Kërkohet reduktimi i numrit të zëvendësministrave

Aktuale August 02, 2018 - 11:36
Lexo detajet

Pavarësisht kritikave të shumta për raportet skandaloze të zëvendësministrave për “punët” që kanë kryer në 100 ditët e para, nuk do të ketë shkarkim të tyre. Në Qeveri thonë se kryeministri ka vlerësuar punën e zëvendësministrave dhe ata kanë punë konkrete, shkruan gazeta “Zëri”.

Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, raportimet e zëvendësministrave të cilat u bënë publike para pak ditësh i ka quajtur qesharake. Sipas tij, në bazë të kësaj performance të dobët të zëvendësministrave Qeveria do të duhej të ndërmerrte hapa për reduktimin e tyre.

“Në bazë të raportimeve të zëvendësministrave u pa që nuk ka diçka thelbësore se ndonjë nga zëvendësministrat ka bërë diçka që ia vlen të paguhet nga buxheti i shtetit. Raportimet e tyre qesharake nuk mund të konsiderohen punë. Në bazë të kësaj Qeveria duhet të mendojë se si t’i qaset këtij problemi që në bazë të performancës që kanë treguar të shkohet deri te reduktimi i një numri të zëvendësministrave. Mirëpo nuk duket se ka gjasa të ndodhë një gjë e tillë dhe do të vazhdohet me këtë numër kështu siç është”, ka thënë ai.

Ndërkaq duke folur për Ligjin për Qeverinë, i cili do të përcaktonte numrin e ministrave dhe të zëvendësministrave, Demhasaj tha se nuk pret që ajo të fillojë të zbatohet në qeverinë “Haradinaj”. “Edhe po të miratohet Ligji për Qeverinë ai nuk hyn në fuqi menjëherë, ai do të fillojë të zbatohet në qeverinë e ardhshme. Ky kabinet tashmë ka marrë votën në Kuvend dhe nuk mund të ndodhë që ky ligj të fillojë të zbatohet në këtë Qeveri”, ka thënë ai.

LEXO EDHE: Kryeministri i kënaqur me zëvendësministrat, s’ka shkarkime

Ndërkohë edhe njohësi i çështjeve politike Mazllum Baraliu ka thënë se zëvendësministrat edhe po të duan të punojnë me shumë nuk kanë se çfarë të punojnë pasi janë shumë në numër. “Edhe po të duan zëvendësministrat të punojnë nuk kanë se çfarë të punojnë. S’ka çfarë të kërkojë kryeministri dhe e di që s’mund të ofrojnë ata më tepër”, tha Baraliu.

Sipas tij, kryeministri edhe nëse nuk është i kënaqur me punën e tyre ai nuk e ka forcën që të shkarkojë ndonjërin prej tyre pasi ia ka imponuar koalicioni. “Qeveria dhe kryeministri janë të varur nga kjo mënyrë e të bërit qeverisje dhe pavarësisht punës së tyre nuk është e pritshme që të reduktohet numri i tyre. Ai s’ka çfarë të bëjë tjetër veçse heshtazi ta miratojë punën dhe s’është për t’u vlerësuar”, ka thënë ai. /ZERI