Thaçi e kërkon Luginën, Vuçiqi veriun e Kosovës

Aktuale August 11, 2018 - 07:46
Lexo tjera detaje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke kërkuar që në kuadër të fazës finale të dialogut me Serbinë të diskutohet për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tashmë ka filluar të flasë për ndarjen e pjesës veriore të Kosovës. Sipas opozitës kosovare dhe monitoruesve të dialogut, ideja e Thaçit për korrigjim të kufijve është në vijë me politikën e Serbisë për ndarje të Kosovës, shkruan Gazeta "Zëri".

Paralajmërimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se në kuadër të dialogut të Brukselit do të kërkojë korrigjimin e kufijve, që nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, është pasuar me një kundërpërgjigje të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili haptazi ka shfaqur ambiciet e Serbisë për ta marrë veriun e Kosovës. Pavarësisht se Thaçi në vazhdimësi po zotohet se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, Vuçiq në deklaratën e tij të fundit ka paralajmëruar ndarje të serbëve të Kosovës nga shqiptarët. Monitoruesit e procesit të dialogut vlerësojnë se idetë për shkëmbim territoresh ose korrigjim kufijsh janë tejet të rrezikshme jo vetëm për Kosovën, por për tërë Ballkanin. Sipas tyre, një gjë e tillë do të bënte që edhe shqiptarët e Maqedonisë të kërkonin një ndarje të tillë e po ashtu edhe serbët e kroatët që jetojnë në Bosnjë. Ndërkaq, përfaqësuesit e partive opozitare vazhdojnë ta shohin udhëheqësin e negociatave me Serbinë, presidentin Hashim Thaçi, si fajtorin kryesor në këtë proces. Sipas tyre, kreu i shtetit në vazhdimësi po jep deklarata të çuditshme dhe të pabaza lidhur me çështjen e kufijve. 

Ndonëse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tashmë e disa javë ka bërë të ditur se çështja e bashkimit të Luginës me Kosovën do të bëhet temë e tryezës së Brukselit, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, tek në fund të kësaj jave shfaqi pretendimet e tij për ta marrë veriun e Kosovës. Teksa ka folur rreth kësaj çështjeje, Vuçiq ka vlerësuar se veriu është një pjesë territoriale të cilën “nuk dihet se kush e trajton”, andaj u zotua se do të angazhohet për ndarje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. “Unë jam në favor dhe kjo është politika ime, për ndarjen me shqiptarët sepse të kemi një territor që nuk dihet se kush e trajton atë dhe çfarë kujt i përket është gjithmonë një burim i konflikteve të mundshme”, ka thënë ai, duke theksuar se “nuk e fsheh një synim të tillë”.

Pavarësisht kësaj, presidenti Thaçi po vazhdon t’i sigurojë qytetarët  e Kosovës se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, ani pse në të njëjtën kohë po paralajmëron bashkim të Luginës me Kosovën.

 

Kurteshi: Pa e njohur Kosovën shtet s’mund të flitet për korrigjim territoresh me Serbinë

 

Në anën tjetër, teksa ka kritikuar presidentin Thaçi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi ka vlerësuar se kreu i shtetit po i vihet në shërbim Serbisë me veprimet dhe me deklaratat e tij të fundit lidhur me korrigjimin e territoreve. Presidenti sipas Kurteshit nuk është fare i autorizuar të bisedojë në emër të Kosovës. Sipas deputetit të LVV-së, Thaçi duhet ta respektojë vullnetin e Kuvendit dhe duhet ta marrë përsipër çështjen e dialogut vetëm nëse ngarkohet nga Kuvendi.

Teksa ka folur rreth çështjes së korrigjimit të kufijve, Kurteshi ka thënë se për këtë çështje mund të flitet vetëm kur Serbia e pranon Kosovën si shtet të pavarur. “Çështja e korrigjimit të kufijve në kohën kur Serbia nuk e njeh Kosovën nuk shkon. Serbia njëherë duhet ta njohë Kosovën, kur e njeh Kosovën si shtet të pavarur atëherë mund të futemi në çështje për të cilat mund të bisedojnë dy shtete plotësisht të barabarta”, ka potencuar ai.

E ndonëse po flitet për korrigjim të territoreve aktualisht deputeti i LVV-së ka thënë se Serbisë i intereson vetëm marrja e veriut të Kosovës. “Natyrisht dihet që Serbia propozon vetëm atë që atyre u konvenon dhe Serbisë i konvenon që t’i japë 5-6 fshatra dhe ta marrë atë që po synojnë, pjesën veriore të vendit”, është shprehur ai.

 

Pantina: Ndryshimi i kufijve krijon konflikte në Ballkan

 

Deklarimet e fundit të presidentit Thaçi deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, i ka cilësuar si të çuditshme, kjo pasi nuk mund të dihet ende se në çka po i bazon ato deklarata presidenti, se a janë ato vetëm ide personale të tij ose janë çështje të diskutuara në nivelin ndërkombëtar. Sidoqoftë, Pantinës idetë e Thaçit për korrigjim kufijsh janë tejet të rrezikshme për shtetin e Kosovës. “Çdo ndryshim i kufijve do të mundë të krijonte konflikte të tjera në Ballkan. Tashmë me konflikt nuk nënkuptohet automatikisht luftë e re, megjithatë nuk dihet në çfarë niveli do të përshkallëzonte ky konflikt”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Pantina tutje ka konsideruar se Thaçi nuk ka dhënë kurrfarë shpjegimi se çka realisht nënkuptohet me korrigjimin e territoreve. “Korrigjim i cilave padrejtësi, sepse diçka korrigjohet kur është bërë gabimisht. Tani ne mund të flasim për korrigjim të kufirit me Malin e Zi sepse e dimë që ka gabime, por për çfarë korrigjimesh mund të flitet me Serbinë? A është çështje kilometrash ose a janë çështje të shkëmbimit të territoreve, sepse korrigjim nuk mund të jetë nëse Mitrovica i jepet Serbisë edhe nëse si shkëmbim merret Presheva”, është shprehur ajo.

Mirëpo Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) në kuadër të projektit për dialog konsideron se bërja bashkë e Preshevës me Kosovën nuk mund të ndodhë në asnjë formë, po qe se nuk i ofrohet asgjë shtetit serb. “Është pothuajse e pamundur të kërkohet nga Serbia që të merret Lugina e Preshevës dhe të mos i ofrohet asgjë Serbisë, pasi është Serbia ajo e cila është duke e bllokuar Kosovën dhe është Kosova ajo e cila ka nevojë për njohjen e Serbisë dhe jo anasjelltas”, ka potencuar ai.

Cakolli ka vlerësuar se idetë për shkëmbim ose për korrigjim territoresh janë tejet të rrezikshme për Kosovën. “Në përgjithësi idetë e tilla që janë duke ardhur kohëve të fundit për ndarje në baza etnike mes territorit të Kosovës ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve janë tejet të rrezikshme dhe janë në fakt arsyeja se pse Ballkani ka kaluar në luftëra të përgjakshme gjatë shekullit të kaluar”, ka potencuar ai.

Idetë e tilla sipas Cakollit mbartin me vete edhe një rrezik të madh për shpërthimin e një konflikti tjetër etnik. “Kjo do të ndikonte që edhe shqiptarët e Maqedonisë të kenë një ndarje të tillë ose edhe serbët që jetojnë në Bosnjë e kroatët që jetojnë në Bosnjs”, ka shtuar ai.

Ideja e Thaçit për bashkim të Luginës me Kosovën sipas Cakollit është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, për shkak se Nenin 1 të Kushtetutës thuhet se Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj shteteve tjera. Sipas tij, në mënyrë që të mundë të dialogohej me Serbinë për marrjen e Preshevës do të duhej që fillimisht të ndryshohej ky Neni 3 i Kushtetutës, në mënyrë që presidenti të kishte edhe ligjërisht të drejtë për të dialoguar për Preshevën./ZËRI