Pacolli: Ministria e Diasporës saboton diasporën edhe në diasporë

Aktuale October 11, 2018 - 17:24
Lajmet e fundit nga vendi

Deputetja e lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka akuzuar Ministrinë e Diasporës për mos njoftimin e duhur të publikut në diasporë për tubimet që kjo parti ka zhvilluar në Francë dhe në Zvicër, raporton “Zëri.info”.

Më poshtë mund ta lexon reagimin e plotë të saj:

Të dashur bashkatdhetarë, Ministria e Diasporës ka organizuar diskutime publike për Projekt Ligjin për Diasporën në këto diskutime po marrin pjesë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës. Nga Lëvizja Vetëvendosje isha unë në Francë ndërsa në Zvicër do të jetë edhe Glauk Konjufca.

Problemi me këto dëgjime është se njoftimet nga Ministria e Diasporës nuk janë bërë siç duhet.

Në rastin e Francës nuk ka pasur asnjë njoftim publik për diskutimet e planifikuara. Deputetët dhe Ambasada e Kosovës në Francë janë njoftuar të premten (5 tetor) pasdite ndërsa diskutimi në Paris është bërë me datë 9, të martën, dhe në Lyon me datë 10, të mërkurën. Në Paris diskutimet u bënë sa për të thënë se u bën ngase nuk kishte asnjë pjesëmarrës të mërgatës që kishte ardhur veçmas për këtë sepse askush nuk ishte informuar. Diskutimet u bënë në sesionin informues "Klima e Investimeve në Kosovë" e cila po ashtu ishte organizuar shkel e shko. Në Lyon fal angazhimit dhe punës së Shoqërisë Shqiptare "Iliria" e cila i ka informuar brenda ditës u bë që diku mbi 12 pjestarë të mërgatës të marrin pjesë në diskutim.

Njoftimi për diskutime në Zvicër është bërë vetëm me datë 9 ndërsa diskutimet do të mbahen me datë 12 në Gjenevë, me datë 13 në Bern dhe me datë 14 në Cyrih. Dhe ky njoftim është bërë vetëm në ëebfaqen e Ministrisë së Diasporës.

Diskutimet tjera në vendet tjera të Evropës dhe në Amerikë janë planifikuar të mbahen shumë shpejt por as për këto nuk është bërë ende njoftimi se kur dhe ku do të mbahen.

Diskutimet për Projekt Ligjin për Diasporën janë shumë të rëndësishme por kështu nuk po mendon Ministria e Diasporës ani pse ata mund të thonë të kundërtën. Mungesa e informatave të sakta dhe njoftimeve që duhet të bëhen me kohë tregon që Ministria e Diasporës ka për qëllim të organizoj diskutime në mërgatë dhe për mërgatën por pa prezencën e saj.

Pandaj, të nderuar bashkatdhetarë, nëse keni kohë të lirë ejani në diskutime. Një ligj i mirë për ju nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen tuaj.

Orari i takimeve në Zvicër:

Gjenevë - 12.10.2018 në ora 17:00.

Vendi: Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Gjenevë (Rue de Lausanne 63, 1202 Geneve, kati i 3-të)

Bern - 13.10.2018 në ora 14:00

Vendi: Ambasada e Kosovës në Bernë (Zahringerstrasse 25, 3012 Bern)

Cyrih - 14.10.2018 në ora 14:00

Vendi: Konsullata e Kosovës në Cyrih (Eugen-Huberstr, 19a)