Deda: Jemi të zhgënjyer me Mogherinin, dialogu ka sukses nëse përfshihet SHBA-ja

Aktuale July 14, 2018 - 17:30
Lexo detajet

Qasja e zyrës së Federica Mogherinit në dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte e dëmshme, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, deputeti Ilir Deda nga subjekti politik Alternativa.

“Pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në çfarëdo forme që kyçen, nuk mund të ketë sukses ky proces. Sa herë që SHBA-ja dhe BE-ja kanë qenë në një linjë apo kanë pasur një qasje unike në Ballkan, kanë pasur edhe sukses. Kur nuk ka pasur unitet trans-atlantik, atëherë nuk ka pasur sukses dhe unë mund ta shpreh, si Alternativë, ne jemi të zhgënjyer me rolin e zonjës Mogherini, sidomos në këta 12 muajt e fundit karshi këtij procesi të normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Deda.

Radio Evropa e Lirë: Në spektrin politik në Kosovë është duke u shqyrtuar mundësia e krijimit të një ekipi negociator i cili do të përfaqësonte Kosovën në fazën e ardhshme të bisedimeve me Serbinë. Bazuar në qëndrimet politike, sa është e mundur të formohet një ekip i tillë?

Ilir Deda: Edhe Alternativa, sikurse edhe partitë tjera është në komunikim intensiv me përfaqësuesit diplomatikë në Kosovë. I gjithë spektri politik po përballet me një situtatë të përplasjes së dy skajshmërive. E para është një vetëdije, të cilën ne ne Alternativë e kemi, por është edhe te partitë tjera, që konsensusi është i domosdoshëm për fazën finale të dialogut me Serbinë. Ndërkaq, e dyta ka të bëjë me mosbesimin e thellë që ekziston ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Që nga fillimi pozicioni ynë politik ka qenë që takimet të jenë intensive dhe mund të shpreh keqardhje që nuk ka pasur intensifikim të takimeve të partive politike. Qe dy muaj e gjysmë është tentuar dhe janë mbajtur disa tryeza në Kuvend, disa nga shoqëria civile, por nuk kanë qenë serioze mjaft sepse pozicioni ynë është që ne të jemi të mbyllur me një tryezë, derisa të shohim me të vërtetë se a do të merremi vesh apo jo dhe jo të shkojmë në tryeza ku secili nga ne e themi pozicionin tonë politik dhe pastaj konstatohet se nuk ka mundësi për dakordim. Nëse të gjitha partitë duan që të dakordohen për një ekip, një delegacion të unitetit, atëherë ky dakordim mund të arrihet. /REL/