Dialogu s’mund të ndërpritet

Aktuale November 10, 2018 - 16:57
E fundit

Njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj , i ka cilësuar si lojë mes njëri-tjetrit deklaratat e fundit të dy presidentëve, atij të Kosovës dhe atij të Serbisë.

“Këto deklarata që i bëjnë dy presidentët më shumë i konsideroj njëfarëlloj spektakli medial sesa që vërtet duhet të merren seriozisht. Natyrisht të dyja palët tashmë kërkojnë, sidomos Serbia, që të përfitojë shumë më shumë nga procesi”, ka deklaruar ai, në një prononcim për "Zërin".

Pavarësisht deklarimit të Vuçiqit që dialogu nuk do të vazhdojë nëse nuk hiqet taksa prej 10 për qind, Mushkolaj ka vlerësuar se dialogu nuk do të ndalet.

LEXO EDHE: 'Spektakli' i Thaçit dhe i Vuçiqit

“Ne i pamë edhe deklarimet e Vuçiqit edhe sa i përket ushtrisë, sa i përket taksës prej 10 për qind për produktet serbe dhe për rrjetin energjetik. Natyrisht se Serbia është e shqetësuar që këto ndodhin për shkak se i ka interesat e veta në Kosovë, por kjo nuk do të thotë që absolutisht gjithçka ka përfunduar ose do të përfundojë, ose edhe se do të ndërpritet dialogu”, ka potencuar ai.

Bashkësia ndërkombëtare, sipas tij, dëshiron që këtë proces ta çojë deri në fund me çfarëdo kushti. Andaj, siç Mushkolaj është shprehur, opinioni publik nuk bën që të vihet në lajthitje dhe në bazë të deklaratave të presidentëve të gjykojë se gjithçka ka marrë fund.

“Unë nuk besoj kështu, vetëm se natyrisht është një lojë se cila palë të përfitojë më shumë, kjo është e tëra”, ka nënvizuar ai.