"Po bëhet garë mes Hazirit e Hotit brenda LDK-së"

Aktuale July 13, 2018 - 13:57
Lexo detajet

Nënkryetarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë dalë me qëndrime të ndryshme sa i përket kërkesës për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Derisa Lutfi Haziri ka thënë se ka evoluar qëndrimi i LDK-së dhe se tani duhet të ketë zgjedhje, Agim Veliu ka thënë se nuk ka ndonjë ndryshim në qëndrimin e LDK-së, shkruan "Zëri.info". 

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Teuta Haxhiu, duke komentuar deklaratat e nënkryetarit të LDK-së Lutfi Hazirit ka thënë se gara e brendshme për kryetar të LDK-së po tentohet të bartet edhe në nivel të shtetit.

“Sigurisht se kryetari i Gjilanit e ka fjalën për zgjedhjet brenda LDK-së dhe kjo po vërehet edhe në Kuvendin e Kosovës. Gara e tyre e brendshme po tentohet të reflektohet, por në fakt nuk po reflektohet te Qeveria. Ata po bëjnë garë për të parin e LDK-së dhe u urojmë zgjedhje të lira e demokratike brenda LDK-së”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka thënë për “Zërin” se LDK-ja nuk ka forcë dhe as nuk do të ndërmarrë ndonjë hap për rrëzimin e Qeverisë. “As nuk kanë forcë dhe as nuk marrin mundin për të iniciuar diçka, pasi po shihet se është garë në mes të Lutfi Hazirit dhe shefit të Grupit Avdullah Hotit dhe këto po shihen edhe nga qytetarët”, ka shtuar bashkëpartiakja e kryeministrit Ramush Haradinaj. /Zëri