Opozita: Raportet e zëvendësministrave pasqyruan mospunën e tyre

Aktuale August 02, 2018 - 11:39
Lexo detajet

Fatmire Kollçaku, nënkryetare dhe deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për “Zërin” se raportet e zëvendësministrave të qeverisë “Haradinaj” vetëm kanë pasqyruar mospunën e tyre. Sipas saj, këto raporte janë nën çdo nivel të pritjes.

LEXO EDHE: Kërkohet reduktimi i numrit të zëvendësministrave

“Vetë fakti që janë diku rreth 80 zëvendësministra, kemi zëvendësministra që as vetë ministri nuk ua di emrat e lëre më që nuk kanë çfarë të bëjnë. Raportimet e tyre janë publikuar si gafe, si skeçe humoreske pasi ato raportime janë nën çdo nivel. Ato raporte e pasqyrojnë mospunën”, ka thënë ajo.

Ndërkaq Besa Baftiu, nga Partia Socialdemokrate, ka thënë se s’mund të pritet punë nga një qeveri e madhe e cila deri më tani ka dëshmuar që ka punuar vetëm për vete.

“Neve na është sjellë një raport nga Qeveria, mirëpo ende nuk e kemi vlerësuar edhe pse e dimë që është një qeveri me numër të madh të zëvendësministrave. Pra një qeveri e madhe që ka punuar vetëm për vete”, ka thënë ajo. /ZERI