Ndërkombëtarët, kundër ridizajnimit të kufijve

Aktuale August 11, 2018 - 07:51
Lexo tjera detaje

Pavarësisht paralajmërimeve të dy protagonistëve të dialogut Kosovë - Serbi (presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuçiq), se në kuadër të fazës finale do të diskutohet për korrigjim kufijsh, bashkësia ndërkombëtare po vazhdon ta kundërshtojë një opsion të tillë. Zyrtarë të Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë kanë bërë të ditur për gazetën “Zëri” se Britania nuk e mbështet në asnjë mënyrë një variant të tillë, shkruan "Zëri.Info".

Përkundrazi, në përgjigjen e kësaj Ambasade thuhet se ridizajnimi i kufijve mes Kosovës e Serbisë do të rezultonte me destabilizim. Në anën tjetër, edhe Ambasada Gjermane ka bërë të ditur se Gjermania vazhdon të  mbetet prapa qëndrimit që kishte, rrjedhimisht kundër ndryshimit të kufijve ose të shkëmbimit të territoreve. Kurse teksa ka folur rreth dialogut Kosovë - Serbi zëdhënësi i Komisionit Evropian (KE),  Carlos Martin, ka vlerësuar se në mes të dyja vendeve duhet të bëhet një zgjidhje e përhershme, e cila do të nënkuptonte një zgjidhje realiste dhe të qëndrueshme në pajtueshmëri të plotë me të drejtën ndërkombëtare.

 

Britania: Thirrjet për rihartimin e kufijve, destabilizuese

 

Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë ka njoftuar edhe një herë se nuk e mbështet opsionin e ndërrimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë. “Ne besojmë se thirrjet për rihartimin e kufijve shtetërorë mund të jenë destabilizuese. Ne vazhdojmë të mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja me qëllim të një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme që përfitojnë të dyja vendet”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës dhënë “Zërit”.

Sipas Ambasadës Britanike, normalizimi i raporteve në mes të dyja palëve është vendimtar për sigurinë, jo vetëm të këtyre dy shteteve, por tërë rajonit. “Siç kemi qenë gjithmonë të qartë, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është vendimtar për sigurinë, për stabilitetin dhe për prosperitetin e të dyja vendeve dhe rajonit në tërësi. Qeveria britanike beson se kjo duhet të jetë në bazë të njohjes së shteteve të pavarura sovrane brenda kufijve të tyre të tanishëm”, potencohet tutje.

 

Gjermania, kundër korrigjimit të kufijve

 

Ndërkohë edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka deklaruar se qëndrimi i Gjermanisë sa i përket ndërrimit të kufijve mbetet i njëjtë sikurse ka qenë. “Ministri i shtetit, Michael Roth, sikurse edhe ambasadori Heldt në intervista të ndryshme e kanë bërë të qartë pozicionin zyrtar lidhur me dialogun për normalizim të marrëdhënieve. Me këtë, qëndrimi i qeverisë federale të Gjermanisë është i njohur”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Gjermane.

 

Ndërkohë ambasadori Heldt javë më parë në një intervistë dhënë “Zërit” kishte bërë të ditur se qëndron kundër opsionit të ndarjes së Kosovës. “Gjermania nuk beson që ndryshimet e kufijve do të çonin në një zgjidhje të qëndrueshme në mes të Serbisë dhe Kosovës. Përkundrazi, ato do të krijonin potencial për efekte destabilizuese në rajon dhe përtej tij. Për këtë arsye ne jemi kategorikisht kundër”, kishte thënë Heldt për “Zërin”.

 

Martin: Mes Kosovës e Serbisë, një zgjidhje e përhershme

 

Në anën tjetër i pyetur nëse Komisioni Evropian mbështet qëndrimin e presidentit të Serbisë për ndarjen e shqiptarëve dhe të serbëve në Kosovë, zëdhënësi i KE-së Carlos Martin, ka thënë se Vuçiq dhe Thaçi kanë pasur bisedime intensive dhe produktive mbi kornizën e marrëveshjes për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Më tej Martin ka thënë se më 18 korrik Vuçiq dhe Thaçi kanë shqyrtuar përparimin e arritur dhe janë pajtuar të takohen prapë në fillim të muajit shtator. “Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për synim ka nxitjen e arritjes së një bashkëpunimi të përhershëm në mes të dyja palëve dhe t’u ndihmojë atyre të arrijnë përparim në rrugën e tyre drejt Evropës”, ka potencuar Martin.

Sipas tij, një zgjidhje e përhershme në mes të dyja vendeve nënkupton një zgjidhje realiste, të qëndrueshme dhe të mundshme, në pajtueshmëri me të drejtën ndërkombëtare, mbi të cilën Prishtina dhe Beogradi duhet të gjejnë pajtueshmëri.

Në anën tjetër, gjatë së premtes ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Greg Delawie, ka rikonfirmuar edhe një herë mbështetjen që SHBA-ja ka për Kosovën. Ai ka thënë që partneriteti në mes të të dyja vendeve vazhdon të mbetet i thellë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një nga mbështetësit më të afërt të Kosovës dhe kjo nuk ka ndryshuar e as nuk do të ndryshojë kurrë. Partneriteti me vendet tona është i thellë dhe shumëdimensional dhe ne punojmë me shumë mund për demokraci dhe prosperitet”, ka potencuar Delawie./ZËRI