Veseli: Secili individ do të përgjigjet për veprimet e veta

Aktuale July 13, 2018 - 14:03
Lexo detajet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka folur sot rreth Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë. Ai theksoi se ka nevojë që në këtë reformë të punohet bashkërisht, pozitë dhe opozitë.

Veseli tha se nuk do të ketë aministi për askënd, pa marrë parasysh partisë që i përket.

“Duhet të punojmë bashkërisht. E përgëzoj ministrin e Drejtësisë për guximin për të kaluar përmes disa barrierave.  Do të ketë ndryshime që do të bëhen nga ministri. Ka qenë edhe deklarimi im publik para ligjit, kushdo që ka keqpërdorur do të përgjigjet.

“Kushdo që është i inkriminuar e paguan. Nuk ka nevojë askush të paguajë për një individ, as Vetëvendosje për një individ, as PDK-ja për një individ, as LDK-ja për një individ dhe asnjë parti a grup tjetër”, ka thënë ai, duke bërë thirrje që përpjekjet për reforma të mos merren me negativitet.

Veseli shtoi se me reformat që po bëhen, Kosova do të marrë lajme të mira nga Bashkimi Evropian.

“Rrugëtimi ynë është Bashkimi Evropian dhe presim që rekomandimi për vizat të jetë pozitiv javën e ardhshme dhe një vizitë nga BE-ja po gjatë kësaj jave. Ky është një sukses i të gjithëve, qytetarëve dhe pozitës e opozitës”, ka deklaruar Veseli.