Kadri Veseli i lexon libër Vetëvendosjes në Kuvend

Aktuale July 13, 2018 - 14:20
Lexo detajet

Kryeparlamentari, Kadri Veseli në seancën e sotme përderisa po diskutohej për Projektligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë,filloi të lexoj një pjesë nga një libër, që fliste për populistët që shndërrohen në diktatorë, raporton “Zeri.info”.

Veseli me këtë rast citoi një pjesë nga libri ku thuhej se politikanët anti-traditë, e fajësojnë elitën në vend duke u munduar t'ua mohojnë legjitimitetin.

“Si vdesin demokracitë, e ardhmja jonë e rrëfyer nga historia e Stiven Lenski. Zotri Glauk në panairin e librit më ra ta blej këtë libër dhe po e lexoj. Për politikanët anti-traditë, të cilët në shumicën e rasteve janë autokrat dhe përfundojnë diktator, populistët të cilët janë politikanë anti-traditë, figura të cilat përfaqësojnë “zërin” e popullit, vazhduesit e luftës kundër elitës, të cilët këtë të fundin e përshkruajnë si të korruptuar dhe konspirative. Populistët kanë pritje ta mohojnë legjitimitetin e partive elitë dhe i sulmojnë si anti-demokratike dhe anti-patriote”, lexoi Veseli.

Tutje ai citoi edhe një pjesë tjetër të librit, duke iu drejtuar deputetëve të Vetëvendosjes.

“Ata ju drejtohen votuesve se sistemi i vërtetë nuk është demokracia e vërtet sepse është kapur nga të korruptuarit dhe është shkatërruar nga elita, premtojnë që do të varrosin elitat dhe do të ja kthejnë pushtetin popullit. Ky lloj diskursi duhet të merret seriozisht, si diktaturë po mendoj”, theksoi Veseli.

Pas leximit të kësaj pjese të librit, Kadri Veseli u pyet nga deputet të Vetëvendosjes se pse e lexoi këtë pjesë, me ç’rast ai u përgjigj se “Jo, vetëm e lexova”, pa ndonjë arsyeje.

Ndërsa pas kësaj reagoi deputeti i Vetëvendosjes Sali Zyba.

“Kryetar tash po arsyetohet mungesa juaj në Kuvend, ju qenkeni duke lexuar tinxa, por nuk e kuptuam autorin. Nuk e di a jeni korrekt në citim, por në lexim jeni të dobët”, tha Zyba.

Ndërsa Veseli tha se nëse ka lexuar dobët ishte për shkak të emocioneve por shtoi se “Unë libër lexova, asgjë tjetër, nuk janë fjalë të mija asnjëra”.

Ndërsa pas kësaj ai tha se deputetët e Vetëvendosjes lexojnë shumë.

“Hallall i koftë i kanë librat, edhe unë e gjeta një dhe e lexova”, tha Veseli mes tjerash.

Kjo situatë shkaktoi të qeshura tek një pjesë të deputetëve, por jo edhe tek deputetët e Vetëvendosjes. ZERI