OVL-UÇK kërkon nga Qeveria rivlerësim të procesit për listat e veteranëve
FOTO: Driton Bublaku

OVL-UÇK kërkon nga Qeveria rivlerësim të procesit për listat e veteranëve

Aktuale shtator 19, 2018 - 17:04
Lexo detajet

Image

 

Zyrtarë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL- UÇK), përmes një konference për media u kanë dhënë urdhër veteranëve që u ka dalur emri në listat e veteranëve të rrejshëm që të mos marrin asnjë veprim deri në vendimin e ardhshëm që do të marrë kryesia e kësaj organizate. Në anën tjetër ata kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që  përmes një komisioni të bëjë një rivlerësim të gjithë procesit, raporton “Zeri.info”

Sipas kësaj organizate publikimi i listave me emrat e më shumë se 20.000 veteranëve që dyshohet se janë përfitues të jashtëligjshëm të pensioneve, është i jashtëligjshëm.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, mendon se me nxjerrjen dhe publikimin e listës së ‘përfituesve’ të kundërligjshëm, nga Prokuroria Speciale e Kosovës është bërë shkelje ligjore”,  ka thënë kryetari i OVL-UCK, Hysni Gucati.

Tutje ai ka thënë që këta veteranë nuk kanë pasur mundësi të mbrohen dhe se ka pasur shkelje ligjore sipas Gucatit është pranuar edhe nga Prokuroria.

LEXO EDHE: Reagon OVL-UÇK: Publikimi i listave të veteranëve, veprim kundërligjor

“Prokuroria me këtë veprim duke shpallur përfitues të kundërligjshëm 20.238 veteranë, i ka shpallur të dyshuar pa ju dhënë mundësia në mbrojtje dhe sfidimin e provave që shkojnë në dëm të tyre në fazën e hetimit penal. Së në këtë mënyrë janë bërë shkelje ligjore këtë e ka pranuar edhe vet prokuroria”, ka thënë tutje ai.

Zyrtarë nga kjo organizatë vlerësojnë që ky veprim nga Prokuroria Speciale mund të shkaktojë një kaos juridik, raporton tutje “Zeri.info”.

“Mënyra që ka zgjedhur Prokuroria Speciale, duke e shndërruar veten nga një organ hetues në një organ riverifikues nuk çon drejtë një zgjidhje efikase po më tepër mund të shkaktojë një kaos juridik”, ka pohuar tutje ai.

Për gjithë këtë problem OVL- UCK ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës rivlerësim të gjithë këtij procesi.

“OVL-UCK kërkon nga Qeveria  e Kosovës që të fillojë rivlerësimin e gjithë këtij procesi me anë të një Komisioni i cili do të punojë në bazë të kritereve të sakta të përcaktuara me ligjin e Veteranëve të Luftës së UÇK-së”, ka përfunduar Gucati.

Prokuroria e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave anëtarë të Komisionit qeveritar për verifikimin e statusit të veteranëve të luftës.

Në këtë aktakuzë janë publikuar më shumë se 20 mijë emra të veteranëve që dyshohet se kundërligjshëm kanë përfituar nga buxheti i shtetit duke u bërë veteran pa qenë fare në luftë. Në këto lista krahas emrave të veteranëve të rrejshëm pretendohet se kanë dalur emrat edhe të shumë veteranëve të vërtetë në mesin e tyre edhe deputetë. /ZERI