Haziri: Korrigjimi i kufijve, mundësi ideale për Luginën

Aktuale September 03, 2018 - 08:01
Lexo tjera detaje
Image

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se korrigjimi i kufijve me Serbinë është një mundësi ideale për ta zgjidhur problemin e shqiptarëve që jetojnë në tri komunat jugore të Serbisë. Haziri në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se korrigjimi i kufirit me Serbinë, që nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, ka qenë ide e tij e të cilën e ka propozuar qysh në vitin 2011, por që këtë ide nuk e përkrah as partia e tij LDK-ja. Haziri ka thënë se Kuvendi duhet ta marrë rolin udhëheqës në procesin e dialogut me Serbinë, megjithatë ai ka kundërshtuar idenë e protestave kundër presidentit Hashim Thaçi, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Sipas Hazirit, “rruga nuk i zgjidh problemet”. Sipas kryetarit të Komunës së Gjilanit, iniciativa e partive opozitare për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës është mundësia e fundit që të gjithë të angazhohen për një rezolutë të përbashkët për udhëheqjen e dialogut Kosovë - Serbi, sepse sipas tij nëse në Bruksel shkohet me këto përçarje do të ketë pasoja për vendin. Ndërkaq në këtë intervistë Haziri ka përmendur zgjedhjet si një proces urgjent për Kosovën, por ka pranuar se kanë vështirësi në sigurimin e 61 votave për të votuar mocion për mosbesimin e qeverisë “Haradinaj”.

Zëri: Z. Haziri, javën e ardhshme pritet të vazhdojë faza finale e dialogut me Serbinë. Presidenti Thaçi ka paralajmëruar se do ta paraqesë idenë për korrigjim të kufijve, që sipas tij nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Grupi Parlamentar i LDK-së e ka kundërshtuar këtë ide, por cili është qëndrimi juaj?

Haziri: Kjo është iniciativë që Thaçi kohëve të fundit e ka plasuar në terminologji të ndryshme, duke larguar termat që janë të frikshëm për Kosovën, siç është ndarja e brendshme ose autonomia politike për veriun, ndarja territoriale, shkëmbimi i territoreve etj. Unë nga viti 2011 publikisht kam ofruar opsionin e zgjidhjes së të drejtave politike të shqiptarëve të lindjes së Kosovës, pra të tri komunave që kanë mbetur jashtë kufirit të vitit 1974 ose jashtë kufirit të Kosovës. Në vitin 2013 Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë për të drejtat civile dhe politike të shqiptarëve atje, rezolutë e cila nuk është zbatuar asnjëherë, sepse Kuvendi, Qeveria, si dhe vetë presidenti nuk janë marrë intensivisht me këto të drejta. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka qëndrimin politik të qartë dhe e ruan parimin e territorialitetit, sovranitetit të Republikës së Kosovës sipas Deklaratës së Pavarësisë të shpallur nga negociatat e Vjenës. Unë si nënkryetar edhe në LDK e kam të dallueshëm qëndrimin tim, të cilin besoj që zgjidhja e problemit me Serbinë është territoriale dhe duhet t’i jepet zgjidhje territoriale. Nuk kemi të bëjmë me të drejta të pakicave, sepse ne e kemi dhënë pakon e të drejtave të afirmuara për serbët e Kosovës, si pakicë nacionale me parimin e diskriminimit pozitiv, por për ta kjo është e pamjaftueshme dhe përderisa është e pamjaftueshme praktikisht duhet të bëhet një zgjidhje për problemin e Kosovës dhe të Serbisë.

Zëri: Nëse Kosova e kërkon Luginën e Preshevës a mendoni se edhe Serbia do ta kërkojë veriun e Kosovës?

Haziri: Ne do të interesohemi shumë për efektet që jep normalizimi i raporteve Kosovë - Serbi, i cili është shumë vështirë i arritshëm. Natyrisht që Serbia vjen me opsion të vetin, por për Kosovën është e papranueshme autonomia politike dhe territoriale e veriut, e të tria komunave në veri të Kosovës, sepse kjo e defunksionalizon Republikën dhe “e sakaton” të ardhmen e Kosovës. Kjo është ajo që në Vjenë e kemi ndaluar dhe nuk kemi lejuar në asnjë mënyrë që të krijohet një etnitet i tretë në Kosovë. Përderisa në anën tjetër duhet të bëhet një zgjidhje politike për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, sepse ata padrejtësisht kanë mbetur jashtë kufirit të vitit 1974 e si pasojë ende nuk është zgjidhur ky problem

Zëri: Shkëmbimi i veriut me Luginën a është opsion i pranueshëm për ju?

Haziri: I papranueshëm, definitivisht. Kufiri i Kosovës mbetet aty ku është, sepse Mitrovica si qytet i vjetër gjithmonë ka qenë pjesë e pandashme e Republikës së Kosovës. Nuk mund të ketë shkëmbim territorial në parimet e Luftës së Dytë Botërore, sepse lumi Ibër në Mitrovicë dhe lumi Morava në Gjilan nuk mund t’i kthejë kufijtë e vitit 1945. Nuk favorizoj as shkëmbimin e njerëzve, por korrigjimi i kufijve për mua nënkupton parimin administrativ të kufijve të vitit 1956.

Korrigjimi nuk ka efekt domino në rajon

Zëri: A mendoni se një marrëveshje e tillë për shkëmbim territoresh ose për ndarje do të kishte efekt edhe në vendet e tjera të rajonit, si në Maqedoni dhe në Bosnjë e Hercegovinë?

Haziri: Ne i kemi treguar gjithë botës me aktin e shpalljes së Pavarësisë që Kosova nuk shkakton probleme në vendet në rajon. Rasti i Kosovës është rast i veçantë i përdorur në të drejtën ndërkombëtare. Ne garantojmë tërësinë territoriale të Maqedonisë, ku Kosova në dëm të saj e garanton kufirin me Maqedoninë. Maqedonia e ka bërë marrëveshjen dhe e ka ratifikuar në parlamentin maqedonas dhe Serbia në parlamentin serb të kufirit në dëm të Kosovës.

Marrëveshja e njohur e Glinkora - Millosheviq është ratifikuar edhe në OKB, ku në dëm të Kosovës kanë marrë tokë. Ne e kemi garantuar tërësinë territoriale të Maqedonisë, e cila është partner i Kosovës.

I vetmi kufi që është problematik dhe që ka nevojë për zgjidhje është kufiri me Serbinë, sepse natyrisht presim që me Shqipërinë ratifikimi i marrëveshjes për kufi do të jetë pa probleme territoriale dhe politike.

70% e territorit është me Serbinë, që fillon në Stanqiq të Gjilanit e përfundon në Istog, praktikisht kjo është zona kufitare që duhet të demarkohet ose të gjendet një zgjidhje për normalizimin dhe pranimin në reciprocitet të zgjidhjes së problemeve përmes dialogut dhe jo përmes mjeteve të tjera.

Zëri: Opozita ka kërkuar thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për ta miratuar një rezolutë kundër ndryshimit të kufijve. Si e vlerësoni këtë kërkesë?

Haziri: Kultura dhe vlerat politike të LDK-së na detyrojnë që ne të ulemi dhe ta ushtrojmë këtë detyrë në Kuvendin e Republikës, ne po punojmë për të bërë një shumicë në Kuvend për t’i parandaluar ose për t’i stopuar proceset, që këto institucione aktuale nuk po arrijnë të ndërtojnë konsensus. Opozita te ne ka filluar t’i përngjajë opozitës në regjion, qoftë ajo në Maqedoni, në Shqipëri e në Serbi, pak a shumë është gjendja e njëjtë.

Minoritetet po ia mbajnë “këmbët e qelqit” qeverisë “Haradinaj”

Zëri: Arritja e konsensusit të brendshëm për çështjen e dialogut duket e pamundur. Çka po e pengon arritjen e konsensusit?

Haziri: Unë edhe më tutje besoj që ka mundësi të arrihet konsensusi, ne duhet të dakordohemi për një agjendë në interes të vendit, për një datë të planifikuar të zgjedhjeve të hershme pasi që të përfundohen disa nga proceset e rëndësishme të vendit. Ofertat nuk po trajtohen seriozisht dhe edhe më tutje partitë qeverisëse thonë nëse keni numra ejani rrëzonani prej pushtetit, përndryshe ne vazhdojmë të punojmë, kjo logjikë dhe kjo formë e komunikimit nuk trason rrugë për ndërtim të konsensusit. Skena politike në Kosovë është e ndarë, 58 deputetë shqiptarë të partive politike të ndryshme janë në bllok kundër qeverisjes, e cila në vete ka edhe 20 deputetë nga radhët e minoriteteve dhe po mbijeton politikisht për shkak të këtyre numrave që po ia mbajnë “këmbët e qelqit”.

Unë dua të besoj shumë që ky koalicion duhet ta ruajë rolin konstruktiv në Kuvend, edhe pse në tryezën e partive e kanë nënvlerësuar. Shkuarja në dialog të përçarë është problemi më i madh që mund ta kemi në bisedime.

Zëri: A mundet presidenti Thaçi ta vazhdojë dialogun pa e marrë mbështetjen e Kuvendit?

Haziri: Kuvendi ia ka dhënë Qeverisë mandatin, rezoluta në fuqi e njeh kryeministrin bartës të procesit, presidenti ende nuk ka kërkuar mandat të Kuvendit, është institucion i ndarë dhe në të njëjtën kohë krejt pushteti në Kosovë është koncentruar në Presidencë, edhe Kuvendi, edhe Qeveria po i suportinohen presidentit, që po i udhëheq në këtë fazë të proceseve politike. Java e parë e shtatorit është mundësi e mirë që të përmirësohet gjithë ky kaos politik që është, pra me një vullnet të mirë partitë politike në Kuvend, të gjithë deputetët ta punojnë një draftrezolutë, e cila i kënaq të gjitha palët dhe natyrisht e çon interesin e Kosovës përpara.

Rruga nuk i zgjidh problemet, duhet të shteren mundësitë institucionale

Zëri: Deputetja nga radhët e partisë suaj Vjosa Osmani ka thënë se më 7 shtator, në ditën kur mbahet takimi në Bruksel, duhet të protestohet për t’i treguar presidentit Thaçi se populli i Kosovës nuk e mbështet ndryshimin e kufijve. A e përkrahni një protestë të tillë?

Haziri: Besoj që vullneti i mirë dhe angazhimi politik i Vjosa Osmanit si deputete e zonja e LDK-së është për t’i shfrytëzuar edhe opsionet e tjera politike, por ne nuk kemi diskutuar asnjë formë tjetër të presionit politik përveç mekanizmave institucionalë dhe brenda Kuvendit duhet të diskutohen, duhet të shtirren mundësitë. Ka kërkesa në Kosovë për tubime mbështetëse për problemin e Luginës, nëse Gjilan organizon javën e ardhshme më 7 shtator një tubim, ju siguroj që gjysmë milioni njerëz do të dalin në rrugë, sepse ne jemi Kosovë Lindore dhe nuk e dallojmë Bujanocin, Gjilanin, Kamenicën, Preshevën në asnjë mënyrë, edhe ne jemi për zgjidhjen e këtij problemi. Rruga nuk i zgjidh problemet, protestat nuk i zgjedhin problemet, munden ta manifestojnë politikisht këtë, nuk e përjashtoj edhe unë si mundësi. Mirëpo fatkeqësisht nuk ka konsensus dhe nuk po punohet për ndërtimin e tij, politika në Kosovë po shkon në përçarje e sipër dhe nuk ka asnjë simptomë e cila i bashkon për të mirë të këtij dialogu nesër.

Zëri: Në takimin e radhës së nivelit teknik në Bruksel do të diskutohet edhe për statutin e Asociacionit. A prisni se do të ketë kompetenca ekzekutive Asociacioni?

Haziri: Nuk mund të ketë dhe nuk guxon të ketë, sepse po flasim për kompetencat ekzekutive dhe për bashkim të vullnetshëm të etniteteve, nëse shtohet vetëm një kompetencë ekzekutive, atëherë ata kanë të drejta të plota në territor dhe kanë të drejta të plota të ushtrimit të detyrave në banorët që jetojnë atje, kështu që nuk guxojmë në asnjë mënyrë të lejojmë të pasqyrohet një “Kosovë e vogël serbe” në të ardhmen në veri dhe një Kosovë pak më e madhe me shumicë shqiptare që mbetet në pjesën tjetër të Kosovës. Tendenca e Serbisë është të bëhen dy Kosova, njëra për interesa të saj dhe një për interesa të të tjerëve, në asnjë mënyrë Kosova nuk guxon të preket, ashtu siç Kushtetuta e parasheh. Normalizimi i raporteve me Serbinë në përmirësimin, në korrigjim në interes të kufirit të Kosovës është i mirëseardhur për mua personalisht, por kjo nuk do të thotë që pajtohem për gjithçka. Unë e di formulën në biseda të Vjenës, nëse ka vullnet për pajtim mund të zgjidhen problemet, por nëse janë marrë vesh që dialogu të shkojë në formulën “po pajtohemi që të mos pajtohemi”, atëherë edhe kjo në fund do të rezultojë me mossukses.

Zëri: Të flasim pak për qeverinë “Haradinaj”. Si e vlerësoni punën e deritanishme të kësaj Qeverie?

Haziri: Jo vetëm të kësaj Qeverie, por në vazhdimësi qeveritë e Kosovës nuk u kushtojnë prioritete problemeve të brendshme, kam parë që kjo Qeveri ka tendenca të fokusohet në zgjidhjen e problemeve të brendshme, edhe themelimi i forumit të dialogut Komunë -Qeveri na ka ndihmuar në zgjidhjen e disa problemeve praktike që komunat i kanë pasur të hapura.

Në rrafshin politik gjithçka në Kosovë është nën autoritetin dhe nën hijen e Presidencës, duke iu nënshtruar agjendës politike që ai po e plason ka humbur ndarja e pushteteve. Kuvendi, i cili në asnjë mënyrë nuk e arrin agjendën legjislative, lë seanca të hapura, ka konflikte brenda Kuvendit. Qeveria po ashtu gllamoze, Qeveri që shpenzon shumë, e cila është ndërtuar në formulën e qeverisjes së PAN-it, është jashtëzakonisht e vështirë të menaxhohet mbi baza ditore, në Kosovë kryeministri i ka 5 zëvendëskryeministra dhe 21 ministra, si dhe 80 zëvendësministra, pra është një brigadë politike e cila më shumë shpenzon sesa mund të sjellë rezultate në zbatim të detyrave.

Jemi duke punuar për mocion të suksesshëm

Zëri: Vazhdimisht keni paralajmëruar se shtatori do të jetë muaji i zgjedhjeve në Kosovë, ndërkohë që nuk keni marrë asnjë iniciativë për ta ngritur mocionin për mosbesim ndaj Qeverisë. Pse nuk ka ndodhur deri tani dhe si do të arrihet kjo?

Haziri: Është fakt që opozita nuk e ka numrin e mjaftueshëm të deputetëve për mocion, duhet t’i kemi 61 deputetë për mocion të suksesshëm dhe nëse dështon mocioni për 6 muaj largohet nga agjenda, nuk mund të diskutohet. Ka teori në Prishtinë në të cilat flitet që ka mundësi të organizohet një mocion për të dështuar, në mënyrë që 6 muaj t’i blihet qeverisja. LDK-ja nuk e mbështet asnjë lloj të mocionit që dështon, ne jemi unikë si Grup Parlamentar, po punojmë me PSD-në, me LVV-në dhe me deputetë të tjerë për të ndërtuar një shumicë parlamentare e cila garanton suksesin e mocionit. Mocioni kundër LDK-së është bërë natën, është bërë tinëz, politikisht, në njërën anë PDK-ja ka biseduar me LDK-në për ruajtjen e koalicionit mbi baza ditore, ndërsa në anën tjetër deputetët e saj kanë organizuar dhe kanë nënshkruar mocion. Ne në momentin që vendosim të organizojmë diçka të tillë e bëjmë publike dhe punojmë në mënyrë transparente me të gjithë ata që duan ta vendosin firmën, por mbi të gjitha suksesi i mocionit duhet të jetë i garantuar, nuk ka aventura, nuk lejojmë në asnjë mënyrë dështimin.

Zëri: Vitin e ardhshëm pritet që partia juaj t’i organizojë zgjedhjet e brendshme, a do të jeni ju kandidat për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)?

Haziri: Në muajin maj, sipas kalendarit, LDK-ja duhet ta ketë kryetarin dhe organet e reja, ne kemi unitet të brendshëm për ruajtjen e kalendarit zgjedhor dhe të punojmë që  zgjedhjet të jenë kualitative, me parime të demokracisë e të konkurrencës.

LDK-ja po bëhet gati ta marrë qeverisjen e vendit shumë shpejt, sepse ne jemi duke i qeverisur shumicën e komunave aktualisht dhe sot jemi partia me mbështetjen më të madhe qytetare.

Kandidaturat tona nuk bëhen publike deri në atë kohë që fillon procesi zgjedhor në mënyrë që të ruhet uniteti dhe nuk duhet të shkaktohet lëndim i demokracisë, kjo është marrëveshje politike në mes të autoriteteve, të akterëve dhe të njerëzve që janë të interesuar të jenë pjesë e garës, duke mos dëmtuar demokracinë e brendshme dhe në interes të ruajtjes së unitetit dhe të rritjes së LDK-së për dekadën e ardhshme. Ne po hyjmë në një proces politik të brendshëm, besoj që do të dalim në çdo aspekt të përgatitur dhe unikë për ta qeverisur vendin./ZËRI