Kurteshi: Mos e votoni ligjin për qasje në dokumente publike, janë disa çështje që janë fsheh aty

Aktuale July 13, 2018 - 17:42
Lexo detajet

Kuvendi i Kosovës, ka shqyrtuar Projektligjin për Qasje në Dokumentet Publike. Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi tha se e drejta e qasjes në dokumente është e drejtë themelore dhe se projektligji në fjalë, përmban obligime për institucionet publike

Bytyqi: Projektligji përmban obligime për institucionet publike

“Projektligji përmban obligime për institucionet publike, që t’i mbajnë hapur të dhënat, të cilat mund të përdoren nga individët dhe nga bizneset. Hapja e të dhënave do t’i mundësoj bizneseve të reja sidomos ato të teknologjisë informative, të krijojë aplikacione me të dhënat e nevojshme për një treg të ri që do të ndihmonte ekonominë dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, tha Bytyqi.

Por deputeti i Vetëvendosjes Sami Kurteshi u bëri thirrje deputetëve që të mos e votojnë këtë projektligj.

Kurteshi: Disa çështje janë fsheh në ligj

“Pjesa e dytë është thelbi. Ka të bëjë pikërisht me qasjen në dokumentet publike, për nenet që i lexova pak më parë dhe sidomos për monopolin që mund ta kenë organizatat ndërkombëtare si Bechtel Enka apo si ndonjë organizatë tjetër në Kosovë, që nuk i jep kontratat të bëhen publike. Këto janë ato çështjet që janë mshef në ligj dhe kanë karakter politik dhe nuk kanë karakter juridik, por janë norma juridike. Ne kemi dhe çështje tjera. Unë po e them krejt hapur për ta treguar qëndrimin politik të VV. Në formën që është ofruar ligji me këto fshehje që janë shumë suptile, parimisht kërkoj nga koleget të mos e miratojnë këtë ligj”, tha Kurteshi.

Edhe pse në rend dite ishin paraparë dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 06/L-046 për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 06/L-042 për gjak dhe përbërës të gjakut, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 06/ L-009 për Ndërmjetësim dhe Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 06/ L-010 për Noterinë, ato u shtynë për shqyrtim në seancën e radhës, e cila do të caktohet nga Kryesia e Kuvendit në ditët në vijim.