Hoti: Qytetarët të vendosin se kush duhet ta drejtojë dialogun

Hoti: Qytetarët të vendosin se kush duhet ta drejtojë dialogun

Aktuale gusht 10, 2018 - 14:45
Lexo detajet

Tri paritë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, e vlerësojnë presidentin Hashim Thaçi si të papranueshëm për kryenegociator për fazën finale me Serbinë. Megjithatë partitë opozitare nuk po japin emra se kush duhet ta drejtojë këtë proces, shkruan gazeta "Zeri". 

Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke mos dashur të komentojë se a do ta pranonte një detyrë të tillë, për gazetën “Zëri” ka thënë se presidenti Thaçi me deklarime të tilla është duke shkelur Kushtetutën e Kosovës.

“Presidenti Thaçi duhet të qëndrojë brenda kompetencave që ia jep Kushtetuta e Kosovës, deklarimet e tij janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Në vend që të jetë garant i rendit kushtetues të Republikës së Kosovës ai është duke e cenuar çdo ditë atë”, ka thënë Hoti.

LEXO EDHE: Opozita, pa alternativë për kryenegociatorin

Sipas tij, çështja e kryenegociatorit duhet të vendoset përmes zgjedhjeve dhe jo me deklarime të tilla.

“Qytetarët e Kosovës përmes zgjedhjeve të lira do të vendosin se kush do ta udhëheqë dialogun me Serbinë. Një gjë është e qartë, që tani se ai person nuk do të jetë Thaçi, pasi ai në bazë të Kushtetutës së Kosovës nuk ka mandat të vendosë për këto çështje”, ka thënë Hoti.

Ndërkaq sipas Hotit të gjitha këto deklarata të njëpasnjëshme të presidentit Thaçi janë duke i shkaktuar dëme të mëdha Kosovës.

“Me deklarimet e tij antikushtetuese presidenti është duke i bërë shtetësisë së Kosovës dëme të mëdha në arenën ndërkombëtare. Ai e ka nxjerrë jashtë funksionit krejt diplomacinë e Kosovës, si dhe diplomacinë e vendeve mike, duke stopuar plotësisht njohjet e reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare të shtetit të Kosovës”, ka theksuar Hoti. /ZERI