Minoritetet po ia mbajnë 'këmbët e qelqit' qeverisë “Haradinaj”

Aktuale September 03, 2018 - 13:36
Lexo tjera detaje

Kryetari i Komunës së gjilanit Lutfi Haziri ka folur në një intervistë për Gazetën "Zëri", në lidhje me çështjen e dialogut dhe arritjen e konsesuesit.

Sipas tij arritja e konsensuesit është e mundshme dhe se duhet të arrihet dakordimi për agjendë në interes të vendit.

Zëri: Arritja e konsensusit të brendshëm për çështjen e dialogut duket e pamundur. Çka po e pengon arritjen e konsensusit?

Haziri: Unë edhe më tutje besoj që ka mundësi të arrihet konsensusi, ne duhet të dakordohemi për një agjendë në interes të vendit, për një datë të planifikuar të zgjedhjeve të hershme pasi që të përfundohen disa nga proceset e rëndësishme të vendit. Ofertat nuk po trajtohen seriozisht dhe edhe më tutje partitë qeverisëse thonë nëse keni numra ejani rrëzonani prej pushtetit, përndryshe ne vazhdojmë të punojmë, kjo logjikë dhe kjo formë e komunikimit nuk trason rrugë për ndërtim të konsensusit. Skena politike në Kosovë është e ndarë, 58 deputetë shqiptarë të partive politike të ndryshme janë në bllok kundër qeverisjes, e cila në vete ka edhe 20 deputetë nga radhët e minoriteteve dhe po mbijeton politikisht për shkak të këtyre numrave që po ia mbajnë “këmbët e qelqit”.

Unë dua të besoj shumë që ky koalicion duhet ta ruajë rolin konstruktiv në Kuvend, edhe pse në tryezën e partive e kanë nënvlerësuar. Shkuarja në dialog të përçarë është problemi më i madh që mund ta kemi në bisedime.

Zëri: A mundet presidenti Thaçi ta vazhdojë dialogun pa e marrë mbështetjen e Kuvendit?

Haziri: Kuvendi ia ka dhënë Qeverisë mandatin, rezoluta në fuqi e njeh kryeministrin bartës të procesit, presidenti ende nuk ka kërkuar mandat të Kuvendit, është institucion i ndarë dhe në të njëjtën kohë krejt pushteti në Kosovë është koncentruar në Presidencë, edhe Kuvendi, edhe Qeveria po i suportinohen presidentit, që po i udhëheq në këtë fazë të proceseve politike. Java e parë e shtatorit është mundësi e mirë që të përmirësohet gjithë ky kaos politik që është, pra me një vullnet të mirë partitë politike në Kuvend, të gjithë deputetët ta punojnë një draftrezolutë, e cila i kënaq të gjitha palët dhe natyrisht e çon interesin e Kosovës përpara./ZËRI