Lansohet pulla postare për heronjtë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu

Aktuale November 02, 2018 - 18:18
Lexo tjera detaje

Në 29-vjetorit e rënies heroike të heronjve të kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, është lansuar pulla postare me portretin e tyre.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se këta dy heronj janë të veçuar nga të gjithë heronjët e kombit.

“Janë të veçantë sepse veprimtaria e tyre liridashëse është e një periudhe më të hershme, është e një momenti më të hershëm ringritjes tonë për liri. Shqiptarët në ish-Jugosllavi në trojet e veta, nëpër periudha të ndryshme u ngritën për liri, në forma të ndryshme politike, por me 2 nëntor mbërrijmë edhe një herë te dëshmia, që përpos veprimit politikë, do të dimë me luftu edhe për lirinë tonë, pra do të dimë me rezistu, do të dimë me kërku liri deri në flijim”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se qeveria është shtëpi e Zotit, dhe se më së miri aty duhet të ndihen familjarët e heronjve, duke përkujtuar ata kështu me lansimin  e pullës postare.

Ndërsa, kryeshefi ekzekutiv i postës, Sejdi Hoxha, u shpreh i nderuar që sot në 29 vjetorin e rënies së tyre, kjo ndërmarrje po nderohet me lansimin e pullës postare me emrat e këtyre dy heronjve.

“Me këto pulla postare po e nderojmë ndërmarrjen tonë dhe po rrisim vlerën e Postës së Kosovës. Emrat e heronjve tanë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazlium ashtu siç janë përjetësuar në shumë institucione, rrugë dhe sheshe, nga sot e mot do të përjetësohen edhe në pullë postare imazhet e tyre të ndritura, të udhëtojnë në tërë botën përmes dërgesave tona postare”, u shpreh Hoxha.

Të pranishëm në ceremoninë e lansimit të kësaj pulle postare, ishin edhe familjarë të Afrim Zhitis dhe Fahri Fazliut.

Naim Zhitia ka theksuar se tash e tutje kanë më shumë përgjegjësi për faktin se institucionet e Kosovës po lëshojnë në qarkullim pullën postare me portretin e dy heronjve.

“Sot është një ditë e veçantë për ne familjarët, por njëkohësisht ndjejmë përgjegjësi sepse institucionet tona, institucionet e shtetit të Kosovës, gjegjësisht Posta e Kosovës, kryeministria, po e lëshojnë në qarkullim pullën postare me portretin e Fahriut dhe Afrimit” ka deklaruar Zhitia.

Ndërsa, Fahri Fazliu, nip i heroit Farhi Fazliut ka falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen në këtë përvjetor të tyre.

“Ju falënderoj nga zemra për prezencën tuaj në rastin e vënies së pullës postare për heronjtë e kombit Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. Prezenca juaj në këtë ditë të dhimbjes dhe krenarisë na bënë të ndihemi krenar e të fortë”, u shpreh Fazliu.

Afrimi e Fahriu ranë në altarin e lirisë pas një rezistence disa orësh ndaj një rrethimi të hekurt të policisë dhe ushtrisë serbo-jugosllave.

Gjatë ditës së sotme kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë homazhe në vendit e rënies së heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu në Breg të Diellit.