"Pritet tërheqja e palës vendase nga iniciativa për ushtrinë"

Aktuale September 15, 2018 - 23:26
Lexo detajet

Ndonëse para dy ditësh Qeveria e Kosovës votoi Pakon e Projektligjeve për Transformimin e FSK-së në Ushtri, një gjë e tillë mbetet e vështirë për t’u realizuar. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët thonë se reagimet e NATO-s dhe të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, të ardhura pas vendimit të Qeverisë, tregojnë se bërja e ushtrisë nuk do të lejohet të ndodhë nëpërmjet ndryshimeve ligjore, duke shpërfillur amendamentimet e Kushtetutës, shkruan "Zëri.info". 

Kurse duke u bazuar në veprimin e Qeverisë në njërën anë dhe në reagimet e Ambasadës Amerikane dhe të NATO-s në anën tjetër, sipas njohësit të çështjeve politike Agron Halitajt, shihet qartë që asgjë nuk ka ndryshuar nga e kaluara.

Andaj sipas tij gjasat më reale janë që kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, të zmbrapset nga nisma për ushtrinë.

“Tendencat e lidershipit të Kosovës si më përpara, si sot, kanë qenë dhe janë që FSK-ja të transformohet me anë të ligjit në rast se nuk hiqet bllokada nga Lista Serbe që kjo të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, për sa kohë që qëndrimi i aleatëve, si në të kaluarën, si sot, është që ushtria të bëhet vetëm nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Në këto rrethana nuk është e pritshme që aleatët ndërkombëtarë të ndryshojnë qëndrimin, por ajo që pritet është tërheqja e palës vendëse nga iniciativa”, ka deklaruar ai për "Zërin".

Sipas Halitajt, kryeministri Ramush Haradinaj e di mirë se po të ekzistonte një hapësirë sado e vogël që ushtria të bëhej me ligj nuk do t’i vinte rendi atij ta bënte këtë gjë.  

“Kreditet për ushtrinë do t’i merrte qëmoti Hashim Thaçi. Praktikat nga e kaluara dëshmojnë se çështja e transformimit të FSK-së në ushtri është ngritur sa herë që koalicionet qeverisëse kanë qenë në krizë, me qëllim që të hapeshin rrugë për zgjedhje të parakohshme”, ka potencuar ai.

E diçka e tillë, siç ai është shprehur, mund të ndodhë edhe tash, kur koalicioni ka numra të paktë në Kuvendin e Kosovës.

“Diçka e ngjashme është e pritshme të ndodhë edhe tani, kur koalicioni qeverisës ka më pak numra të deputetëve shqiptarë se që ka opozita dhe kur qeveria ‘Haradinaj’ është e goditur nga brenda nga Lista Serbe, e cila vepron me direktiva të Beogradit. Me këtë raport acarues në Qeveri dhe me këtë raport numrash në Kuvend nuk mund të merren vendime të mëdha për shtetin”, ka potencuar ai. /ZERI