Vazhdon politizimi i diplomacisë kosovare

Aktuale August 02, 2018 - 08:05
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Ligji për Shërbimin Diplomatik përcakton që së paku 50% e ambasadorëve duhet të jenë të karrierës, por kjo kuotë është tejkaluar edhe në të kaluarën dhe po vazhdon të rritet përqindja e diplomatëve politikë. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se në pozitat e ambasadorëve vendosen zakonisht njerëz të subjekteve politike të cilët ose kryejnë ndonjë favor politik për partitë në pushtet, ose shpaguhen për ndonjë punë të kryer më herët, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ndonëse Ligji për Shërbimin Diplomatik në Kosovë e përcakton qartë që kuota për përfaqësuesit diplomatikë është 50% politikë dhe 50% të emëruar nga detyra në Shërbimin e Jashtëm ose siç njihen ndryshe ambasadorë të karrierës, një gjë e tillë po vazhdon të mos përfillet. Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, kishte paralajmëruar para disa muajve se do ta përmbushë këtë kuotë, porse kjo nuk po ndodh.

LEXO EDHE: Institucionet, edhe 2.6 milionë euro për xhipa luksozë

Përkundrazi, para pak ditësh MPJ-ja i kishte dërguar Komisionit për Punë të Jashtme edhe dy kandidatë për t’i intervistuar për ambasadorë (Gjergj Dedajn e Avni Kastratin), të cilët po ashtu janë politikë. Mirëpo, mbledhja e komisionit ka dështuar të mbahet pas kundërshtimit të një pjese të opozitës, pikërisht për faktin se të propozuarit për ambasadorë nuk janë të karrierës, por politikë.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e partive në pushtet vlerësojnë se ende nuk mund të dihet saktë se cila është kuota, pasi shumë prej ambasadorëve do të kthehen së shpejti në Kosovë. Kurse njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se praktika e emërimit të ambasadorëve politikë ka nisur qysh nga e kaluara dhe është duke vazhduar edhe sot. Pavarësisht zotimit të Pacollit për ta përmbushur kuotën, ata shprehen të bindur se një gjë e tillë nuk do të ndodhë me qeverisjen aktuale. 

LDK: Partitë në pushtet po emërojnë ambasadorë militantë

Teksa ka kritikuar qeverisjen aktuale për emërimin e ambasadorëve politikë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se partitë në koalicionin qeverisës po e shkelin ligjin në vazhdimësi. “Partitë në pushtet po vazhdojnë të shkelin Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe për Shërbimin Diplomatik duke emëruar për ambasadorë militantë politikë e partiakë dhe duke injoruar kërkesën ligjore që të mos tejkalohet kuota prej 50% në emërime politike”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Sipas LDK-së, nuk duhet assesi të ketë emërime të tjera politike, meqë numri i ambasadorëve politikë tashmë ka kaluar dukshëm numrin e atyre të karrierës. “Meqenëse përqindja e të emëruarve politikë nëpër ambasadat e Kosovës anekënd botës tashmë është tejkaluar dhe arrin në rreth dy të tretat, gjë të cilën e ka konfirmuar edhe vetë ministri i Jashtëm, Pacolli, përfaqësueset e LDK-së në Komision kanë propozuar që të mos ketë emërime të reja politike derisa të rregullohet kuota prej 50/50, e kërkuar me ligj”, ceket në këtë kumtesë.

Ndërkohë gazeta “Zëri” ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga MPJ-ja lidhur me këtë çështje, porse askush nga Ministria në fjalë nuk është përgjigjur. Ndërkohë para disa muajsh Pacolli ishte zotuar pikërisht para Komisionit për Punë të Jashtme se shumë shpejt do ta përmbushte kuotën.

Ndërkaq duke folur rreth kësaj çështjeje nënkryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Time Kadriaj, ka thënë se nuk mund të dihet ende se sa ka ambasadorë të karrierës e sa ka të atillë politikë pa u bërë një analizë në këtë drejtim. Sipas saj, shumë prej ambasadorëve që janë në vendet e huaja pritet të kthehen së shpejti në Kosovë.

“Deri më tash nuk mund ta dimë sepse do të kthehen shumë ambasadorë dhe nuk mund ta dimë se cila është kuota. Ne kemi edhe ligjin që kërkon të respektohet kuota, duhet një analizë se sa ka ambasadorë të karrierës dhe si mund të rregullohet kjo çështje”, ka theksuar Kadriaj.

Kurteshi: Në Kosovë gjithçka politizohet në dëm të cilësisë

Kurse deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka vlerësuar se gjithçka në Kosovë është e politizuar, duke përfshirë edhe diplomacinë kosovare.

“Këtu çdo gjë po politizohet në dëm të cilësisë. Kjo është edhe në dëm të vendit, sepse njerëzit politikë shpeshherë nuk janë të përgatitur profesionalisht që ta kryejnë punën, sidomos punën e përfaqësimit që është jashtëzakonisht e ndjeshme dhe që kërkon përgatitje të mirëfilltë”, ka deklaruar ai.

Andaj sipas Kurteshit, gjasat janë minimale që të realizohen premtimet e MPJ-së për përmbushje të kuotës 50/50 për emërimin e ambasadorëve.

“Nuk duken seriozë njerëzit që udhëheqin atë Ministri dhe nuk pres t’i realizojnë premtimet që i kanë dhënë, siç ndodh edhe me shumë të tjerë”, ka theksuar ai.

Kjo që po ndodh sipas tij, është tepër e dëmshme. “Po shpresoj që presioni qytetar, qytetarët aktivë do t’i vetëdijesojnë politikanët që të punojnë për interesa të vendit, jo për interesa individuale”, ka nënvizuar ai. 

Murati: Kuota për ambasadorët s’do të përmbushet gjatë këtij mandati

Në anën tjetër teksa ka folur rreth emërimit të ambasadorëve politikë, Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka vlerësuar se një praktikë e tillë ka nisur qysh nga e kaluara dhe po vazhdon ende edhe sot.

“Kjo është një vazhdimësi e një mentaliteti të keq politik që po vazhdon prej të kaluarës, ku ambasadorët në shumicën e rasteve po emërohen ambasadorë politikë e jo ambasadorë të karrierës. Këtë e kemi parë në të kaluarën, po e shohim edhe sot dhe kjo tregon më së miri se si funksionon edhe mendësia e emërimit të këtyre ambasadorëve”, ka deklaruar ai.

Sipas Muratit, në të tilla pozita vijnë zakonisht njerëz të subjekteve politike, të cilët ose kryejnë ndonjë favor politik për subjektet në pushtet, ose shpaguhen për ndonjë punë të kryer më herët.

Ndërsa sa i përket zotimit të Pacollit për ta bërë kuotën 50/50, Murati ka vlerësuar se mosarritja e këtij premtimi dëshmon qartë pafuqinë e partive të vogla.

“Një aspekt tjetër i rëndësishëm që po ndërlidhet me deklaratën e Pacollit është edhe fuqia politike e partnerëve të koalicionit. Pavarësisht vullnetit të mirë të ministrit të Punëve të Jashtme, këtu po vërtetohet edhe një herë që subjekti i tij është ai partneri i vogël i koalicionit dhe se rregullat i bën dikush tjetër. Për atë arsye nuk është duke u marrë parasysh edhe ajo që po mendon ta bëjë ministër i Jashtëm”, ka nënvizuar ai, duke shtuar se mosbarazimi i kuotës do të vazhdojë deri në fund të kësaj qeverisjeje.

Edhe politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se diplomacia kosovare është krejtësisht e politizuar. Sipas tij, një gjë e tillë nuk po ndodh vetëm gjatë këtij mandati të Qeverisë.

“Ka qenë dhe është e politizuar. Kjo nuk po ndodh vetëm në këtë Qeveri, ka ndodhur edhe në qeverisjen e LDK-së, ka ndodhur edhe në qeverisjet e kaluara. Partitë po i dërgojnë njerëzit e vet aty”, ka deklaruar Tahiri. /ZERI