Bashkimi i opozitës, peng i kalkulimeve politike

Aktuale October 02, 2018 - 07:53
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Ndonëse vazhdimisht deklarojnë se janë për një bashkëpunim të mirëfilltë për rrëzimin e Qeverisë dhe për ndaljen e presidentit Hashim Thaçi në bërjen e “pazareve” me territore, partitë opozitare nuk po arrijnë dot ta krijojnë një plan për t’i realizuar këto dy synime. LDK-ja, Lëvizja Vetëvendosje dhe PSD-ja ende nuk kanë ndërmarrë asnjë hap sa i përket ngritjes së mocionit për rrëzimin e Qeverisë, ndonëse LDK-ja gjatë tërë kohës po pohon se janë duke punuar për ngritjen e mocionit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ndërkohë, pas protestës së organizuar nga LVV-ja më 29 shtator 2018, kundër presidentit Thaçi dhe ideve të tij për çështjen e korrigjimit të kufirit, ky subjekt ka paralajmëruar protesta të serishme në ditët në vijim.

LEXO EDHE: Qeveria, drejt vetërrëzimit

Porse asnjëra prej partive tjera në opozitë (LDK, PSD) nuk kanë konfirmuar nëse do të dalin në protestën e radhës.

Megjithëkëtë, përfaqësuesit e të tria partive që nuk janë pjesë e pushtetit aktualisht vlerësojnë se bashkëpunimi opozitar është i domosdoshëm.

Por pavarësisht kësaj, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se një gjë e tillë është gati e pamundur të ndodhë.  

Rugova: Po t’i kishim numrat sot do ta rrëzonim Qeverinë

Teksa ka folur rreth ngritjes së mocionit deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka thënë për “Zërin” se  qëllimi i opozitës është dhe do të mbetet rrëzimi i qeverisë “Haradinaj”.

Madje ditëve të fundit sipas tij ka pasur intensifikim të konsultimeve e të takimeve mes faktorit opozitar, si dhe takime në mes të liderëve të të dyja partive më të mëdha opozitare, LDK-së dhe LVV-së.

“Jemi në përpjekje dhe në koordinim, që thjesht duke tentuar përmes formave ligjore dhe kushtetuese ta rrëzojmë këtë Qeveri. Në këtë kuptim, siç dihet, për ta rrëzuar atë me mocion kërkohen 61 vota dhe ne jemi me angazhime e sipër që ta sigurojmë numrin e nevojshëm të votave”, ka pohuar ai.

Porse, Rugova nuk ka dhënë detaje se kur do të mundë të ngrihet një mocion i tillë. “Po t’i kishim numrat sot do ta rrëzonim këtë Qeveri, nuk mund të flasim për kohë e për afate”, ka shtuar ai.

Ndërkohë i pyetur nëse LDK-ja do të marrë pjesë në protestën e radhës të paralajmëruar nga LVV-ja, Rugova ka thënë se për këtë vendos Kryesia.

Nagavci: Po punojmë që ta rrisim bashkëpunimin me partitë opozitare

Ndërkohë, edhe pse ende nuk ka ndonjë sinjal të dukshëm të koordinimit të spektrit opozitar karshi synimeve të tyre, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci ka konsideruar se një bashkëpunim me pjesën tjetër të opozitës sa i përket çështjes së dialogut dhe rrëzimit të Qeverisë është tejet i rëndësishëm.

 “Mendojmë që Thaçi duhet të japë dorëheqje. Në anën tjetër duhet të bëhemi gati që të kemi zgjedhje të reja në mënyrë që të kemi institucione kredibile për t’i vazhduar këto procese që janë të rëndësishme për vendin. Pra, ne do t’i vazhdojmë aktivitetet tona, por shpresojmë që të kemi koordinim të opozitës për të dyja drejtimet, edhe për ta arritur dorëheqjen e Thaçit, edhe për rrëzimin e Qeverisë”, ka theksuar ajo.

Me këtë rast Nagavci është shprehur optimiste se në protestat e radhës, që do të organizohen nga ky subjekt, do të marrin pjesë të gjitha partitë opozitare.  

“Ne besojmë që kjo tashmë përbën edhe një mesazh për partitë e tjera opozitare. Po punojmë që ta rrisim bashkëpunimin me opozitën për t’i koordinuar aktivitetet edhe në shesh, edhe në nismën ligjore”, ka nënvizuar ajo.

Kuçi: Jemi i vetmi subjekt që i kemi dhënë nënshkrimet për rrëzim të Qeverisë

Kurse Natyra Kuçi, zëdhënëse e Partisë Socialdemokrate (PSD), ka thënë se ky subjekt ka ndërmarrë veprime konkrete lidhur me rrëzimin e Qeverisë dhe dialogun.  

“Sa i përket mocionit për rrëzim të Qeverisë, ne jemi i vetmi subjekt opozitar që i kemi dhënë nënshkrimet. Kurse për dialogun ne kemi propozuar rezolutë, e cila kërkon që ky proces ta ketë bartës Kuvendin e Republikës së Kosovës. Përmes saj kemi kërkuar dakordim të forcave politike fillimisht për një platformë shtetërore që duhet të votohet me 2/3 e Kuvendit e më pas edhe ekipi negociator të votohet po më shumicë të kualifikuar”, ka deklaruar ajo.

Kuçi tutje ka thënë se PSD-ja u ka bërë thirrje dy partive të tjera opozitare që të ulen në tavolinë dhe të bisedojnë për një strategji të përbashkët si opozitë, në mënyrë që të merren vesh për veprime konkrete karshi të gjitha çështjeve aktuale.

“Ne e shohim të domosdoshme për funksionim të mirëfilltë si opozitë bashkërendimin. Pra, ulja në një tavolinë dhe diskutimi për një strategji të përbashkët është veprimi adekuat, ku do të mundë të flisnim në mënyrë të detajuar për veprimet në të ardhmen”, ka nënvizuar zëdhënësja e PSD-së gjatë një prononcimi për “Zërin”.

Haxholli: Partitë opozitare pa koordinim, po bëjnë kalkulime

Por pavarësisht këtyre Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka konsideruar se nuk do të ketë koordinim të mirëfilltë nga ana e opozitës lidhur me çështjen e dialogut.

“Nuk pres që do të ketë një koordinim të gjerë mes të gjitha subjekteve opozitare, sepse subjektet opozitare kanë dallime konceptuale rreth dialogut dhe disa po bëjnë edhe kalkulime politike sa i përket asaj se kush po e merr iniciativën”, ka deklaruar ajo.

Mirëpo Haxholli ka vlerësuar se do të ishte e domosdoshme që partitë opozitare të dakordoheshin, së paku në vija të trasha, rreth çështjes së negociatave me Serbinë.

E pavarësisht paralajmërimeve të bëra nga partitë opozitare për zgjedhje të parakohshme, ajo ka konsideruar se nuk është momenti i duhur për ta ndërmarrë një hap të tillë.

Beqaj: Pres mobilizim të opozitës

Në anën tjetër, politologu Belul Beqaj është shprehur optimist se protesta e radhës e cila do të organizohet për ndaljen e “aventurave” të presidentit Hashim Thaçi, do ta gjejë të bashkuar opozitën.

“Protesta e organizuar nga LVV-ja, ku ishin edhe disa deputetë dhe disa përfaqësues të respektuar të shoqërisë civile, e ka kaluar testin sprovues në mënyrën më korrekte të mundshme. Pres që protesta e paralajmëruar e radhës t’i gjejë të bashkuar të gjithë që janë kundër aventurave të presidentit Thaçi. Besoj se në protestën e radhës do të jemi së bashku të gjithë që dëshirojmë konsolidimin e shtetit e jo degradimin e mëtejmë të tij”, ka deklaruar ai.

Sipas Beqajt, opozita ka shumë arsye për të pasur pakënaqësi ndaj pushtetit aktual, porse të gjitha partitë e kanë prioritet largimin e idesë së korrigjimit të kufirit nga rendi i ditës.

“Prandaj pres që opozita do të mobilizohet pa përjashtim për të krijuar sinergji kundër së keqes së përbashkët, ngase asnjë pushtet nuk është i vlefshëm kur rrezikohet integriteti dhe sovranitet i tij”, ka potencuar profesor Beqaj.