Jashari: Sami Lushtaku, dyfytyrësh

Aktuale July 14, 2018 - 07:46
Lexo detajet

Kryetari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka akuzuar paraardhësin e tij në Komunë Sami Lushtakun, i cili njëherësh është edhe kryetar i Degës së PDK-së në Skenderaj, se nuk është treguar i sinqertë me të as në fushatë zgjedhore e as pasi është zgjedhur në krye të Komunës, shkruan sot Gazeta "Zëri".


Ndonëse Lushtaku e kishte përkrahur publikisht në fushatën e fundit zgjedhore kandidaturën e djalit të heroit të kombit, Hamëz Jashari, Bekimi thotë se një përkrahje e tillë nuk ka qenë e sinqertë atëherë, prandaj tash po i shkaktohen probleme në qeverisje.

“Sami Lushtaku në fushatën e fundit e ka përkrahur publikisht kandidaturën time, por që të jem realist ajo deklaratë ka qenë vetëm për medie, pasi që as atëherë nuk ka qenë e sinqertë, njëjtë siç nuk është e sinqertë as sot. Kam informacione që Samiu jashtë medieve kur ka dalë për fushatë nëpër oda, ku s’ka kamera, nuk e ka thënë të njëjtën gjë për mua si para kamerave. Por, kjo le të jetë në ndërgjegjen e gjithsecilit”, thotë Jashari gjatë intervistës për “Zërin”.

Përpos problemeve që i kanë dalë me asamblistët e PDK-së në nivel lokal e të cilat, siç thotë ai, po i shkakton një grup i caktuar, Jashari ka folur edhe për zhvillimet politike në nivel qendror. Teksa nuk ka dashur të komentojë nëse presidenti Thaçi duhet t’i udhëheqë bisedimet me Serbinë, kësaj të fundit ka thënë se është dashur t’u vihen kushte, sepse ende nuk ka kërkuar falje as për krimet e bëra me vetëdije të plotë në Kosovë.

Zëri: Kanë kaluar disa muaj qëkur jeni zgjedhur kryetar. Si e gjetët Komunën dhe çka ndryshoi për këta muaj?

Jashari: Realisht kanë kaluar 6 muaj që udhëheq me Komunën e Skenderajt. Komuna nuk ishte në gjendje të mirë si me stafin profesional zyrtar, po ashtu edhe me punë të jashtme të Komunës. Jam deklaruar publikisht edhe gjatë fushatës, jam duke e përsëritur edhe tani, por jam edhe duke e mbajtur atë që e kam thënë. Komuna do të jetë shtëpia e të gjithë qytetarëve të Skenderajt. Në Kuvendin Komunal të Komunës sonë përpara në të kaluarën seancat kanë zgjatur deri në një orë e gjysmë, ndërsa sot zgjasin deri në 7 orë, sepse të gjithë janë të lirë për ta thënë fjalën e tyre. Nuk po e them unë, por po e thonë qytetarët e Skenderajt se është duke u kthyer shpresa në Skenderaj. E lëmë modestinë anash, shumë njerëz që më kanë thanë privatisht që “Ju ishit ata që atëherë si familje na e kthyet shpresën për këtë vend, por edhe ti sot po na e kthen shpresën dhe për ne ka shtet që përkujdeset”. Për ta përkufizuar me një fjalë, nuk ishte e lehtë, por vullneti është dhe nuk do të ndalemi deri në fund për ta dhënë maksimumin.

 

Ata që s’krijuan vende pune në Skenderaj vetë u punësuan në Prishtinë

Zëri: Pas ardhjes suaj në pozitën e kryetarit të Skenderajt filluan përçarjet mes PDK-së dhe përkrahëseve tuaj. Pse po ndodh e gjithë kjo?

Jashari: Mendoj që është një grup i caktuar që janë duke i krijuar këto përçarje te qytetarët e Skenderajt dhe të mbarë vendit. Nuk dua të besoj që PDK-ja është duke i bërë edhe pse janë duke dalë në emër të PDK-së. Këta po e shfrytëzojnë PDK-në për t’i krijuar këto përçarje, të cilët qytetarët e dinë që kanë qenë në qeverisje këtu dhe për dy muaj të gjithë i kanë gjetur vetes vende pune në institucionet qendrore në Prishtinë. Këta nuk kanë qenë në gjendje për sa vite pas luftës t’i ofrojnë vend pune askujt siç i gjetën vetes tani.

Zëri: A mendoni se PDK-ja i ka shkarkuar nga pozita 7 anëtarët e saj vetëm për shkak se jua mbajtën krahun juve?

Jashari: PDK-ja ka fituar me 20 asamblistë, përderisa Kuvendi Komunal i ka 31. Nëntë këshilltarë më kanë mbështetur vazhdimisht dhe po vazhdojnë. Për shkak se më kanë mbështetur mua i kanë larguar nga partia.

Zëri: Sami Lushtaku ka dalë publikisht në përkrahjen e kandidimit tuaj për ta drejtuar Skenderajn. Pse tash po ndodh e kundërta?

Jashari: Jo për Sami Lushtakun, por për asnjë shqiptar nga trojet shqiptare Bekimi dhe familja Jashari nuk e ka asnjë fjalë të keqe. Sami Lushtaku ka dalë publikisht në fushatën e fundit se e përkrah kandidaturën time, por që të jem realist ajo deklaratë ka qenë vetëm mediale, pasi që as atëherë nuk ka qenë e sinqertë dhe nuk është as sot.
Ne e kemi përkrahur Samiun në vitet 2007-2009 dhe në shumë procese të tjera që i ka pasur ai. E kemi mbështetur edhe si familje, por edhe personalisht e kam mbështetur në problemet që i ka pasur me ligjin. Unë jam deklaruar se pa marrë parasysh se çka ka bërë të keqe pas luftës në qoftë se akuzohet për një proces që kemi qenë të gjithë do ta ketë mbështetjen tonë. Edhe politikisht e ka pasur mbështetjen time për t’u bërë kryetar komune në Skenderaj, sepse kam menduar që e ka merituar. Nuk e di pse publikisht ka deklaruar që më përkrah. Por sinqerisht kam marrë informata që Sami Lushtaku jashtë medieve ka dalë në fushata nëpër oda, ku s'ka kamera dhe nuk e ka thënë të njëjtin gjë si para medieve. Por, kjo le të jetë në ndërgjegjen e secilit.

Zëri: Kur keni nisur garën për kryetar të Skenderajt a keni besuar se do të keni kaq përplasje me PDK-në?


Jashari: Jo, jo, sepse jam nisur nga vetja, edhe pse po e përdor prapë gjyshin dhe djalin e Rifatit, Muratin, kur kanë shkuar në stërvitje në Shqipëri, kur i kishte thanë “Udha e mbarë babo, besnik bëhu e besë mos i zë askujt” ai nuk e ka kuptuar një kohë të gjatë se pse i ka thënë e derisa është takuar me babën e vet Rifatin e ia ka sqaruar që nuk duhet t’i besosh tjetrit siç vetes se e pëson. Kështu që nuk kam besuar që burri kur thotë po del jo, por ja që ndodhi.

Zëri: A keni përplasje vetëm me Lushtakun apo edhe me kreun e PDK-së Kadri Veselin?

Jashari: Jo, të paktën nga ana ime kam raporte të mira me secilin. Me të gjitha partitë politike, me të gjithë udhëheqësit e tyre takohemi. Nuk kam raporte të këqija e as përplasje me Kadriun e as me Samiun. Unë mendoj që Samiu ka qenë një kohë të gjatë në burg, e ka qeverisur Komunën tjetërkush në emrin e tij e më vjen keq ta them publikisht tash që janë duke e keqpërdorur emrin e Samiut një grup njerëzish që janë duke i qëndruar afër.

Zëri: Si po i shihni zhvillimet politike në nivel qendror?

Jashari: Me shumë sfida, ndoshta ngjashëm si unë me Komunën time. Janë duke u munduar aq sa po e shoh të punojnë, por po kanë vështirësi të mëdha.

Është dashur t’i vihen kushte Serbisë

Zëri: A do të duhej presidenti Thaçi t’i udhëheqë bisedimet me Serbinë?

Jashari: Dialogun Kosova me Serbinë, duke qenë në mes BE-ja me SHBA-në, mendoj që është shumë më e lehtë edhe për Thaçin dhe për të gjithë që ata ta kenë një grup uniteti, i cili përbëhet nga të gjitha partitë politike, por pse jo edhe nga shoqëria civile që të trajtohen çështjet në mënyrën më serioze. Kjo nuk është çështje e lehtë, por mendoj që në fillim kur kanë filluar nuk e kemi nisur mbarë, pa dashur të hyj me emra. Mendoj që është dashur t’i vihen kushte, sepse Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet që i ka bërë me vetëdije. Qeveria jonë, institucionet tona është dashur të qesin këtë kusht, që pa kërkimfalje nuk pranojmë të hyjnë në bisedime.

Zëri: Çfarë raportesh keni me presidentin Hashim Thaçi?

Jashari: Të mira janë, por edhe të mira kanë qenë!

Zëri: Si të veprohet me ushtrinë kur ndërkombëtarët po e kërkojnë përmes ndryshimeve kushtetuese?

Jashari: Mund ta jap vetëm një mendim. Për mua TMK-ja ka qenë ushtri, FSK-ja është ushtri, përpos që na mungojnë pajisje më të rënda ushtarake. Unë mendoj që Qeveria duhet të mos lërë guri pa rrotulluar e edhe këta të mos lënë germë të ligjeve pa e shfrytëzuar që ushtria të formohet sa ma shpejt.

Zëri: Gjasat janë minimale që sivjet të hiqen vizat me BE-në. Cili është komenti juaj pas shumë premtimeve të politikaneve se do të hiqen shpejt?

Jashari: Nganjëherë nga dëshira po nguten me deklarime, prandaj edhe mund të gabojnë. Në dhjetor të këtij viti kanë thënë se do të hiqen vizat e të mos ngutem të jap diçka jo të duhur. Mendoj që është absurdi ose gabimi më i madh nga BE-ja që po bëhet me Kosovën në lidhje me çështjen e vizave. Bashkësia Ndërkombëtare kanë qenë këtu, sikur fëmijën që e mëson me ec ata na kanë ndihmuar me çlirim dhe janë duke na ndihmuar në shtetndërtim dhe sot të na thonë që s'po i plotësojmë këto kritere, po ju ishit këtu, pse na latë të gabojmë? Pa dashur të paragjykoj, nëse analizojmë nuk besoj që dikush mundet të me bind që Maqedonia dhe Mali i Zi janë më mirë se ne, por edhe Serbia, pse atyre u janë hequr vizat? Kur e dimë mirë çfarë të drejtash kanë pakicat joshqiptare në Kosovë e çfarë të drejtash kanë pakicat joserbe në Serbi, siç i kemi ne shqiptarët në Luginën e Preshevës, që bashkësia ndërkombëtare ende nuk e dëgjova që u tha institucioneve në Beograd. Është duke na u bërë një e padrejtë që nuk e meritojnë qytetarët e Kosovës.

Zëri: Premtimet që janë dhënë në zgjedhje, a keni filluar implementimin/realizimin e tyre, cilat janë punët që jeni duke i bërë tash?

Jashari: Premtimet që i kam bërë kanë qenë vetëm “Transparencë dhe llogaridhënie, qeverisje me duar të pastra” e kjo është duke ndodhur. Jemi duke punuar në drejtësi, rregull e pastërti të qytetit. Është liria e shprehjes politikisht si brenda, si jashtë Komunës. Është larguar ajo “frika” që të mos flas për Bekimin se kushedi çka më bën, nuk është ajo më. Te kultura kemi pasur jashtëzakonisht aktivitete të shumta. Unë jam i lirë, nuk kam frikë prej askujt, dal vetëm në qytet në çfarëdo ore, jam po ai Bekimi që qytetarët e kanë hapësirën të konsultohen, të bisedojnë me mua. E që ka kulmuar ka qenë aktiviteti në Bashkësinë Lokale në Runik, në programin që u shfaq atje nga artisti Petrit Halilaj me një performancë të jashtëzakonshme. Jemi duke u munduar për ta dhënë maksimumin që rinia ta gjejë veten e të largohet nga rrugët e këqija. Shumë shpejt tash është duke u rinovuar Shtëpia e Kulturës në Skenderaj. Kemi një ansambël të mrekullueshëm, që shpejt do të hyjë nën ombrellën e Ministrisë së Kulturës si ansambël profesional. Qyteti i Skenderajt i ka të gjitha grupet, shoqëritë që e përfshijnë si në art, në sport, por që të gjitha kërkojnë edhe të holla e Komuna është e varfër, por që jemi duke ia dalë.