Serbia në ofanzivë për 'çnjohjet' e Kosovës
Foto: Laura Hasani

Serbia në ofanzivë për 'çnjohjet' e Kosovës

Aktuale tetor 12, 2018 - 07:53
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Diplomacia serbe është duke e vazhduar ofanzivën për të siguruar sa më shumë “çnjohje” të shtetit të Kosovës. Madje ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka thënë se shpresojnë se deri në fund të vitit numri i njohjeve të Kosovës të bjerë nën 100. Në anën tjetër, Kosovën nuk e ka njohur asnjë shtet i ri që nga shkurti i këtij viti, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Shteti i Serbisë po vazhdon lobimin për tërheqjen e njohjeve për shtetin e Kosovës.

LEXO EDHE: Partitë pa dakordim, Thaçi me 'korrigjim'

Ndërsa synimi i diplomacisë serbe tani është që të ketë sa më shumë shtete që deklarojnë se e tërheqin njohjes së mëvetësisë së Kosovës.

Madje sipas kryediplomatit serb Ivica Daçiq pretendimet e Serbisë janë që deri në fund të vitit të bjerë nën 100 numri i shteteve që njohin Kosovën.

“Kjo është e rëndësishme nga pozicioni negociator, sepse në Prishtinë thonë: Çfarë kemi të negociojmë me ju kur na kanë njohur 116 shtete. Ata e kanë të fiksuar atë listë e që është një gënjeshtër e madhe, sepse disa shtete i kanë tërhequr njohjet”, deklaroi Daçiq, duke shtuar se do të ketë edhe çnjohje të reja gjatë vitit. 

Në anën tjetër, në Kosovë vlerësojnë që shteti serb po mundohet që të zhvlerësojë Pavarësinë e Kosovës, ndërsa kritikojnë edhe diplomacinë kosovare për mosangazhim të mjaftueshëm.

Pacolli: Jemi në lobim intensiv

Pavarësisht kësaj, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se është duke punuar që të përmirësohet shërbimi diplomatik dhe të bërët diplomaci.

Ai po ashtu ka thënë se diplomacia kosovare është në lobim intensiv.

“Siç e dini, për aq kohë sa kjo nuk keqpërdoret nga kundërshtarët e afirmimit ndërkombëtar të shtetësisë së Republikës së Kosovës unë angazhohem në diplomaci transparente dhe ju e keni parë, Kosova nuk ka pasur asnjëherë diplomaci më aktive, më dinamike dhe më gjithëpërfshirëse, pra jemi të angazhuar në lobim total”, ka deklaruar Pacolli.

Ai më tutje ka thënë që janë të angazhuar maksimalisht me qëllim që të arrihen njohje të reja.

“Ne mund ta përmirësojmë shërbimin dhe të bërët diplomaci, jemi duke punuar në këtë drejtim. Në lidhje me sfidat, ato janë aty për t’u tejkaluar, jo vetëm për t’i diskutuar e për t’u ndalur para tyre. Me lejoni ta them që avancimi i këtij statusi nuk ka ardhur vetvetiu, përpos si proces i lobimit intensiv, i cili po ashtu ka kërkuar edhe angazhim të jashtëzakonshëm që t’i përmbushim kriteret brenda vendit, në mënyrë që aplikacioni ynë të pranohet. Pra, avancimi i Republikës së Kosovës është proces meritor i angazhimit të brendshëm dhe diplomatik”, ka theksuar Pacolli.

Tërheqja e njohjeve, propagandë e Serbisë

Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, për “Zërin” ka thënë që deklaratat për tërheqjen e njohjeve janë vetëm propagandë e shtetit serb karshi Kosovës.

“Sa i përket tërheqjes së njohjeve, në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk njihet koncepti i ‘tërheqjes së njohjeve’ dhe nuk mund të ketë tërheqje. Kjo është një propagandë dhe lojë e Serbisë që po bën me Kosovën”, ka thënë ajo.

Ndërsa e pyetur nëse diplomacia kosovare po bën mjaftueshëm për të marrë njohje të reja, Pacolli ka thënë se me sjelljen e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës nuk mund të ketë njohje të reja.

“Jo, Kosova nuk është duke bërë mjaftueshëm. Sot ne kemi një president i cili ka hedhur në tavolinë të diskutimit me Serbinë sovranitetin dhe kufijtë e shtetit të Kosovës, ministri i Punëve të Jashtme po jep deklarata tejet të dëmshme për shtetin e Kosovës, duke theksuar se nuk ka nevojë të kemi kufij në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa kryeministri po kujdeset që të ruajë postin e kryeministrit. Me këtë sjellje të udhëheqësve të politikës së jashtme nuk mund të ketë njohje të reja dhe as nuk do të ketë”, ka thënë ajo.

Serbia ka tendencë zhvleftësimin e shtetësisë së Kosovës

Në anën tjetër, njohësi i integrimeve Taulant Kryeziu ka thënë që shteti serb me deklaratat për tërheqje të njohjeve ndaj Kosovës po tenton që të vërë në dyshim shtetësinë e Kosovës.

“Ka një tendencë për ta zhvleftësuar projektin e ndërtimit të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë. Ne nuk është dashur të biem në lojën dhe në provokimet serbe, sepse tanimë Serbia po tenton ta luajë rolin kinse ajo e ka në dorë konsolidimin e shtetësisë së Kosovës. Qëllimi ynë duhet të jetë i qartë, sepse prej vitit 2008 Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, prandaj çdo element dhe deklaratë e kujtdo qoftë që prek kufijtë, pra karakterin unitar të këtij shteti, është e dëmshme dhe nuk i kontribuon fuqizimit tonë në arenën ndërkombëtare dhe as rrugëtimit tonë në Bashkimin Evropian”, ka thënë Kryeziu për “Zërin”.

Ndërkohë, ai konsideron që në uljen e numrit të njohjeve ndaj shtetit të Kosovës ndikojnë edhe deklaratat e liderëve shtetërorë për “shkëmbim të territoreve”.

“Nëse shikojmë, vetëm në dy vjetët e fundit shohim që kemi pasur numër shumë të vogël në njohje ndaj Kosovës. Kemi pasur vetëm dy ose tri njohje në vit dhe të gjitha deklaratat e fundit që kanë të bëjnë me atë që po quhet “shkëmbim i territoreve” mendoj që po ndikojnë negativisht në këtë proces. Kjo sepse 116 vende që e kanë njohur deri më tash Kosovën e kanë njohur me këta kufij ekzistues dhe duke u bazuar në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, që është norma bazike e shtetësisë së këtij vendi”, ka thënë më tutje ai.