Sejdiu mbështet mbledhjen e fondeve për ndërtimin e Xhamisë së Madhe sipas projektit të Zaha Hadid

Aktuale October 12, 2018 - 16:01
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Çështja e ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, ka nxitur debat në publik, pasi që projekti i cili është zgjedhur të gjithë ekspertët kanë deklaruar se është një kopjim.

Pas kësaj në rrjetet sociale kanë shpërthyer një mori postimesh ku është kërkuar që të kthehet projekti i Zaha Hadid për Xhaminë e Madhe.

Madje kanë propozuar që të mblidhen edhe fonde për ndërtimin e Xhamisë së Madhe sipas këtij projekti.

Lidhur me këtë, deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ai do ta mbështesë dhe madje do të kontribuojë financiarisht në iniciativës për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e Xhamisë së Madhe sipas projektit të Zaha Hadid.

Sejdiu ka thënë se Prishtina duhet ta ketë xhaminë më të bukur të kohës sonë.

“Prishtina ime, e kaltër si qielli e ka zemrën e dashurinë me ba një xhami që na e zbukuron vendin, na i mbush zemrat e na mbanë bashkë. Prishtina ime e ndërton xhaminë vet”, ka shkruar Sejdiu.

Postimi i plotë:

Në një postim të një miku për çështjen e Xhamisë së madhe, në të cilën ai propozon që të mblidhen fonde për ndërtimin e xhamisë sipas propozimit të arkitektës Zaha Hadid, unë jam shprehur për këtë propozim dhe jam zotuar që do të kontribuojë edhe financiarisht.

Pra, nuk jam kundër ndërtimit të xhamisë së madhe. Besoj thellësisht se ajo duhet të ndërtohet.

Por, unë besoj që Prishtina ime duhet ta ketë xhaminë më të bukur të kohës sonë. Prishtina ime, e Kosova jonë e ndërton këtë xhami me para tona, secilit nga ne që ka pak!

Xhamia në Prishtinë bëhet vendi ku secili musliman ndjehet në shtëpi të zotit e mysafiri ndjehet mirë në te.

Gjatë këtyre 20 viteve të pasluftës, në Kosovë janë ndërtuar shumë xhami të reja. Me donatorë të llojllojshëm dhe me arkitekturë të ndryshme. Jo rrallëherë pa përfshirjen e komunitetit lokal fetar dhe të profesionistëve: arkitektë, urbanistë, ndërtimtarë, historianë, islamologë etj.

Prishtina ime, e kaltër si qielli e ka zemrën e dashurinë me ba një xhami që na e zbukuron vendin, na i mbush zemrat e na mbanë bashkë. Prishtina ime e ndërton xhaminë vet.

Sa për informim Zaha Hadid është arkitektja e parë grua që e ka fituar çmimin Pritzker Architecture në vitin 2004. Kjo zonjë ka propozuar edhe një zgjidhje për xhaminë e madhe në Prishtinë. E ky është edhe projekti që mbështes.

Image