Kërkohet ndryshim “radikal” i Kushtetutës

Aktuale mars 02, 2015 - 07:59

Partnerët e koalicionit qeverisës PDK-LDK kanë për obligim që të nisin procesin e ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës që nga preambula e saj e pjesët e tjera normative dhe jo të bëhen ndryshime kozmetike apo parciale. Ndryshimi i aktit më të lartë juridik konsiderohet domosdoshmëri, duke marrë parasysh se shumë çështje, sikurse Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, Gjykata Speciale, transformimi i FSK-së në FAK, Ligji për Zgjedhjet, mënyrës së zgjedhjes së presidentit ...etj në vazhdimësi kanë interferuar në Kushtetutën e Kosovës.

Ekspertët për çështje kushtetuese vlerësojnë se Kosova ka nevojë që të hapë Kushtetutën e saj dhe të bëjë ndryshime substanciale në aktin më të lartë juridik të vendit e jo vetëm ndryshime të bëhen vetëm për çështje të caktuara. Madje, sipas tyre, ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës është dashur të bëhen menjëherë pas tri vjetësh të kalimit të afatit të Planit të Ahtisarit dhe jo ky proces të nisë tani nga kjo legjislaturë e pestë.

Eksperti i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, ka sqaruar se puna e dy komisioneve që ishin mandatarë në nomenklaturën e fundit: njëri për ndryshimet kushtetuese që kishte të bënte me mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe puna e Komisionit për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet kanë mbetur në gjysmë të rrugës, për shkak se nuk kishte vullnet politik për t’i bërë ndryshimet. Sipas tij, pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, krijimit të Gjykatës Speciale, patjetër se duhet të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës, sikurse dhe për çështjen e transformimit të FSK-së në FAK.

 Pakicat, çelësi i ndryshimeve

“Kushtetuta e Kosovës duhet të rishkruhet që nga preambula e saj, sepse kemi të bëjmë me një dokument diskriminues dhe të mangët për të gjithë qytetarët e Kosovës, ku nuk flitet për historinë e popullit shumicë të Kosovës e që është një padrejtësi e madhe që nuk ndodh me kushtetutat e tjera të botës”, ka thënë ai.

Eksperti Baraliu thotë se ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës duhet të bëhen pasi që marrëveshjet e arritura në Bruksel në mes të Kosovës dhe të Serbisë kanë prekur aktin më të lartë juridik të shtetit, sikurse në gjyqësi, polici...etj. “Krijimi i Asociacionit të Komunave apo Bashkësisë së Komunave, që është një pushtet i tretë në Kosovë, implikon ndryshimet e caktuara kushtetuese”, ka thënë ai. Sipas tij, përgjegjësia që të iniciohet hapja e ndryshimit të Kushtetutës i takon koalicionit qeverisës PDK-LDK. Megjithatë, ai thotë se edhe pse kemi të bëjmë me një koalicion të shumicës, është Lista Serbe ajo e cila është çelësi apo faktor vendimtar që i parapërcakton ndryshimet kushtetuese dhe ndryshimin e ligjeve vitale të vendit. “Pa pëlqimin e serbëve nuk mund të hapet Kushtetuta. Pra, Lista Serbe është faktor dominant në të gjitha proceset”, ka thënë ai.

Edhe njohësi tjetër i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka, thotë se ndryshimet e nisura për Ligjin për Zgjedhjet dhe mënyrën e zgjedhjes së presidentit janë kthyer në pikën zero. Sipas tij, kjo legjislaturë është dashur menjëherë të iniciojë çështjen e rishikimit dhe ndryshimit të Kushtetutës të disa dispozitave që u dëshmuan edhe gjatë kohës së krizës politike se ka dykuptimësi. “Kemi dispozita të paqarta, por edhe që janë në kundërshtim me njëra-tjetrën, prandaj duhet të ngrihet një komision që të merret me ndryshimin e Kushtetutës. Pra, do të duhej që kjo legjislaturë dhe ky ekzekutiv ta kishte prioritet në agjendën e vet rishikimin e Kushtetutës”, ka thënë ai.

Ky Kuvend ta ndryshojë Kushtetutën

Smaka është skeptik se dy partnerët e koalicionit do ta fusin në agjendën e tyre si prioritet ndryshimin e Kushtetutës, edhe pse, thotë ai, kjo është një domosdoshmëri. “Ka shumë pika të Kushtetutës që duhen ndryshuar nga njerëz të kualifikuar dhe për këtë duhet të ngrihet një komision nga njerëz profesionistë, akademikë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, deputeti nga LDK-ja, Arben Gashi, nuk ka mundur të deklarohet rreth ndryshimeve të Kushtetutës, duke thënë se ende nuk është miratuar strategjia legjislative dhe nuk dihet nëse kjo çështje është në agjendë. Megjithatë, ai ka thënë se kjo çështje është në vullnetin e liderëve politikë, derisa ka theksuar se puna e komisioni për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet është pezulluar dhe kthyer në pikën zero, kur kihet parasysh fakti se Kosova shpalli zgjedhjet më 8 qershor të vitit 2014.

Në anën tjetër, është ministri i FSK-së, Haki Demolli, i cili ka paralajmëruar se shumë shpejt do të procedohen në Kuvend amendamentet kushtetuese që mundësojnë transformimin e Forcës së Sigurisë në ushtri. Megjithatë, ai ka thënë se para se të dërgohet ligji për aprovim, gjithsesi duhet të amendamentohet Kushtetuta, për çka nevojitën votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit, por edhe 2/3 e votave të deputetëve të pakicave. Duhet theksuar se është Lista Serbe, e cila pas shkarkimit të ish- ministrit serb, Aleksandër Jabllanoviq, ka braktisur Qeverinë dhe Kuvendin në shenjë revolte për largimin e këtij ministri serb.