"Qeveria 'Haradinaj' nuk ka forcë për të vazhduar mandatin"

Aktuale October 02, 2018 - 10:25
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Gjatë së hënës (dje) është raportuar se ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka ofruar dorëheqjen te kryeministri Ramush Haradinaj dhe te kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli. Tahiri thuhet se nuk është i kënaqur me zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë, si dhe me ndërhyrjet politike në këtë sektor, por jozyrtarisht mësohet se arsyeja e dorëheqjes është vizita e tij e fundit në Liqenin e Ujmanit të shtunën e kaluar bashkë me presidentin Hashim Thaçi, si dhe me ministrin e Financave Bedri Hamzën, shkruan "Zëri". 

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë që dorëheqja e ministrave të qeverisë “Haradinaj” po ndodh si pasojë e moskoordinimit të koalicionit qeverisës. Madje sipas tyre nëse kjo situatë vazhdon ditët e qeverisë “Haradinaj” janë të numëruara

Artan Murati, nga KDI-ja, ka thënë që qeveria “Haradinaj” nuk ka forcë për të vazhduar më tutje. Murati ka thënë se koalicioni qeverisës nuk i ka numrat për të kaluar asnjë ligj.

“Qeveria ‘Haradinaj’ nuk ka as kontinuitet e as forcë për të çuar më tutje mandatin e vet deri në fund dhe për këtë gjë pajtohemi të gjithë, mirëpo edhe për ta rrëzuar Qeverinë duhet nënshkrime në Kuvend, të cilat as opozita nuk i ka, kësisoj ose duhet të pritet ndonjë plasaritje mes koalicionit qeverisës, ose ndonjëra prej partive në koalicion që do të dalë në krahun e opozitës dhe ta rrëzojë Qeverinë”, ka thënë Murati për "Zërin".

Sipas Muratit, Qeveria nuk i ka numrat as për të kaluar ligjet më të thjeshta në Kuvend.

“Jemi duke e parë që kjo Qeveri nuk i ka numrat e mjaftueshëm në Kuvend për ta kaluar asnjë ligj më të thjeshtin e lëre më për të shtyrë përpara një agjendë politike, por këto telashe munden të shpërfaqen në qeverisje në qoftë se ka moskoordinim në mes të partnerëve të koalicionit, atëherë mundet të sjellë deri në telashe, të cilat sipas praktikës së mëhershme kanë rezultuar me zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Murati për “Zërin”.

Ndërkohë, duke folur për mundësinë e dorëheqjes së ministrit të Drejtësisë Ableard Tahirit, hulumtuesi i KDI-së ka thënë që kjo gjë mund të ndodhë si pasojë e problemeve që ka koalicioni PAN. /ZERI