MPJ lë fajtor Serbinë, e opozita thotë se tema e korrigjimit të kufirit ndali njohjet e Kosovës

Aktuale September 15, 2018 - 20:25
Lexo detajet

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, kishte premtuar se do ti sillte shumë njohje shtetit të Kosovës por një gjë e tillë nuk po ndodh. Qe shtatë muaj Kosovën nuk e ka njohur asnjë shtet. Në MPJ arsyetohen se po u bën pengesë lobimi i shtetit serb, derisa opozita thotë se stagnimi i dialogut Kosovë - Serbi dhe ideja për shkëmbim territoresh me shtetin fqinj e ka penguar ardhjen e njohjeve të reja për Kosovën.

Pavarësisht premtimeve të shefit të diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, shtetin e Kosovës nuk e ka njohur asnjë shtet që shtatë muaj.

Shteti i Barbadosit është i fundit që e ka njohur Kosovës gjatë muajit shkurt të këtij viti.

Për numrin e vogël të njohjeve Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani thotë po ndikon negativisht stagnimi i dialogut Kosovë-Serbi dhe ideja e Presidentit Hashim Thaçi për shkëmbim territoresh me Serbinë

“Arsyeja themelore pse nuk ka njohje nga shtetet mos njohse është fakti që dialogu Kosovë-Serbi ka krijuar një amulli ka krijuar mjegull tek ato shtete dhe një mesazh të gabuar se kinse subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës dhe statusi akoma nuk është vendosur”, tha Osmani.

Sipas Osmanit diplomacia kosovare ka dështuar edhe në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Ani se njohjet po mungojnë këshilltari i Begjet Pacollit, Fatmir Haxholli thotë se shefi tij, po punon fuqishëm për ta fuqizuar shtetin e Kosovës, deri sa po e fajëson Serbinë për kundër lobim.

“Pacolli po punon fuqishëm edhe për njohje pavarësisht se Serbia e bën anti fushatën e saj, e cila deri diku po na dëmton por që ne jemi në një rrugë të pakthyeshme të fuqizimit tonë ndërkombëtar’, tha Haxholli.

Që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 116 shtete e kanë njohur Kosovën si shtet. I fundit është Barbadosi, shteti prej nga ka prejardhje këngëtarja me famë botërore Rihanna.T7