Digjitalizimi, i domosdoshëm për sistemin shëndetësor

Aktuale July 14, 2018 - 17:00
Lexo detajet

Në Kosovë mungojnë statistikat e sakta për çdo sëmundje. Kjo ndodhë si pasojë e mosrealizimit të projektit për sistemin e referimit shëndetësor.

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, tha se ndonëse është duke u punuar që shtatë vjet në këtë proces, auditimi i brendshëm ka treguar se e gjitha duhet ndërpritet për shkak të dështimit të këtij projekti, dhe të fillohet me digjitalizim të shëndetësisë.

“Ka qenë një projekt që ka zgjatur shtatë vjet dhe nuk ka qenë e lehtë të bëhet shkëputje. Kjo pasi që kur investohet gjithë ato vjet në një projekt dhe në anën tjetër ekziston një dëshirë për t’u realizuar,pret, mirëpo rezultoi nga raporti i auditimit, që pilot-projekti nuk ka arritur në niveli të dëshiruar. Si rrjedhojë kemi ardhur në një situatë që projekti të mbyllet, dhe të fillohet me digjitalizim”, tha Ismaili.

Ministri Ismaili tutje shton se digjitalizimi i shëndetësisë është një rrugë e vështirë, por që është mjaft e nevojshme në vend.

“Projektet digjitale nuk janë të lehta të realizohen, pasi që po hyn një inovacion në një sistem shumë tradicional, dhe gjitha procedurat e brendshme duhet t’i përshtaten në mënyrë elektronike sistemit. Ky nuk është problem vetëm i Kosovës. Shumë vende të rajonit nuk kanë arritur ta digjitalizojnë sistemin, ashtu siç kanë dashur’’, tha Ismaili.

Në anën tjetër, drejtori i Qendrës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës Basri Lenjani, i tha Radios Evropa e Lirë se mosdigjitalizimi i shëndetësisë ka krijuar me vite probleme në qasjen e ofrimit të kujdesit shëndetësor emergjent dhe joemergjent.

Ai shton se niveli parësor duhet t’i marrë obligimet që i takojnë , pra t’i trajtojë pacientët që janë për atë nivel, dhe më pas të referohen në nivelin dytësorë e tretësorë, në rast nevoje. Por, një gjë të tillë, siç thotë Lenjani, e mundëson vetëm sistemi digjital në shëndetësi.

“Ministria e Shëndetësisë për herë të parë po reflekton pozitivisht për mënyrën e referimit të rasteve për tri nivelet e sistemit shëndetësorë. Unë mendoj që është një hap i rëndësishëm, dhe jo i vonshëm, pasi sistemi i referimit është i nevojshëm dhe ne do të merremi mandej me rastet që nuk mund të merren dy nivelet e trajtimit shëndetësor, pasi një gjë të tillë e mundëson sistemi ireferimit shëndetësor’’, tha Lenjani.

Sidoqoftë, në mungesë sistemi të referimit deri më tani, institucionet shëndetësore nuk kanë të dhëna të sakta për sëmundje, ndonëse stafi mjekësor është i obliguar me ligj t’i raportojë Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik. /REL