Kurti viziton Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë

Aktuale July 13, 2018 - 14:19
Lexo detajet

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, zhvilloi një takim me drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka.

Këtu u tha se nevojitet një komunikim më i madh ndërmjet përfaqësuesve të sektorit privat dhe deputetëve të Kuvendit, me qëllim të informimit më të mirë të dyanshëm dhe harmonizimit të pikëpamjeve lidhur me politikat që mundësojnë fuqizimin e sektorit privat dhe nxitjen e ndërmarrësisë.

Zeka tha se përkundër disa zhvillimeve pozitive në aspektin e politikave fiskale, ende mbetet shumë punë për të bërë, derisa shprehu shqetësimin e Odës Amerikane lidhur me nivelin jo të kënaqshëm të dialogut ndërmjet sektorit publik dhe privat.

I pari i VV-së deklaroi se është e nevojshme që Kosova të ketë një Bankë Investive Zhvillimore e cila do të mbështeste projektet ndërmarrëse në vend, por edhe shfrytëzimin më të mirë të potencialeve të mërgatës në të mirë të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Ai poashtu foli edhe për domosdoshmërinë e forcimit të prodhimtarisë vendore, marrë parasysh deficitin e lartë tregtar me të cilin përballet vendi.

Bashkëbiseduesit u pajtuan lidhur me nevojën e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet asociacioneve të biznesit dhe grupeve parlamentare, përmes pjesëmarrjes aktive në diskutimet publike që organizohen në kuadër të Kuvendit të Kosovës.