Albin Kurti shumicën e energjisë e shpenzon duke u marrë me opozitën

Aktuale July 13, 2018 - 13:10
Lexo detajet

Deputeti i Alternativës Ilir Deda në një intervistë për "Zërin", ndër të tjera ka thënë se kreu i lëvizjes "Vetëvendosje", Albin Kurti, gjithë energjinë po e shpenzon duke u marrë me partitë opozitare. 

Deda tha se partitë opozitare duhet të jenë aleate të njëra-tjetrës.

Zëri: Para pak ditësh lideri i LVV-së Albin Kurti në një intervistë për “Zërin” e quajti pjesën tjetër të opozitës si “pseudoopozitare”. Si e komentoni ju këtë?

Deda: Mua më vjen shumë keq që Albini shumicën e energjisë e shpenzon duke u marrë me opozitën. Ne nuk e sulmojmë Vetëvendosjen. Ne mendojmë që Qeveria është kundërshtar politik, nuk e kuptoj pse Albini e sheh opozitën si kundërshtare politike. Por partitë opozitare duhet të jenë aleate të njëra-tjetrës. E tash nëse ne sulmohemi gjatë gjithë kohës mes vete kjo Qeveri do të mbetet në pushtet, sepse Albini në vend që ta marrë iniciativën për mocion për rrëzimin e Qeverisë, ai na sulmon të gjithë neve pa pasur asnjë arsye. 

Zëri: Ditët e fundit dhjetëra pjesëtarë të FSK-së të komunitetit serb kanë dhënë dorëheqje nga FSK-ja. Pse ka ndodhur një gjë e tillë sipas jush?

Deda: Pse e dinë të gjithë, ajo ka të bëjë me këtë proces të dialogut dhe mua më brengos që Qeverisë as nuk i ka shkuar mendja që mund t’i ndodhë kjo punë. Domethënë, është paaftësi qeverisëse. Njerëzit nuk po e kuptojnë peshën e këtij dialogu. Dhe këtë Thaçi duhet të dalë t’ua shpjegojë njerëzve prapë. Cila është korniza e kompromisit që pritet prej Kosovës. E treta, si do të duket kjo Kosovë e ardhshme. Në fund, pse po negocion ai ende me Vuçiqin për ndarje të veriut të Kosovës.