Stavileci: Me debat parlamentar, opozita po e legjitimon çështjen e ndarjes së Kosovës

Aktuale September 02, 2018 - 23:19
Lexo tjera detaje

Këshilltari i kryeparlamentarit Kadri Veseli, njëherësh anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, e ka vlerësuar absurde seancën e jashtëzakonshme parlamentare, të thirrur për të martën nga opozita, për të diskutuar për dialogun me Serbinë.

Ai ka thënë për “Epoka e re” se është e pafalshme për opozitën që ta shtrojë për debat ndarjen e Kosovës në Kuvend.

Sipas tij, subjektet opozitare po e legjitimojnë këtë temë, kur kjo çështje nuk është temë e dialogut Kosovë-Serbi.

Stavileci ka deklaruar se është e panevojshme që Kuvendi të nxjerrë rezolutë për mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës, kur atë e garanton Kushtetuta e Republikës.

Duke folur për idenë e presidentit për korrigjimin e kufirit me Serbinë, përmes të cilit synohet që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, ai ka thënë se PDK’ja do të ishte e lumtur nëse në fund të këtij procesi negociator Lugina do t’i bashkohej Kosovës.