Thaçi s’i bindet Merkelit

Thaçi s’i bindet Merkelit

Aktuale shtator 11, 2018 - 07:42
Lexoni më shumë detaje
Image

Tri ditë më parë kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi në Shkup se nuk mund të ketë ndryshim të kufijve në Ballkan, por presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po e përsërit qëndrimin e tij për bashkimin e Luginës me Kosovën. Në anën tjetër, edhe Serbia vazhdon të ketë pretendime mbi veriun e vendit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Pavarësisht deklarimeve të vazhdueshme të kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, se në Ballkan nuk mund të ketë ndryshim të kufijve, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po vazhdon të theksojë se do të punojë për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

Edhe pse një gjë e tillë nuk është e sigurt nëse do të arrihet, kreu i shtetit është zotuar edhe gjatë ditës së djeshme se nuk do të heqë dorë deri në fund mbi këtë kërkesë të shqiptarëve të Luginës, shkruan më tutje "Zëri".

Megjithëkëtë, monitoruesit e procesit të dialogut me Serbinë vlerësojnë se deklarimet e tilla të kryetarit të Kosovës po bëhen vetëm për konsum, pasi është absurditet të mendohet që Kosova mund t’i marrë tri komuna të Serbisë (Preshevë, Medvegjë, Bujanoc), pa i dhënë asgjë në këmbim asaj.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e opozitës vlerësojnë se kreu i shtetit është duke luajtur një lojë të rrezikshme me këtë proces, andaj Thaçi duhet të pengohet sa më parë në këtë drejtim.

Deputetët e opozitës me këtë rast kanë paralajmëruar edhe organizimin e protestave në ditët në vijim për ta penguar presidentin në rrugëtimin që ka nisur.

Thaçi: Do të bëjmë përpjekje maksimale që çështja e Luginës të përmbyllet

Teksa ka folur rreth kërkesës së shqiptarëve të Luginës për bashkim me Kosovën, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se tash e tutje do ta mbështesë edhe më shumë këtë se çfarë ka bërë në të kaluarën.

“Dihet botërisht që këtë të drejtë presidenti e ka mbështetur plotësisht. Nëse dje e ka mbështetur fuqishëm, sot do ta mbështesë edhe më fuqishëm që kjo e drejtë të realizohet. Do të bëjmë përpjekje maksimale që kjo çështje të përmbyllet njëherë e përgjithmonë dhe kjo padrejtësi historike të korrigjohet”, ka theksuar ai.

Këto deklarime kreu i shtetit i ka bërë pavarësisht deklaratave të kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila edhe para tri ditësh theksoi se nuk duhet të ketë ndryshim të kufijve në Ballkan.

Sikurse gjatë muajit të shkuar që kishte deklaruar në Berlin, Merkel deklaroi njëjtë edhe gjatë javës së kaluar në Shkup gjersa mbajti konferencë me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev.

E pyetur për mundësinë e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, Merkel nuk lëvizi nga qëndrimi që kishte, duke u shprehur kundër ndryshimeve të tilla.

“Në aspektin gjerman dhe evropian kemi interes për rajon të qëndrueshëm. Kjo është kyçe për stabilitetin edhe të Evropës, edhe të BE-së. Unë besoj se integriteti territorial është kyç për rajonin”, u shpreh Merkel.

Kollçaku: Për ta ndalur Thaçin do të organizojmë edhe protesta

Në anën tjetër, pavarësisht deklarimeve të Thaçit për bashkim të Luginës me Kosovën deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka thënë se kreu i shtetit asnjëherë të vetme nuk ka treguar se çka planifikon t’i japë Serbisë në këmbim të kësaj, kjo pasi marrja e komunave me shumicë shqiptare nga Serbia është pothuajse e pamundur pa i dhënë diçka Serbisë.

“E dini që LVV-ja dhe opozita kanë kërkuar një debat në Kuvendin e Kosovës, por fatkeqësisht kemi hasur në moskuptim nga pozita. Ajo ka qenë hapi i parë, ku është dashur të diskutohet edhe për dialogun e deritanishëm, po ashtu edhe për hapat e mëtutjeshëm, për platformën e dialogut dhe ju e dini që po flitet për korrigjim të kufijve”, ka thënë ajo. 

Aktualisht sipas saj po bëhen bisedime pa autorizim dhe një gjë e tillë është e patolerueshme, andaj ka paralajmëruar se opozita do të organizojë edhe protesta vetëm për ta ndalur Thaçin në këtë rrugëtim si e ka nisur.

Kusari-Lila: Thaçi po bën lojë të ndyrë dhe të rrezikshme

Kurse deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka konsideruar se edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e di që nuk do të ketë ndryshim të kufijve, pavarësisht deklarimeve të tij për korrigjim.

“Kjo është një lojë e ndyrë e tij në raport me pozicionin e tij në bisedime dhe shitjes kinse të kauzës patriotike në raport me kërkesat e shqiptarëve të Luginës”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Deklarimet e tilla sipas deputetes nga opozita paraqesin një folklorizëm të presidentit dhe një lojë tejet të rrezikshme, kjo pasi shpërfaqja e ideve të tilla nuk i ndihmon as shqiptarët në Luginë, por as nuk e shtyn përpara agjendën evropiane të Kosovës.

Andaj, siç ajo është shprehur, kjo lojë e kreut të shtetit mbi kufijtë duhet të ndalet menjëherë.

“Kemi deklarime nga kancelarja Merkel që të mos luhen kufijtë, përderisa presidenti sot del dhe deklaron diçka tjetër për tri komunat. E kemi një situatë në të cilën duhet të ndalet loja e rrezikshme e presidentit Thaçi, të kthehet procesi në Kuvendin e Kosovës”, ka nënvizuar ajo.

Haxholli: Kompromisi më i madh që mund të jetë - Asociacioni

Kurse Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) në kuadër të projektit për dialog, ka thënë se ideja e bashkimit të Luginës me Kosovën është duke u hiperbolizuar nga presidenti, me qëllim që të mbulohen kompromiset të cilat mund të arrihen në kuadër të dialogut.

“Kompromisi më i madh, që besoj se do të jetë, është Asociacioni i Komunave Serbe, të cilit ndoshta do t’i shtohen kompetenca autonome. Prandaj mendoj që edhe ai siç e ka thënë para disa ditësh se kjo do të bëhet në kuadër të demarakimit të kufirit. Do të thotë korrigjimi do të bëhet në kuadër të demarkimit të kufijve, ndërkaq as ai nuk e beson se do të arrijmë ne ta marrim gjithë Luginën e Preshevës”, ka deklaruar ai.

Megjithëkëtë Haxholli ka thënë se në kuadër të demarakimit mund të bëhet ndonjë korrigjim i përmasave siç ishte bërë me demarkacionin me Malin e Zi, por jo më shumë, kjo në situatën e tanishme synimi kryesor i Serbisë është krijimi i Asociacionit të Komunave me kompetenca autonome.

Demhasaj: Marrja e tri komunave të Serbisë, e pamundshme

Edhe Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, ka vlerësuar se është absurd pretendimi që të merren tri komuna nga Serbia pa i dhënë asgjë në këmbim shtetit serb.

“Është e pamundshme, e paarritshme dhe e palogjikshme që të pretendohet të merren tri komuna nga Serbia dhe në të njëjtën kohë të mos jepet asgjë. Ose do të ndodhë që të ketë shkëmbim të komunave, veriu t’i jepet Serbisë, ose kjo gjë nuk do të ndodhë, domethënë po përdoret vetëm për konsum publik dhe jo për diçka tjetër”, ka deklaruar ai.  

Andaj, kundërshtimi i Gjermanisë ndaj kësaj ideje është më se i qëlluar.

“Derisa Gjermania nuk e përkrah, që unë konsideroj se me të drejtë nuk po e përkrah një gjë të tillë, për arsye jo pse shqiptarët e Luginës nuk e meritojnë t’i bashkohen Kosovës, por për arsye se një lëvizje e mundshme e kufijve në Ballkan, Gjermania e di shumë mirë se mund të ketë luftëra në Ballkan. Është e rrezikshme, kjo krijon një precedent në Ballkan”, ka potencuar ai.