcës dhe të Sigurisë së Kosovës (FSK) në misionin ushtarak kanë kaluar në leximin e parë në Kuvendin e Kosovës, por pavarësisht zërave që ky proces do të finalizohet më 28 nëntor anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së kanë konfirmuar për “Zërin” se në këtë datë nuk do të ketë formim të ushtrisë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Pavarësisht se tri projektligjet për transformimin e Forcës dhe të Sigurisë së Kosovës në ushtri janë votuar para një muaji në leximin e parë në Kuvendin e Kosovës ende nuk dihet saktësisht se kur këto projektligje do të risillen në Kuvend për leximin e dytë.

Madje drejtues të Komisionit për Mbikëqyrjen e Forcës dhe të Sigurisë së Kosovë për “Zërin” kanë konfirmuar që 28 nëntori nuk do të jetë data e formimit të ushtrisë, siç është deklaruar nga zyrtarë shtetërorë nga Serbia, të cilët formimin e ushtrisë e kanë lidhur me Festën e Flamurit.

LEXO EDHE: Phillips: Ndarja e Kosovës, pjesë e planit strategjik të Putinit

Lidhur me këtë njohës të çështjeve të sigurisë në vend vlerësojnë që ushtria duhet të formohet sa më shpejt që është e mundur.

Sipas tyre, Kosova nuk ka më shumë kohë për të humbur.

Ata kanë kërkuar edhe bashkim të spektrit politik në vend për votimin pro ushtrisë. Ndërsa zyrtarë nga Serbia kanë pohuar që formimi i ushtrisë është në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare dhe që serbët nuk e mbështesin transformimin e FSK-së në ushtri.

Ushtria nuk formohet më 28 nëntor

Haxhi Shala, kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës dhe të Sigurisë së Kosovës, për gazetën “Zëri” ka konfirmuar që nuk do të ketë votim të projektligjeve për ushtrinë më 28 nëntor sikurse është deklaruar nga zyrtarë shtetërorë në Serbi.

“Më 28 nëntor nuk do të ketë votim të projektligjeve për ushtrinë e Kosovës”, ka konfirmuar Shala për “Zërin”. Sipas tij, këto projektligje ende janë në procedim dhe nuk dihet se kur do të nisen në Kuvend për lexim të dytë.

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së ka deklaruar që me projektligjet ende janë duke u marrë grupet punuese.

“Ne tani jemi në procedura të rregullta dhe duke zbatuar Rregulloren e Kuvendit të Kosovës. Grupet punuese janë duke e bërë punën e tyre me projektligjet dhe pasi të përfundohet puna nga grupet punuese projektligjet u dërgohen komisioneve të përhershme dhe atëherë do të shohim se kur do të nisen për votim”, është shprehur ai.

Këto komente Shala i ka bërë pas deklaratës së ministrit të Brendshëm serb Nebojsha Stefanoviq, i cili për Radiotelevizionin Serb ka thënë se ka mundësi që Kosova ta shpallë formimin e ushtrisë më 28 nëntor, duke e lidhur kështu me Festën e Flamurit.

Siç është shprehur ai, Kosova është duke punuar që kjo të jetë data e shpalljes së ushtrisë.

“Ministria jonë e Mbrojtjes, e Brendshme dhe të gjitha shërbimet analizuan informacionet që kemi dhe përgatitëm disa skenarë të mundshëm që mund të ndodhin dhe natyrisht përgjigjet e Serbisë, por ne dëshirojmë të flasim seriozisht me partnerët që janë dhe ishin garantues – NATO-ja dhe BE – se diçka e tillë nuk mund të ndodhë”,  ka thënë Stefanoviq.

Kosova nuk ka kohë për të humbur në formimin e ushtrisë

Në anën tjetër njohësi i çështjeve ushtarake Ramadan Qehaja ka shpresuar që spektri politik në vend të jetë më i bashkuar për çështjen e ushtrisë.

“Në leximin e parë kjo ka kaluar, shpresoj që njëjtë do të ndodhë edhe në leximin e dytë. Shpresoj që do të ketë një bashkim të spektrit politik më të implikuar për sa i përket çështjes së formimit të ushtrisë”, është shprehur ai.

 Qehaja thotë që Kosova më nuk ka kohë për të humbur për sa i përket shndërrimit të FSK-së në ushtri.  

“Unë nuk e di se a do të jetë ushtria më 28 nëntor siç thuhet, por e di që shumë shpejt kjo çështje do të ndodhë dhe ne nuk kemi më kohë për të humbur për sa i përket formimit të ushtrisë dhe të dhënies së kompetencave ushtarake Forcës dhe Sigurisë së Kosovës”, ka deklaruar Qehaja për “Zërin”.

Për projektligjet e ushtrisë që mundësojnë transformimin e misionit të FSK-së në mision ushtarak janë mbajtur dëgjime publike edhe në Prizren, edhe në Graçanicë.